Ministria e Financave zhvilloi të mërkurën ankandin e parë të obligacioneve 10 vjeçare për vitin 2021. Kuponi i obligacioneve rezultoi në nivelin 5.38%, pranë kuponit indikativ 5.35% që kishte dhënë Ministria e Financave.
Në ankandin e fundit të zhvilluar vitin e kaluar për këto instrumente, kuponi kishte qenë 5.22%. Megjithë një rritje të lehtë të kuponit, ankandi kofirmoi edhe njëherë interesin e lartë të tregut për të investuar në këto instrumente.
Nga 3.5 miliardë lekë që ishte vlera e obligacioneve të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave, kërkesat totale të paraqitura në ankand kaluan vlerën e 6.5 miliardë lekëve. Obligacionet 10-vjeçare janë aktualisht instrumenti më afatgjatë i borxhit që emeton qeveria shqiptare dhe ofron kthimet më të larta mes gjithë formave të investimit financiar në monedhën vendase. Interesi për këto instrumente vitet e fundit ka qenë i lartë, sidomos nga investitorë institucionalë dhe kryesisht fondet e pensioneve dhe ato të investimeve.
Normat e interesit të instrumenteve të borxhit qeveritar të emetuara në tregun primar në gjysmën e parë të muajit janar konfirmuan një tendencë të lehtë të rritjes së yield-eve. Kjo ishte e pritshme, duke pasur parasysh edhe faktin që kërkesa e qeverisë në tregun e brendshëm këtë tremujor pritet të jetë ndjeshëm më e lartë krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm.
Qeveria vendosi ta financonte deficitin e gjysmës së dytë të vitit 2020 kryesisht përmes parave të eurobondit dhe kjo e uli kërkesën për huamarrje në tregun e brendshëm financiar.
Sipas kalendarit të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar në tremujorin I 2021 do të ketë vlerën e 96.7 miliardë lekëve, në rritje me 23% krahasuar me tremujorin e fundit 2020 dhe në rritje më të lehtë me rreth 2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Buxhetit i vitit 2021 parashikon gjithsej një deficit buxhetor në vlerën e 108.7 miliardë lekëve, por më pak se gjysma e tij do të financohet përmes instrumenteve të huamarrjes së brendshme.
Financimi i brendshëm i deficitit do të jetë në vlera të përafërta me vitin 2020, por me ndryshimin që huamarrja pritet të jetë e shpërndarë në mënyrë më të ekuilibruar gjatë vitit. Përtej një korrektimi të lehtë dhe gradual në rritje, ekspertët nuk presin luhatje të mëdha të yield-eve të titujve të borxhit qeveritar gjatë muajve të ardhshëm.
Tregu financiar ngelet mjaft likuid, i mbështetur nga rritja e qëndrueshme e depozitave, por edhe politikat mbështetëse të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Sejko e ka bërë të qartë se ndikimi i pandemisë në ekonomi e bën të domosdoshëm vijimin e politikave stimuluese, përfshirë nivelin e lartë të stimulit monetar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.