Në rast se një kompani në treg shkel nenin 4 ose 9 të ligjit të konkurrencës (përkatësisht marrëveshjet e ndaluara dhe abuzim me pozitën dominuese), atëhere Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes.
Ky është thelbi i ndëshkimeve kryesore të parashikuara në “Ligjin Nr. 9121, datë 28.7.2003 PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS”. Ndëshkim që mungon, në kontraditë të plotë me rezultatet e vendimit të fundit të Autoritetit të Konkurrencës “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA dhe rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, marrë në 16.01.2014, i cili konstaton qartë abuzimin me pozitë dominuese.
Ankesa
Pranë Autoritetit të Konkurrencës, në fund të muajit nëntor 2012 janë depozituar 2 ankesa, në tregun e telefonisë celulare me pakicë, përkatësisht nga ndërmarrjet “Albanian Mobile Comunication” SHA (AMC) dhe ndërmarrja “PLUS COMMUNICATION” SHA (Plus). Ankimuesit pretendojnë se ndërmarrja “VODAFONE Albania” SHA ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në treg nëpërmjet planeve tarifore (Vodafone Club dhe Vodafone Card). Gjithashtu, operatori Plus Communication ankohet për fushatën publicitare të Vodafon lidhur me bonusin për shpërndarësit e pavarur, i cili do të përfitohej nëse i jepnin përparësi reklamimit të gjithë produkteve Vodafone.
Gjetjet e hetimit: Vodafone abuzon me pozitën dominuese:
Hetimi Konkurrencës ka nisur pas ankesave të AMC dhe Plus ndaj abuzmit me pozitën dominuese të Vodafone dhe vendimit të AKEP nr.2118, datë 4.07.2012 “Për miratimin e dokumentit “Analizë e tregut celular: tregjet me shumicë të terminimit dhe akses/origjinimit dokumenti përfundimtar” , ku konstatohet se: ”…në treg shohim një fenomen anti-konkurrues që lidhet me diferencimin e theksuar të tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit nga operatorët celularë të konsoliduar në treg, pavarësisht se kostoja për thirrjet brenda rrjetit është e përafërt me koston për thirrjet jashtë rrjetit. Ky fenomen kushtëzon sjelljen e konsumatorit shqiptar, shkakton impakt negativ për konkurrencën e lirë në treg dhe kufizimin e saj për shkaqe që rrjedhin nga diskriminimi në aplikimin e thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit…..”.
Vodafone sipas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës është ndërmarrja me pjesë më të madhe tregu për vitin 2012 me 56.31% krahasuar me 51.71% në vitin 2011. Komisioni i Konkurrencës, nisur nga pjesët e tregut, pengesat e hyrjes në treg; konkurrenca potenciale; fuqia ekonomike dhe financiare e ndërmarrjeve; fuqia kundërvepruese e blerësve dhe karakteristikat e tjera të tregut, rezulton se në mbështetje të nenit 3, pika 5 dhe nenit 8 të Ligjit, por dhe nga praktika me e mirë e së drejtës europiane të konkurrencës, ndërmarrja Vodafone Albania ka pozitë dominuese tregun e telefonisë celulare me pakicë për vitet 2011-2012.
Vodafone i ka mbyllur klientët në rrjetin e vet duke zbatuar diferenca të mëdha në tarifat brenda me ato jashtë rrjetit. Sipas vendimit të Komisionit të Konkurrencës “kjo i bën telefonatat e klientëve Club drejtuar klientëve brenda rrjetit më të shtrenjta dhe “mbyt” nismën e tyre për të dalë jashtë tij, dhe duke nxitur tërheqjen nga ana e klientëve aktualë Club të të tjerëve jashtë Club-it për të shmangur daljen jashtë tij, e cila do t’i përballte me kosto të larta.
Pra, ndërmarrja Vodafone, në planin e saj tarifor Vodafone Club, i ka mbyllur pajtimtarët e saj për të komunikuar vetëm brenda këtij Plani Tarifor.
Një tjetër konkluzion i hetimit është se diferencimi i çmimeve te pakicës on-net të Vodafone drejt operatorëve të tjerë nuk kanë lidhje me çmimet e shumicës që Vodafone duhet t’u paguajë operatorëve për terminimin e thirrjeve, bazuar në rregulloren e AKEP-it. Në këto kushte mund të konsiderohet se këto diferenca në çmim janë të pajustifikueshme dhe të orientuara për të nxitur klientët që të zgjedhin dhe të qëndrojnë brenda në rrjetin e Vodafone Club.
Komisioni i Konkurrencës ka arritur në konludimin se për thirrjet jashtë rrjetit, ndërmarrja Vodafone aplikon çmime shumë të larta për thirrjet drejt operatorëve të tjerë celularë, të cilat nuk kanë lidhje me vlerën e tarifës së terminimit që ndërmarrja Vodafone do të duhet t’u paguajë këtyre operatorëve, e cila është një e ardhur për këta operatorë.
Konkurrenca shprehet se “ndërmarrja Vodafone nëpërmjet aplikimit të çmimeve të larta për thirrjet jashtë rrjetit ngre një barrierë për pajtimtarët e vet për të kryer thirrje jashtë rrjetit, e cila do të gjeneronte të ardhura për konkurrentët e Vodafone ose shpenzime për terminimin për Vodafone. Kjo ulje e të ardhurave nga terminimi duket mjaft qartë që operatorët konkurrentë të tij, gjatë periudhës së hetimit, kanë dalë përgjithësisht me rezultat negativ nga terminimi”.
Konkluzioni përfundimtar i Komisionit të Konkurrencës në pikën 108 të vendimit është se “Si konkluzion, në përfundim të analizës dhe evidencave ndërmarrja “Vodafon Albania” Sh.a. gjatë periudhës objekt hetimi kishte pozitë dominuese në tregun e telefonisë celurale me pakicë sipas kritereve të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit. Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (on-net vs off-net). Diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël të cilët mund të rezikojnë daljën nga tregu përkatës, dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirë funksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë”.
Për arsyet e përmendura më sipër, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar AKEP, të marë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizes së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën.
Në mënyrë të detajuar masat që duhet të marre enti rregullator i tregut lidhen me:
Të modifikojë modelin BULRAIC duke ulur ndjeshëm koston e terminimit për operatorët me peshë më të vogël në treg, me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës;
Të detyrojë zvogëlimin real të diferences së tarifave off-net/on-net brenda dhe jashtë paketave dhe planeve tarifore specifike për operatorët që kanë pozitë dominuese.
AKEP të marrë masa
Konkurrenca i rekomandon AKEP të realizojë analizën e tregut të pakicës në telefoninë celulare për të adresuar zgjidhjet për shqetësimet e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare me pakicë, duke ndërmarrë masa konkrete rregullatore për reduktimin e diferencimit të theksuar të tarifave për thirrjet brenda rrjetit me tarifat jashtë rrjetit të operatorit Vodafone.
Sipas Konkurrencës, në rolin e Rregullatorit, AKEP duhet të monitorojë zbatimin e angazhimit publik të Vodafone Albania për barazimin e tarifave brenda Vodafone Club dhe jashtë rrjetit të Vodafone (drejt fix, AMC, Eagle dhe Plus) dhe në veçanti, të reflektojë realisht zvogëlimin e kësaj diference jo vetëm në tarifat nominale (off-net, on-net), por edhe në njësitë e përfshira në paketat opsionale të komunikimit kombëtar (ofertat dhe paketat javore, mujore e vjetore).
Paradoki i mosgjobitjes
Ndryshe nga përmbajtja llogjike dhe organike e raportit investigativ, me prova të pakundërshtueshme për praktikat dëmtuese të konkurrencës së lirë të ndjekura nga Vodafone, Komisioni i Konkurrencës nuk ka vendosur gjobë financiare ndaj Vodafone por e ka “përkëdhelur” me disa masa rregullatore për të cilat është përgjegjës AKEP.
Më konkretisht, Autoriteti i referohet një dokumenti zyrtar të AKEP ku citohet shprehimisht “në treg shohim një fenomen anti-konkurrues që lidhet me diferencimin e theksuar të tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit nga operatorët celularë të konsoliduar në treg, pavarësisht se kostoja për thirrjet brenda rrjetit është e përafërt me koston për thirrjet jashtë rrjetit”.
Raporti investigativ i Autoritetit ka hedhur dritë me prova të qarta mbi diferencimin e tarifave brenda me jashtë rrjetit për të cilin në shumë vende evropiane dhe më gjerë kompanitë abuzuese me pozitën dominuese janë gjobitur me gjoba dhejtra e qindra miliona euro. Ja si shprehet vendimi i Komisionit….”ky diferencim në tarifim që kryen ndërmarrja Vodafone, nuk justifikohet me kostot që përballon operatori për kryerjen e këtyre thirrjeve, pasi shërbimet e origjinimit dhe terminimit janë operacione të brendshme, që janë të njëjta si për kategorinë e klientëve Vodafon Club ashtu edhe Vodafon Card”.
Komisioni i Konkurrencës në kapitullin V të vendimit kur analizon sjelljen e arrin në konkluzionin e paundërshtueshëm se “tarifa nga Club drejt Vodafone është 2.25 herë më e lartë se ajo e aplikuar në telefonatat brenda Club. Vodafone i ka mbyllur klientët në rrjetin e vet duke zbatuar diferenca të mëdha në tarifat brenda me ato jashtë rrjetit”.
Strategjia e Vodafone për të penguar konkurrencën është provuar edhe në një tjetër konkluzion të vendimit 303 ku shkruhet qartë se: “një tjetër konkluzion i hetimit është se diferencimi i çmimeve te pakicës on-net të Vodafone drejt operatorëve të tjerë nuk kanë lidhje me çmimet e shumicës që Vodafone duhet t’u paguajë operatorëve për terminimin e thirrjeve, bazuar në rregulloren e AKEP-it. Në këto kushte mund të konsiderohet se këto diferenca në çmim janë të pajustifikueshme dhe të orientuara për të nxitur klientët që të zgjedhin dhe të qëndrojnë brenda në rrjetin e Vodafone Club”.
Pra qartësisht konkluzioni përfundimtar i Komisionit të Konkurrencës në pikën 108 të vendimit shprehet nëpërmjet tre konstatimeve të pakundërshtueshme që duhet të kishin çuar në një vendim me gjobë për Vodafone është:
– “Si konkluzion, në përfundim të analizës dhe evidencave ndërmarrja “Vodafon Albania” Sh.a. gjatë periudhës objekt hetimi kishte pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë sipas kritereve të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit”.
· “Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (on-net vs off-net)”.
· “Diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël të cilët mund të rezikojnë daljen nga tregu përkatës, dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirë funksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë”.
Por megjithë këto konstatime për sjellje abuziviste me pozicionin dominant në treg janë cilësuar pa ekuivok në vendim, në një mënyrë të çuditshme dhe të pashpjeguar Komisioni i Konkurrencës në paragrafin e parafundit vendos ta mbyllë pa masë administrative(gjobë) hetimin siç parashikon ligji konkurrencës pa dhënë shpjegime të qarta për këtë “mbajtje me hatër” të shoqërisë që po shkatërron konkurrencën dhe lirinë e tregut.
“Përkëdhelja” ndaj Vodafone përfundon me disa masa rregullatore për AKEP, i cili të duhet të marë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të Analizes së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën.
Në këtë mënyrë fati i tregut dhe mosdështimit me dalje nga tregu dhe kthim në situate duopoli me vetëm dy lojtarë mbetet në dorë të AKEP i cili duhet të nxitojë në marrjen e masave për të adresuar zgjidhjet emergjente që do ta vendosnin tregun në konkurrencë të lirë dhe ku pjesët e tregut vendosen mbi bazën e meritave dhe jo të strategjive abuzuese të biznesit të kompanisë dominante.
Vodafone rrit dukshëm përqendrimin; nuk ka përmirësime të konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka matur vlerat e indeksit të përqendrimit HHI[1] për periudhën 2011-2012 i bazuar në pjeset e tregut per numrin e perdoruesve dhe te ardhurat në tregun përkatës dhe të ardhurat në tregun e telefonisë celulare
Nga të dhënat e Autoritetit vihet re një vlerë shumë e lartë e indeksit HHI, ku sipas të ardhurave të gjeneruara në tregun me pakicë është 3752, duke rënë lehtësisht krahasuar me vitin 2011 (3844) dhe për numrin përdoruesve kartave aktive është 3651, duke u rritur lehtësisht krahasuar me vitin 2011. Shkalla e përqëndrimit sipas treguesit të të ardhurave në tregun përkatës është rritur nga 2375 në 2500 për ndërmarrjen Vodafone Albania dhe sipas të ardhurave totale neto në telefoninë celulare nga 2651 në 3170, ku vetëm ky operator e tejkalon shkallën e lartë të përqëndrimit. Në këtë shkallë përqëndrimi fuqia e dy operatorëve me te rinj Eagle dhe Plus Communication është e pakonsiderueshme.
Sipas Autoritetit,vlerat e HHI për tregun me shumicë janë të njëjta me vlerat e HHI për tregun me pakicë të shërbimeve celulare si rezultat i mospjesëmarrjes së ofruesve të pavarur të shërbimeve nga MVNO, pasi rezulton të mos ketë të tilla, ndonëse me ligj mund të operohet në këtë treg. Në vendet e tjera përfshirja e MVNO, ka çuar në zbutjen e këtij indeksi.
Përgjithsisht, në tregun e telefonisë celulare HHI është më e lartë se në tregjet e tjera, pasi në këtë lloj tregu operojnë një numër i kufizuar operatorësh. Në kushtet e madhësisë së tregut shqiptar, ku operojnë 4 ndërmarrje, ky tregues duhej të ishte shumë më i ulët. Fakti që treguesi i shkallës së përqëndrimit është i lartë dhe ka pësuar një rritje të lehtë të gjatë periudhës objekt hetimi, tregon që tregu nuk ka përmirësim në treguesit e konkurrencës.
Neni 74
Masa e gjobës për shkelje të rënda
145. Komisioni vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje pjesëmarrëse që:
a) shkel nenet 4 e 9 të këtij ligji;
Nëni 9
Abuzimi me pozitën dominuese në treg
1. Ndalohet çdo abuzim me pozitën dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje, që e zotërojnë këtë pozitë në treg.
2. Mund të përbëjnë abuzim me pozitën dominuese veçanërisht:
a) vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;
b) kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;
c) zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
ç) vendosja e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
Vodafone, abuzimet, sipas nenit 9
Ndërmarrja Vodafone ka pozitë dominuese në tregun përkatës, e cila, sipas Ligjit nuk është e ndaluar, por zotërimi i pozitës dominuese i jep ndërmarrjes një detyrim të veçantë për të mos abuzuar me këtë pozitë dominuese që zotëron dhe të mos kryejë sjellje në treg që kufizojnë konkurrencën, veçanërisht nga ato të përcaktuara në nenin 9, pika 2 të Ligjit.
Prononcim zyrtar i PLUS
PLUS kërkon shpjegime për kontradiktat e këtij vendimi me përfundimet e hetimit të thelluar
Në shpalljen e vendimit pas ankesës së Nëntorit 2012 nga ana e PLUS, Autoriteti i Konkurrencës neglizhoi plotësisht gjetjet e grupit të tij të punës që kreu hetimin e thelluar, duke lënë jashtë të gjithë provat e gjetura për “abuzimin me pozitën dominuese” nga ana e Vodafone dhe duke konkluduar në “rekomandime” në vend të “urdhrave” ndaj AKEP për të vepruar, lidhur me atë që është tregu më i keqrregulluar në Europë.
Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës konfirmoi qëndrimet tona në lidhje me praktikat e ashpra antikonkurruese të Vodafone Albania në tregun celular dhe njohu pozitën e tij dominuese dhe sjelljen shqetësuese në treg, por nuk mori parasysh abuzimin, në kontradiktë të plotë me përfundimet e hetimit të thelluar.
Autoriteti i Konkurrencës deklaron qartësisht se sjellja e Vodafone Albania po pengon konkurrencën e drejtë të tregut duke vështirësuar plotësisht konkurrencën për lojtarët e vegjël, por nga ana tjetër arrin në përfundime për “rekomandime” ndaj AKEP në vend të urdhrave, shumë të nevojshëm ndaj AKEP, që ka qenë totalisht joaktiv dhe përgjegjës për rregullimin më të keq të tregut në të gjithë Europën. “Ky vendim është një maskaradë dhe hedh dyshime serioze mbi pavarësinë e Autoritetit të Konkurrencës” tha PLUS. “Si mund të neglizhosh përfundimet e hetimit tënd në këtë mënyrë?”- përfunduan këto burime. PLUS i kërkon Autoritetit të Konkurrencës të qartësojë publikisht kontradiktat e dukshme mes gjetjeve të hetimit dhe vendimit për të mos shpallur abuzimin me pozitën dominuese.
Ne mbetemi të bindur që në treg ka çështje serioze që lidhen me konkurrencën dhe përfundimet e hetimit janë prova të pakundërshtueshme për këtë. Nëse kjo situatë nuk do të adresohet urgjentisht, bëhet e prekshme frika për rikthim të situatës duopol të vitit 2007 në tregun celular shqiptar. Pengesa të ashpra i janë imponuar zhvillimit normal të tregut celular dhe tashmë është detyrimi i AKEP të ofrojë zgjidhje për lojtarët më të vegjël, për t’ju ofruar një fushë loje të drejtë dhe të ndershme dhe mbrojtje në terma afatgjatë të interesave të konsumatorëve.
AKEP duhet të veprojë shpejt, bazuar në përfundimet e Autoritetit të Konkurrencës dhe t’i japë fund menjëherë diferencimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit (on net/off net, efektit club*). AKEP duhet të prezantojë një rregullim të përshtatshëm të tregut të shumicës, si mënyra e vetme për të garantuar një nivel të drejtë të lojës në treg, sikurse është bërë në shumë vende të BE-së.
* Vodafone Albania, si një lojtar me pozitë dominuese në treg po përdor Vodafone Club, me karakteristikë diferencim të theksuar të tarifave mes thirrjeve brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, për të ndërtuar të ashtuquajturin “efekt klub”, ku konsumatorët “zihen në kurth” me kosto të larta për të dalë nga ky klub. Praktika të ngjashme të “efektit klub” janë ndaluar në tregjet celulare të Sllovenisë, Francës dhe vendeve të tjera të Europës
Reagimi i AKEP
Licenca 3G, procesi vijon në përputhje me ligjin
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i angazhuar brenda rolit dhe funksionit si organ rregullator i fushës, ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi ligjore e institucionale pretendimet e sipërmarrësit Plus Communication Sh.a., të shprehura prej disa ditësh nga ana e tyre si zyrtarisht dhe në mënyrë publike nëpërmjet mediave të shkruara dhe vizive, lidhur me administrimin nga AKEP-i të procesit për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT).
Duke iu referuar fakteve, të cilat janë lehtësisht dhe plotësisht të verifikueshme në distancë nëpërmjet akteve të publikuara nga AKEP-i në faqen elektronike ëëë.akep.al, informojmë çdo të interesuar dhe publikun e gjerë, se AKEP-i procesin e dhënies së të drejtave të përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT), e ka rinisur në muajin tetor të vitit 2013, nëpërmjet kryerjes së procedurës së këshillimit publik mbi bazën e dokumentit rregullator të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues Nr. 2370, datë 18/10/2013 “Për miratimin e dokumentit për këshillim publik “Mbi dhënien e një të drejte përdorimi në brezat e frekuencave 1900-1980 MHz dhe 2110-2170 MHz, brezi – IMT””, në zbatim të përcaktimeve ligjore të parashikuara në ligjin nr.9918, datë 19/05/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, pas ndryshimeve të tij të ndodhura me ligjin nr. 102/2012 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 466, datë 27.02.2013 “Për miratimin e Planit Kombëtar të Frekuencave”.
Aktualisht, ky proces po vijon në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore për këtë qëllim, pas miratimit me Vendimin nr. 2401, datë 26/12/2013 “Për miratimin e përfundimit të këshillimit publik “Mbi dhënien e drejtave të përdorimit në brezat e frekuencave 1900-1980 MHz, 2110 – 2170 MHz (IMT) dhe propozimin për Mnistrin për vazhdimin e procedurës për dhënien në përdorim të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT)”.
Lidhur me pretendimin për vonesë nga ana e AKEP për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT) dhe për më tepër të konsiderimit të tij si diskriminues në adresë të sipërmarrësit Plus Communication, sqarojmë se:.
– Dhënia e të drejtave të përdorimin të frekuencave në brezat që mundësojnë ofrimin e shërbimit UMTS ose të njohur ndryshe si 3G mbi bazën e ligjit nr.9918, datë 19/05/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të pandryshuar, bazuar në përfundimet e këshillimit publik të kryer në muajin tetor 2010 dhe aktet për kryerjen e procedurave të konkurrimit publik me tender të hapur ndërkombëtar, ka filluar që në muajin dhjetor 2010 me procedurën për dhënien e 1(një) të drejte përdorimi. Kjo procedurë u pasua nga 3(tre) procedura të tjera, në periudha kohore të arsyeshme, në përputhje me interesin publik dhe privat, për dhënien e autorizimeve përkatëse individuale të planifikuara dhe miratuara nga Qeveria e asaj kohe.
– Pasi 2(dy) të drejta ishin fituar, 1(një)nga sipërmarrësi Vodafone Albania dhe tjetra nga AMC, në muajin tetor 2012, procesi i dhënies së 2(dy) atorizimeve individuale të tjera, u krye duke nxjerrë në konkurrim publik me tender të hapur ndërkombëtar 2(dy) të drejta përdorimi bashkërisht. Autorizimi i tretë individual në këtë proces u fitua nga sipërmarrësi Eagle Mobile, ndërsa sipërmarrësi Plus Communication për autorizimin e katërt individual paraqiti ofertë nën vlerën minimale të përcaktuar nga Ministri i linjës në atë kohë në zbatim të kompetencave ligjore dhe për këtë arsye oferta e tij ishte e pavlefshme.
Nga faktet e cituara shprehet qartë se procedurat e zbatuara nuk kanë qenë asnjëherë të vonuara, jo transparente, por në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe politikat e Qeverisë për zhvillimin sektorial , si dhe në asnjë rast nuk kanë qenë diskriminuese ose përjashtuese për sipërmarrësin Plus Communicatin.
AKEP-i, garanton publikun dhe sipërmarrësit se do të përmbushi si deri tani, të gjitha detyrimet në mënyrë transparente, konform ligjit dhe akteve nënligjore politikbërëse që udhëheqin zhvillimin e sektorit si në brezin që mundëson ofrimin e shërbimeve 3G dhe në procesin e ardhshëm atë 4G.
[1] Indeksi Herfindahl-Hirschmann (IHH) Ky indeks mat përqendrimin e tregut duke mbledhur përqindjet e tregut në katror të të gjitha firmave të industries. Sa më i lartë të jetë IHH-ja për një treg të caktuar, aq më shumë është i përqendruar produkti i atij tregu në një numër të vogël firmash. Me fjalë më të përgjithshme, kur një IHH është më i vogël se 1 000, atëherë përqendrimi i tregut mund të konsiderohet si i ulët, kur është midis 1 000 dhe 1 800 mund të konsiderohet mesatarisht i përqendruar, ndërsa nëse është më i madh se 1 800 mund të konsiderohet si i lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.