Pse tatimpaguesit e biznesit të vogël vazhdojnë të ankohen në lidhje me kontrollet e ushtruara nga inspektorët e terrenit, veçanërisht, në lidhje me lëshimin e kuponit tatimor për shitjet që ato bëjnë
Kultura tatimore e një vendi është tërësia e institucioneve formale dhe informale që lidhen me sistemin tatimor dhe ekzekutimin e tij praktik, të cilët historikisht janë rrënjosur thellë brenda kulturës së vendit, e cila përfshin varësitë dhe lidhjet që shkaktohen nga ndërveprimi i vazhdueshëm i tyre.
Nëse do të analizonim rrënjosjen e kulturës tatimore në Republikën e Shqipërisë, së pari duhen marrë në konsideratë “aktorët” e saj duke e nisur shtjellimin nga kultura e përgjithshme e vendit, te kultura tatimore, te legjislacioni tatimor, për të parë se si ndërveprojnë “aktorët” ku ndërmjet të tjerëve do të veçohen: politikanët, akademikët, zyrtarët tatimorë, ekspertët (ekspertët kontabël të autorizuar, kontabilistët e miratuar, këshilltarët tatimorë) dhe tatimpaguesit.
Për shumë arsye, tatimpaguesit e biznesit të vogël vazhdojnë të ankohen në lidhje me kontrollet e ushtruara nga inspektorët e terrenit, veçanërisht, në lidhje me lëshimin e kuponit tatimor për shitjet që ato bëjnë dhe lidhur me këtë dukuri u anketuan disa tatimpagues në vendndodhje të ndryshme të Tiranës dhe Pogradecit, në lidhje me marrëdhëniet e tyre me inspektorët tatimorë të terrenit (ITT). Nga analiza e përgjigjeve të anketuara rezultuan përfundimet që vijojnë:
- 1. Inspektorët Tatimorë të Terrenit (ITT) veprojnë përtej fuqisë ligjore që i takon administratës tatimore. Shpjegimi i një tatimpaguesi (një vajzë e ardhur nga zonat veriore) që ka një biznes të vogël të mallrave të ndryshëm ushqimorë) vjen në përfundimin se qëndrimi i ITT–ve i kapërcen kompetencat që u jep legjislacioni tatimor, për arsye se disa prej tyre veprojnë përtej përgjegjësisë së mbledhjes së tatimeve gjë për cilën tha: “Unë kam ardhur në përfundimin se ITT–të veprojnë si të ishin policë apo gjykatës që kanë përballë shkelësin e ligjit, gjë që e thonë edhe të tjerë biznese këtu rreth e rrotull”.
- Përdorimi i Këshilltarëve Tatimorë Privatë (KTP). Shpjegimi i një tatimpaguesi të një minimarketi me më shumë se dhjetë vjet përvojë në biznesin e tregtisë me pakicë në Pogradec, tregoi se ishte kontrolluar më parë dhe për ta mbrojtur biznesin e tij nga dëmtimi, kishte punësuar një KTP (ish-inspektor tatimor) të kujdesej gjatë procesit të çdo kontrolli tatimor, duke menduar se ITT-të mund ta ndërlikonin në më shumë gabime në qoftë se ai nuk do të ishte në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të tyre dhe për këtë tha: “Gjatë kontrollit, ne duhet të paguajmë KTP–në që të merret ai me pretendimet e ITT–ve, për arsye se kur kemi kontroll tatimor, bëhemi nervozë dhe ka një lloj ankthi të sigurt se mund ta bëjmë në mënyrë jo të saktë prezantimin me ITT–të dhe pas kësaj nuk duhet shumë kohë që gjërat të na dalin nga dora.”.
Shembulli i mësipërm që përballet nga tatimpaguesit e biznesit të vogël në lidhje me mungesën e njohjes teknike të përmbushjes së legjislacionit tatimor dhe praktikave administrative kur u takon të merren me ITT–të, tregon se tatimpaguesit ua delegojnë përgjegjësinë e tyre KTP–ve që këta të fundit të veprojnë si ndërmjetës dhe si amortizues ndërmjet tyre dhe ITT–ve, duke vërtetuar kështu se ITT–të kanë tendencën për të krijuar “kulturën e frikës” midis tatimpaguesve të biznesit të vogël.
- Shkallët e ndryshme të kompetencave të ITT–ve dhe perceptimet e tyre për të dhënat e tatimpaguesit. Disa KTP (ish-inspektorë tatimorë në Pogradec) kanë ndeshur shkallë të ndryshme kompetencash midis ITT-ve dhe kanë vënë re se disa prej tyre janë kompetentë dhe ndihmojnë teknikisht ndërsa të tjerët nuk janë, veçanërisht ata të Hetimit Tatimor, gjë që tregon se disa ITT e shikojnë procesin e kontrollit si mjet që tatimpaguesit e biznesit të vogël t’i rregullojnë regjistrimet e tyre për të parandaluar gabimet në të ardhmen. Por nuk duhet harruar se ka tatimpagues të biznesit të vogël që, në mënyrë të paramenduar, bëjnë gabime për të shmangur pagimin e tatimeve në mënyrë të paligjshme, shpjegim i dhënë nga disa KTP (në Pogradec), që thanë: “Varet, ata (ITT–të) pa diskutim mund të jenë ITT të mirë, por gjithashtu disa janë gërricës, ose ITT hakmarrës për arsye se ne jemi ankuar për sjelljen e tyre; gjithashtu nuk ka dyshim se disa janë profesionistë të zot që e kuptojnë shpejt se gabimet janë bërë me të vërtetë pa dashje nga tatimpaguesit, por ka dhe nga ata që kanë perceptimin se gabimet bëhen me paramendim.”.
Një tatimpagues tjetër prej shumë vitesh në biznesin e restorantit dhe hotelit (në Pogradec) kish pasur si klientë në hotel ITT (të Hetimit Tatimor) dhe për fjetjen u kishte lëshuar faturë tatimore, por pak pas orësh disa ITT të tjerë i kishin shkuar për kontroll dhe e kishin ndëshkuar me gjobë. Për këtë problem një KTP (ekspert kontabël) tha: ITT–të vijnë duke parashikuar të gjejnë diçka dhe ne e dimë një gjë të tillë dhe i porosisim klientët tanë të lëshojnë faturë dhe të mbajnë regjistrime, të cilat i ruajmë në përputhje me kërkesat e legjislacionit tatimor; gjithashtu kemi pasur raste që kontrolli tatimor ka qenë shumë i saktë profesionalisht”.
Tatimpagues të biznesit të vogël dhe KTP të tjerë me përvojë të gjatë në biznesin e tyre (në Tiranë) kanë ardhur në përfundimin se një pjesë e mirë e ITT–ve nuk janë të kualifikuar dhe për këtë thanë: “Kemi bindjen se ITT–të nuk janë të trajnuar shumë, madje shumë prej tyre nuk janë vërtet të kualifikuar dhe nuk çuditemi kur shohim se nga cilat profesione vijnë në detyrën e ITT–ve dhe kur bëhet fjalë për përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor që ka lidhje me përdorimin e kasës regjistruese fjalët “për çdo rast”, për shembull, në rastin e moslëshimit të kuponit tatimor nga një restorant ose bar, etj., e interpretojnë për çdo tavolinë, duke thënë se “kështu shkruhet në ligj”.
Shpjegimet e mësipërme të KTP–ve dhe tatimpaguesve të tjerë (në Tiranë dhe Pogradec) tregojnë se tatimpaguesit e biznesit të vogël që janë regjistruar për TVSH (nga zyra), të cilët njëkohësisht janë tatimpagues të Taksës mbi Biznesin e Vogël që administrohet nga zyrat tatimore vendore, kontribuues të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk kanë një udhëzim se si duhet të veprohet për të zbatuar legjislacionin tatimor që administrohet nga administrata tatimore qendrore dhe ajo vendore; për më tepër këta tatimpagues nuk kanë asnjë lloj ndihme për të zbatuar ligjin për TVSH. Ka pasur raste që KTP–të (në Tiranë dhe Pogradec) i kanë sfiduar ITT-të në lidhje me të kuptuarit dhe interpretuarit e legjislacionit tatimor kur kanë parë se qëndrimi i ITT–ve ka qenë i padrejtë për të mbrojtur të drejtat e klientëve të tyre; KTP–të e kanë të qartë tashmë se jo gjithnjë ITT–të kanë të drejtë dhe për këtë thanë: “Disa herë e kemi sfiduar interpretimin e ITT–ve në lidhje me interpretimin e legjislacionit, por nga Drejtoria e Apelimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kemi marrë përgjigje negative, edhe pse kemi argumentuar ligjërisht gjithçka. Kjo është një praktikë që ka kohë që vazhdon, veçanërisht me gjobat për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe gjobave në lidhje me vendosjen dhe përdorimin e kasës regjistruese”.
KTP–të, si ndërmjetës, kanë për detyrë t’u sigurojnë klientëve të tyre se ata janë trajtuar drejt sipas legjislacionit tatimor dhe nuk janë ndëshkuar në mënyrë të padrejtë dhe, në lidhje me këtë, KTP–të besojnë se gabimet e bëra pa qëllim nuk duhet të barazohen me veprimtaritë mashtruese, gjë që nënkupton se ITT–të duhet t’i trajtojnë me ndëshkime të ndryshme.
- Problemet e komunikimit me ITT–të. Problemi i komunikimit me ITT–të është një prej zhgënjimeve që përballin KTP–të dhe tatimpaguesit e biznesit të vogël gjatë procesit të kontrollit, për arsye se shpesh ajo që kërkohet nga ITT–të nuk është e njëjta me atë që u është kërkuar dhe për shkak të një praktike të tillë, procesi i kontrollit dhe apelimit zgjatet shumë dhe rrit kostot e tatimpaguesve të biznesit të vogël. Disa KTP (në Tiranë dhe Pogradec) thanë: “Megjithatë, duhet thënë se kemi pasur probleme me komunikimet, për shembull çfarë ITT-të kërkojnë dhe ajo çfarë u japim ne është e ndryshme dhe për këtë gjë më pas na është thënë se u kishim dhënë gjënë e duhur; shpesh ajo që ITT–të kërkojnë nuk është që ajo që ata duan”. Në këtë mënyrë, KTP–të kanë ardhur në përfundimin se mungesa e qartësisë për sa i përket asaj që kërkohet nga ITT–të, është problematike dhe zhgënjyese, gjë që rrit pasigurinë ligjore në trajtimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël, duke rritur riskun e kundërt në lidhje me përmbushjen e legjislacionit tatimor.
- Perceptimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël në lidhje me administratën tatimore. Shumë tatimpagues të biznesit të vogël janë ngurrues për t’u marrë direkt me administratën tatimore dhe, në lidhje me këtë përfundim, shumë prej tyre nuk i kërkojnë ndihmë administratës tatimore por u drejtohen KTP–ve dhe miqve, duke e radhitur administratën tatimore të fundit sipas preferencës, gjë e cila tregon se perceptimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël në mënyrë të pandërgjegjshme krijojnë një distancë shoqërore me administratën tatimore, çka pasqyron një klimë antagoniste tatimore.
Shumë tatimpagues të biznesit të vogël janë ngurrues për t’u marrë direkt me administratën tatimore dhe, në lidhje me këtë përfundim, shumë prej tyre nuk i kërkojnë ndihmë administratës tatimore por u drejtohen këshilltarëve tatimorë privatë dhe miqve, duke e radhitur administratën tatimore të fundit sipas preferencës, gjë e cila tregon se perceptimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël në mënyrë të pandërgjegjshme krijojnë një distancë shoqërore me administratën tatimore, çka pasqyron një klimë antagoniste tatimore.
Kasem Seferi – ekonomist
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.