Nëse mblidhen kostot totale, duke marrë parasysh jo vetëm kostot e ndërtimit të stadiumeve të reja dhe ristrukturimin e atyre ekzistues, por edhe të gjitha paratë e shpenzuara për infrastrukturën, Kupa e Botës e këtij viti në Katar është, padyshim, më e shtrenjta e të gjitha kohërave.
Siç ilustrohet në infografik, Katari ka akumuluar shifra astronomike në rreth 220 miliardë dollarë. Për krahasim, kostot e Botërorit të Futbollit në vitin 2006 në Gjermani, duken thuajse të papërfillshme, në 4.3 miliardë dollarë.
Megjithatë, duhet marrë në konsideratë se kostot e lidhura me stadiumet e rinj në Katar janë vetëm nga 6.5 deri në 10 miliardë dollarë. Bëhet fjalë për një rritje të ndjeshme krahasuar me 4 miliardë dollarë të propozuara fillimisht, ku pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhet me kostot infrastrukturore që janë pjesë e planit më të gjerë, Qatar 2030. Këto përfshijnë ndërtimin e një qendre inovacioni me hotel, një rrjet të sofistikuar metroje, stadiume dhe aeroporte.
Kupa e Botës në Katar ka qenë objekt kritikash ndërkombëtare, jo vetëm për kostot e larta, por mbi të gjitha për shkeljet e të drejtave të njeriut. Në një raport, Amnesty International kritikoi paaftësinë e autoriteteve të Katarit për të hetuar vdekjen e mijëra punëtorëve migrantë në dekadën së fundit, pavarësisht provave që lidhin vdekjet e tyre të parakohshme me kushtet e rrezikshme të punës.
Sipas Amnesty International, statistikat zyrtare tregojnë se 15.021 qytetarë të vendeve të tjera kanë vdekur në Katar nga viti 2010 deri më 2019. Të dhënat e qeverisë nuk i tregojnë se sa punëtorë kanë vdekur gjatë fazës parapërgatitore për Kupën e Botës. Komiteti i Lartë i Katarit thotë se një total prej 35 personash kanë vdekur në projektet e Kupës së Botës që ka mbikëqyrur që prej vitit 2015.
Megjithatë, nuk është vlerësuar numri i punëtorëve të vdekur në projekte të tjera infrastrukturore që lidhen me organizimin e turneut.
/ Statista