Nga Elona Bedalli
Për publikun ishin ende të panjohur. Prezantimi do të duhej të ishte i kuruar, duhet të ngjallej besimi i duhur, që më vonë do të përbënte një nga shtyllat kryesore. Për këtë shërbenin ata që punojnë pas “kuintave” e që në fillim nuk ishin të shumtë. Tani pas një viti numri i tyre llogaritet në rreth 4020. Jo krejt rastësisht në krye të atij që njihet si departamenti i Burimeve Njerëzore do të zgjidhej një person që e njihte mirë fushën e që kishte grumbulluar vite eksperiencë në organizma të huaja e kompani shqiptare. Quhet Keti Luarasi dhe vjen me një formim akademik të zhvilluar si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj (Universiteti i Londrës në Mbretërinë e Bashkuar).
“Kam qenë gjithmonë një person që kam dashur të punoj me njerëzit. Që në eksperiencat e mia të para të punës e kam kryer si profesion. Deri diku mund të them se ishte edhe një zgjedhje e diktuar nga koha, pasi atëherë për Shqipërinë çështja e Burimeve Njerëzore ka qenë një sfidë në thelbin e tij dhe mua gjithnjë më pëlqejnë sfidat”, thotë znj.Luarasi.
Dhe te “PLUS” sfidat e saj do të ishin vërtetë të shumta. Do të përballej me shumë “për herë të parë”. Për herë të parë do të drejtonte burimet njerëzore në një fushë siç është telekomunikacioni, ku konkurrenca është e fortë, ku tregu është gjithnjë në zhvillim dhe ku gjithmonë duhet të flitet me gjuhën e novacionit. “Të drejtosh departamentin e Burimeve Njerëzore në sektorin e telekomunikacionit nuk është aspak e lehtë sidomos në një kompani e cila krijohet nga e para. Të duhet të merresh me çdo gjë, duke filluar nga rekrutimi i punonjësve, te ngritja e strukturës së organizatës, krijimi i procedurave e politikave të ndryshme që duhet të jenë gjithnjë në përshtatje me tipologjinë e industrisë. Është shumë interesante, pasi çdo gjë fillohet nga zero. Nuk ke diçka të gatshme, të marrë nga kompanitë mëmë. Por në fund të ditës kjo është edhe bukuria e kësaj gjëje”, thotë drejtoresha e Burimeve Njerëzore në “PLUS”.
Me një filozofi ndryshe
Për tregun shqiptar të punës, termi burime njerëzore është relativisht i ri dhe shpesh në kompanitë shqiptare, roli i tij është i kufizuar. Ajo çka është pozitive ka të bëjë me faktin se drejtuesit e kompanive e kanë kuptuar tashme se sa i rëndësishëm është dhe se si funksion ky departament.
” Duhet një mendje më e hapur për ta ngritur atë në një nivel me strategjik dhe jo thjesht mbështetës apo administrativ siç ndodh aktualisht, rëndom në kompanitë, në Shqipëri”, thotë znj.Luarasi.
Ajo që e diferencon “PLUS” nga kompanitë e tjera është filozofia
që ndjek në rekrutimin dhe menaxhimin e punonjësve. Shpenzohet shumë energji, shpenzohet kohë e mjaftueshme për të thithur
më të mirën që ofron tregu i punës.
“Për rekrutimin e stafit ne punojmë me një strategji të qartë dhe të mirë përcaktuar. Që në fillim të vitit planifikojmë se se sa do të jetë numri i pozicioneve që duhet të plotësojmë. Më pas fillojmë të punojmë ngushtësisht me menaxherët përkatës për të qartësuar se cilat do të jenë detyrat kryesore që do të kryejë punonjësi dhe kërkesat që do të duhet të ketë kandidati”, thotë znj. Luarasi. Ajo thotë se është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një analizë e detajuar edhe e stafit që është në punë për të krijuar një skuadër e cila do të jetë plotësuese dhe e adoptueshme ndaj rrethanave të ndryshme të punës.
Për të qenë një punonjës i “pazëvendësueshëm” i përzgjedhur (pa thonjza) karakteristikat varen shume nga tipologjia e punës. “Kompanitë e telekomunikacionit kërkojnë tipologji punonjësish shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, megjithatë kandidati ‘ideal´ duhet të ketë njohuri të përshtatshme, aftësi të duhura për të punuar në grup, për të qenë i përshtatshëm dhe i komunikueshëm me grupin ku ai do të bëjë pjesë” thotë Drejtoresha e Burimeve Njerëzore.
E në kohën kur gjendemi përballë një krize të gjerë financiare strategjia që ndiqet për rekrutimin është tejet e kujdesshme.
Investimi i bërë te punonjësi duhet të kthehet në produktivitetit dhe kjo vlen shumë në tepër në industrinë e telekomunikacionit që është gjithnjë nën ‘presionin´ e risive teknologjike. ” Jemi shumë të kujdesshëm si kompani dhe politika jone e rekrutimit synon që ‘PLUS´ të krijojë shanse të barabarta për të tërhequr dhe ruajtur një forcë punëtore të shkëlqyer. Ne kemi krijuar dhe po zbatojmë standarde dhe praktika të barabarta për të gjithë kandidatët. Mënyra me të cilën ne punojmë është shumë e hapur. Njoftimet për vendet vakante dhe pozicionet e reja që hapen i bëjmë të ditura nëpërmjet faqes sonë zyrtare dhe rrjeteve sociale profesionale si Linked in, duapune.com, njoftime.com e kështu me radhë”, thotë znj.Luarasi.
Po a përputhet oferta që ka sot tregu shqiptar me kërkesën?
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në “Plus” thotë se kjo ka të bëjë kryesisht me pozicionin për të cilin kërkohen punonjës për t´u rekrutuar. “Është e vështirë për ne të gjejmë ndonjëherë kandidatë të mirë për pozicione specifike. Ka raste kur tregu ofron shumë më tepër se sa është kërkesa”, thotë znj.Luarasi.
“Sekretet” e karrierës
Burimet njerëzore janë krijuar që të sigurojnë një linjë të drejtë komunikimi mes menaxherëve dhe punonjësve, por edhe për t´i mësuar ata se si duhet t´i trajtojnë. Nuk është krijuar për të fituar lavdi, por për të dhënë mbështetje. Për Keti Luarasin “armata” njerëzore është faktori kryesor në suksesin e një kompanie. Ajo nuk e preferon termin që përdoret sot rëndom “aset” për të identifikuar burimet njerëzore, pasi duket sikur e mban larg anën humane të stafit. “Mendoj se Shqipëria ka shumë punë akoma për të bërë në këtë drejtim. Burimeve Njerëzore duhet t´u jepet rol më strategjik në kompani, por edhe në vend. Personalisht mendoj se të drejtuarit me sukses të burimeve njerëzore do të thotë të kesh fokusin e një biznesmeni, të ndihesh përgjegjës për krijimin e një biznesi të suksesshëm, nënkupton krijimin e funksioneve që janë në përshtatje me industrinë, për arritjen e suksesit të biznesit nëpërmjet njerëzve. Për të qenë një udhëheqës i suksesshëm i burimeve njerëzore duhet të jesh i pajisur me integritet, me besim në vetvete, të jesh gjithnjë duke mësuar, të jesh i motivuar dhe i aftë të menaxhosh energjitë e tua”, thotë znj.Luarasi.
Nuk mjafton vetëm kaq. E rëndësishme është edhe të dish të orientosh stafin drejt një karriere të suksesshme.
“Ne jemi kompani shumë transparente dhe e hapur me stafin. Filozofia ime personale dhe ajo qe ne jemi përpjekur të ngremë në ‘PLUS´ është se duke ditur që burimet njerëzore luajnë shpesh herë rolin e urave lidhëse ndërmjet punonjësve dhe drejtuesve të kompanisë, përpiqemi të përdorim gjithë informacionin që marrim nga proceset e vlerësimit të performancës dhe diskutimet që kryejmë me stafin menaxherial për planet e zhvillimit, për t´i përkthyer në format e zhvillimit individual të karrierës së çdo individi. Zhvillimi i karrierës dhe planifikimi është i dyfishtë, si për individin ashtu edhe për kompaninë sepse planifikimi i zhvillimeve në karrierë shkon gjithmonë në përshtatje me nevojat e kompanisë. Unë e di dhe e mbaj shumë mirë parasysh se nevojat e kompanisë nuk do të arrihen në mënyrë të kënaqshme nëse ne do të neglizhonim nevojat e secilit punonjës” thotë znj.Luarasi.
Për këtë një rol të rëndësishëm luan edhe motivimi. “PLUS”, thotë drejtoresha e Burimeve Njerëzore, përpiqet gjatë gjithë kohës që të motivojë punonjësit e saj. Një punonjës i motivuar kryen punë me cilësi të lartë, është shumë i dedikuar, i përkushtuar në punë dhe mbi të gjitha qëndron në punë për një periudhë kohe më të gjatë.
“PLUS përpiqet të motivojë stafin në shumë drejtime dhe me forma nga me te ndryshmet. Ajo qe ne e shikojmë si shumë të vlefshëm janë trajnimet dhe zhvillimi i karrierës së stafit. Edhe format e motivimit monetar janë një faktor shumë domethënës e sidomos për nivelin e ekonomisë shqiptare”, thotë znj.Luarasi.
Kërkesa
Kompanitë e telekomunikacionit kërkojnë tipologji punonjësish shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, megjithatë kandidati ‘ideal´ duhet të ketë njohuritë të përshtatshmee duhura, aftësi të duhura për të punuar në grup, për të qenë i përshtatshëm dhe i komunikueshëm me grupinnë skuadrën ku ai do të bëjë pjesë
Cilësitë
Për të qenë një udhëheqës i suksesshëm i burimeve njerëzore duhet të jesh i pajisur me integritet, me besim në vetvete, të jesh gjithnjë duke mësuari përditësuar me zhvillimet e tregut të punës në vend dhe në botë, të jesh i motivuar dhe i aftë të menaxhosh energjitë e tua.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.