Edicioni 2023 i Kupës së Botës së Regbi – i cili do të zhvillohet në Francë, nis sot më 8 shtator – me ndeshjen e shumëpritur mes skuadrës së vendit pritës dhe All Blacks – skuadra më e famshme në regbi.
Pritshmëritë ekonomike për turneun janë të larta, po aq edhe entuziazmi që e rrethon. Kompeticioni i fundit për meshkuj arriti numrin më të madh të teleshikuesve deri më sot – 857 milionë njerëz e ndoqën turneun nga e gjithë bota – 8 herë më shumë se Super Bowl vitin e kaluar
Përveç entuziazmit, rreziqet mjedisore të shkaktuara nga ndryshimet klimatike janë gjithnjë e më shumë shqetësim për çdo organizator të turneut.
Kompeticioni i vitit 2019 në Japoni u godit nga një tajfun që shkaktoi anulime ndeshjesh për herë të parë ndonjëherë.
Gjatë verës, Franca ka pësuar valë të gjata të nxehti, të cilat e lanë vendin për pak kohë pa ujë. Thirrjet për më shumë veprime klimatike vazhdojnë të rriten dhe ndikimi mjedisor i ngjarjeve sportive është gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes.
Sipas një zëdhënësi të World Rugby, kjo Kupë Bote e Regbi shpreson të lërë ndikim pozitiv social dhe mjedisor. Zëdhënësi thotë se mjedisi është gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së këtij turneu, por do të jetë edhe gjatë procesit të zgjedhjes së vendit pritës në vitin 2027.
Ai pranon gjithashtu se organizata nuk mund t’i zgjidhë e vetme problemet klimatike, por “po hedh hapa të vegjël të besueshëm që do ta çojnë në rrugën e duhur.” Këta hapa kanë marrë njohje ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara dhe IOC.
Në vitin 2022, organi drejtues i regbi prezantoi strategjinë e parë për qëndrueshmërinë.
Ashtu si organizatat e tjera të mëdha sportive, ai është firmëtar i Kuadrit të Veprimit për Klimën të UNFCCC (UNFCCC Sports for Climate Action Framework) dhe po angazhohet të përgjysmojë emetimet e saj deri në vitin 2030.
World Rugby planifikon të arrijë zero emetime neto deri në vitin 2040, duke vendosur objektivin ambicioz që kompeticionet e tij kryesore – Kupa e Botës në
Regbi dhe turneu HSBC Sevens – të jenë pozitive për klimën deri në vitin 2030.
Për të arritur këto objektiva, World Rugby thotë se po përfshin qëndrueshmërinë në çdo gjë që bën dhe ka përcaktuar tre fusha kryesore të cilave do t’u japë përparësi: 1. Veprimi për klimën 2. Ekonomia qarkulluese 3. Mbrojtja e mjedisit natyror.
Organi drejtues i Regbi po nxit gjithë sindikatat e lidhura të nënshkruajnë Sports for Climate Action Framework dhe dëshiron që gjithë unionet e regbi me performancë të lartë të zhvillojnë planet e veta të qëndrueshmërisë dhe të nisin të monitorojnë dhe të raportojnë mbi progresin e arritur brenda vitit 2030.
Ndërhyrja brenda vitit 2030 mund të jetë shumë vonë, veçanërisht për disa nga industritë më të mëdha të talenteve të Rugby Union. Disa vende ishullore të Paqësorit, Tonga, Fixhi dhe Samoa mund të jenë pika të errëta në hartë për disa, por për regbin ato janë perla në një oqean të madh.
Sipas një artikulli të The Diplomat, popullsia totale e të tria vendeve është 1.5 milionë banorë, por janë burim për një të katërtën e të gjithë lojtarëve të regbi.
Në Kupën e Botës 2019, 42 lojtarë ishin nga ishujt e Paqësorit, duke përfaqësuar vende të ndryshme përveç Samoas, Tonga dhe Fixhi.
Me dyfishimin e ritmit të rritjes së nivelit të detit dhe baticat që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta me 300-900% krahasuar me 50 vite më parë, është vetëm çështje kohe që banorët e Fixhit, Samoas dhe Tongas të braktisin vendlindjen
Për meritë të tij, World Rugby po përpiqet të ndërtojë qëndrueshmëri klimatike në këto vende. Organi drejtues i regbi nuk do të dhurojë të ardhura nga turneu për të ndihmuar vendet ishullore të Paqësorit, por do të ndihmojë në ndërtimin e strukturave dhe të lehtësojë planifikimin e përshtatjes dhe zbutjes.
Ndër të tjera, gjatë Kupës së Botës, World Rugby do të prezantojë një program i përqendruar te ruajtja e këtij sporti në të ardhmen.
Në ditët e fundit, megjithatë, besueshmëria klimatike e Kupës së Botës së Regbi u godit fort. Greenpeace denoncoi komitetin organizator të Kupës së Botës së Regbi 2023 për pranimin e mbështetjes nga kompani prodhuese të karburanteve fosile, në veçanti nga sponsori zyrtar Total Energies.
Hapi fals i sponsorizimit është pjesë e një problemi më të gjerë në sektorin e sportit, që në dy dekadat e fundit është përmbytur nga sponsorizimet e kompanive të naftës, gazit dhe ato ajrore.
Pavarësisht kësaj, Kupa e Botës e Regbi premton disa përmirësime në qëndrueshmëri.
Së pari, turneu mbështetet te strukturat ekzistuese, duke reduktuar emetimet e mundshme të ndërtesave.
Ndër të tjera ka krijuar një sistem për menaxhimin e plehrave dhe po nxit qytetet pritëse të ofrojnë tre deri në katër herë më shumë mundësi transporti publik sesa mesatarisht. Kompeticioni do t’i japë përparësi mundësisë së lëvizshmërisë ekologjike, si lëvizja më këmbë, biçikletë dhe një platformë car sharing.
Duhet theksuar gjithashtu se platforma car sharing sponsorizohet nga Total Energies.
Nisma më entuziazmuese e të gjithave është marrëveshja e Kupës së Botës së Regbi me sistemin hekurudhor francez SNCF. Marrëveshja u mundëson skuadrave dhe tifozëve të udhëtojnë në gjithë vendin me trena me shpejtësi të lartë. Sipas SNCF, 17 skuadra do të udhëtojnë me tren gjatë turneut.
Zëdhënësi i World Rugby deklaroi se, sipas vlerësimeve para turneut, gjurma e karbonit total vërtitet mes 350.000 dhe 650.000 tonë CO2, ose dhjetë herë më pak se Kupa e Botës FIFA 2022 në Katar.
Emetimet e sakta do të ndryshojnë për shkak të udhëtimeve (të tifozëve dhe skuadrave) që pritet të përbëjë rreth 80-85% të emetimeve totale.
Kur kompeticioni të përfundojë, do të llogariten emetimet dhe gjurmët e karbonit total të turneut do t’i raportohen World Rugby dhe qeverisë franceze.
Çdo karbon i mbetur do të “thithet” duke përdorur skema të certifikuara të kompensimit të karbonit. Organizatorët e turneut kanë ndarë 1 milion euro për këtë qëllim, 200 mijë prej të cilave do të përdoren për udhëtimet e mediave dhe gjurmët e palëve kryesore të interesuara.
Edhe qyteti i Lionit po angazhohet në këto projekte, me shpresën për të reduktuar dëmet mjedisore të kompeticionit.
Zëdhënësi i World Rugby thotë se organizata dhe organizatorët e turneut janë në kushte shumë të mira, por mbeten të përulur dhe pranojnë se mund të bëhet më shumë për të përmirësuar qëndrueshmërinë mjedisore.
Drejtuesit e World Rugby kanë treguar mbështetjen e tyre të plotë dhe një qasje më të kujdesshme ndaj klimës. Shpresa është që me mbështetjen e organit drejtues të regbi, ky turne – dhe të gjitha kompeticionet e ardhshme të regbi – të lënë një trashëgimi pozitive mjedisore dhe të përdorin fuqinë e sportit për të frymëzuar njerëzit që të ndryshojnë sjelljet e tyre.
/ Forbes