Kampionati Botëror i FIFA-s do të zhvillohet në Katar këtë vit dhe një nga tetë stadiumet e këtij kampionati është shumë ndryshe nga çdo vend tjetër ku është zhvilluar më parë një lojë e Kupës së Botës.
Stadiumi 974 është ndërtuar kryesisht nga kontenierë transporti të ripërdorur, të cilët mund të çmontohen plotësisht dhe për t’u bashkuar përsëri si blloqe Lego pas përfundimit të kampionatit.
I ndërtuar pranë Portit të Dohas, ky stadium inovativ me 40,000 vende përbëhet nga një strukturë modulare prej çeliku dhe nga 974 kontenierë transporti – për këtë arsye, i është vendosur emri “Stadiumi 974”.
Pjesa më e madhe e kontenierëve janë përdorur për të formuar muret e jashtme që rrethojnë stadiumin. Pjesa tjetër janë vendosur brenda strukturës dhe përdoren si tualete ose nga bizneset e ndryshme.
E gjithë struktura është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të mund të ҫmontohet në çdo periudhë dhe të rindërtohet në një vend tjetër ose të rimodelohet në një sërë ambientesh më të vogla.
Dizajni i stadiumit, i konceptuar nga firma spanjolle e arkitekturës Fenwick Iribarren, është frymëzuar nga blloqet Lego.
Materiali i pazakontë i ndërtimit u zgjodh për të ulur kostot e ndërtimit dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e stadiumit, duke reduktuar si mbetjet e krijuara gjatë prodhimit të komponentëve të stadiumit, ashtu edhe ato të krijuara gjatë ndërtimit të tij.
Kombinimi i vendndodhjes së stadiumit pranë detit dhe dizajnit të tij në formë tasi, shmang nevojën për ajër të kondicionuar pasi ai ajroset në mënyrë të natyrshme, gjë që përmirëson më tepër qëndrueshmërinë e tij.
H.E. Hassan Al Thawadi, sekretari i përgjithshëm i Supreme Committee for Delivery & Legacy, organizata përgjegjëse për përgatitjen e infrastrukturës së Katarit për Kupën e Botës, tha: “Ne e konsiderojmë këtë stadium inovativ si fillimin e një ndryshimi të madh për organizimet e eventeve të rëndësishme në të ardhmen. Ky është një shembull tjetër i trashëgimisë së fuqishme që do të lërë Kampionati Botëror 2022.’
Kupa e Botës FIFA 2022 do të fillojë më 21 nëntor me një ceremoni hapjeje në Al Khor, në stadiumin Al Bayt me kapacitet prej 60,000 vendesh.
Në Stadiumin 974, i cili gjithashtu ka të njëjtin emër me prefiksin e telefonatave të Katarit, do të luhen shtatë ndeshje gjatë kampionatit.
Disa stadiume të tjera të Kupës së Botës në Katar janë: Khalifa International, Al Janoub, Education City, Ahmad Bin Ali dhe Al Thumama.
Khalifa International, e cila ndodhet gjithashtu në Doha, ka një dizajn të mrekullueshëm në formë syri. Al Janoub është një stadium oval me pamje futuriste. Education City i ka pjesët anësore me zigzage. Ndërsa Ahmad Bin Ali ka një pamje më konvencionale për një stadium.
Al Thumama, ndërkohë, ka formën e një “gahfiya” – një kapele tradicionale e endur me dorë dhe e stolisur, që përdoret për shekuj me radhë nga burrat dhe djemtë në të gjithë Lindjen e Mesme.
Dizajni i stadiumit Lusail është frymëzuar nga ‘ndërveprimi i dritës dhe hijes që karakterizon ndriҫuesit e fanarit’.
Kupa e Botës Katar 2022 ka tërhequr mjaft vëmendje gjatë muajve të fundit. Ajo ka hasur kundërshti nga vendet fqinje, ka qenë subjekt i hetimeve për korrupsion dhe është përballur me kritika për abuzimin ndaj punonjësve.
Protesta të tjera si nga lojtarët, ashtu edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, pritet të zhvillohen gjatë muajve të ardhshëm, megjithëse organizatorët e Kupës së Botës vazhdojnë të mos i pranojnë këto akuza.
CEO i komitetit organizativ, Nasser Al Khater, tha kohët e fundit: “Katari është trajtuar në mënyrë të padrejtë për shumë vite me radhë.”