Kur shteti “shpëton” koncesionet

29/10/2016 8:02 AM 2 komente

Nga katër kontrata, të cilat u morën përsipër nga Ministria e Financave për t’u shfuqizuar, të cilat ishin koncesione që rrisnin kostot për konsumatorin dhe pasuronin bizneset, vetëm për një prej tyre u arrit që të ulej tarifa. Kjo ishte kontrata me kompaninë e skanimit në dogana, Rapiscan. Pas dhënies së afro 8 milionë eurove biznesit të markimit të karburanteve GFI, qeveria po i “dhuron” 3 milionë euro të tjera çdo vit koncesionarit të pullave fiskale SICPA

Të gjithëve iu kujtohen deklaratat që kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, bënte në çdo mbledhje që ishte i ftuar për të raportuar te ministri Shkëlqim Cani. Braçe kërkonte shfuqizimin e kontratave monopol që qeveria e shkuar Berisha kishte lidhur me koncesionarët: pullat fiskale, markimi i karburanteve, skanimi i kontejnerëve dhe Lotaria Kombëtare. Që prej fillimit të qeverisjes, kabineti ‘Rama’ vuri në krye të axhendës rinegocimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat, nëse nuk shfuqizoheshin, minimalisht duhet të ulnin kostot për konsumatorin. Me përjashtim të Rapiscan, vendimet e marra deri tani po rritin kostot për qytetarët dhe barrën që duhet t’u paguajë këtyre bizneseve buxheti i shtetit. Një projektligj i depozituar në Parlament së fundmi mundëson futjen në fuqi të printimit të pullës së sigurisë për barnat, të cilën deri më sot e ka prodhuar Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Ky është një detyrim që shteti shqiptar duhet ta zbatonte në bazë të kontratës së vitit 2011, por me një ndryshim: tarifa që do të paguhet për pullat e ilaçeve është më e lartë se ajo e vjetra! Arsyet e shtyrjes në vite të këtij detyrimi kishin të bënin me nevojën e shumë shtresave të shoqërisë për ilaçet, shumica prej tyre e kishin të pamundur për t’i blerë. Kjo nismë bie ndesh me vetë politikën e ndjekur deri më sot nga socialistët, të cilët, që vitin e parë kur erdhën në pushtet, ulën Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për këto produkte (nga 20% në 10%).

Negociatat e humbura
Në fund të vitit 2013, Ministria e Financave kishte ngritur 4 grupe pune për të negociuar kontratat që kundërshtoi kur ishte në opozitë. E para që arriti të dilte me sukses ishte ajo me kompaninë Rapiscan. Bisedimet që zgjatën një vit e gjysmë, arritën të çonin tarifën që duhet të paguante biznesi në dogana për skanimin e kontejnerëve nga 39 euro në 22 euro. Ndërmarrjet paguajnë sot këtë shërbim për çdo deklaratë doganore që plotësojnë, edhe pse pajisja e skanimit nuk është vendosur në të gjitha pikat e doganës. Pavarësisht rishikimit që iu bë, marrëveshja me kompaninë vijon që të jetë absurde. Biznesi paguan tarifë edhe për importin apo eksportin e energjisë elektrike, kur në fakt energjia nuk ka si të “kalojë në skaner”. Një tjetër pikë paradoksale që u kuptua gjatë rrugës dhe Parlamenti e ndryshoi me një projektligj të dytë, ishte pagesa dy deri në tre herë e tarifës së skanimit për mallrat tranzit. Nëse biznesi skanonte një herë mallin që hynte në territorin shqiptar, duhet ta skanonte dhe ripaguante tarifën edhe kur produktet dilnin për të shkuar në një destinacion tjetër. Por ajo që nuk u kuptua, ishte fakti që Ministria e Financave nuk çoi për hetim në prokurori ndryshimin e pronarëve të kompanisë koncesionare të skanimit. Menjëherë pasi Parlamenti miratoi kontratën e skanimit me qeverinë e shkuar (2013), Rapiscan shiti 51% të aksioneve për një vlerë qesharake prej 7 mijë lekësh të vjetra kompanisë S2. Një paradoks që duhej zbardhur për një koncesion, fitimi i të cilit në 15 vite shkon 30 milion euro. Në ankimimin e bërë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, dëmshpërblimi që kërkohej si pasojë e humbjes së të drejtës së skanimit në Shqipëri nga ana e Rapiscan shkonte në vlerën e 300 milionë eurove.
Negociata të gjata ka pasur edhe me kompaninë Global Fluid International, një firmë ‘offshore’, e cila më pas doli e implikuar në publikimin e famshëm të Panama Papers. Për më shumë se dy vite, financat kërkuan uljen e tarifave për markimin e karburanteve dhe po ashtu i kërkuan kompanisë të sillte laboratorë të përshtatshëm për të bërë shënjimin e naftës si dhe certifikatë europiane për pajisjet që përdorte. “Certifikata ISO dhe dokumentacioni nuk ka vulën apostile dhe që nga një vëzhgim me sy të lirë duket që është një fotokopje me ngjyra dhe jo e njehsuar me origjinalin. Kjo certifikatë është e vlefshme deri më datë 02.12.2013 dhe është miratuar më datë 02.12.2012.” shprehet në një relacion grupi i punës që u angazhua për të ndryshuar këtë kontratë. Pas kontrolleve të bëra në treg, rezultoi se kompania nuk ka ndihmuar as në uljen e evazionit fiskal e as në rregullimin e cilësisë së karburanteve për konsumatorët. “Markohen vetëm me një shënjues të gjitha produktet e naftës, pavarësisht çmimit apo përdorimit. Kështu efekti i luftës kundër evazionit zvogëlohet, pasi mund të përzihen produkte me çmime të ndryshme si solar me naftë apo holluesi D2 me naftë D1, duke shmangur një pjesë të detyrimeve fiskale dhe duke ndikuar gjithashtu edhe te cilësia e karburanteve. Monitorimi nuk jep asnjë rezultat për të tilla përzierje. Asnjë kompani nuk ka mundësi të mbrohet kundrejt çdo gabimi të bërë nga GFI, pasi formulat janë sekret dhe testimi është vetëm funksion i GFI”,- thotë raporti i monitorimit.
Por pavarësisht kësaj, kompania Global Fluid International nuk ngurroi të kërkonte shënjimin e naftës bruto të Bankers Petroleum, punë nga e cila do të merrte 8 milionë euro të ardhura. Në shkurt të këtij viti, me firmën e ministrit të Financave, GFI mori këtë të drejtë, në një kohë që shpenzimet që duhet të paguajë Bankers për këtë proces do t’i mbulojë shteti shqiptar. Grupi i punës i ngritur për këtë çështje nuk ishte dakord, por nuk dihet se çfarë bëri që ky institucion më pas të ndërronte pikëpamje! “Aktualisht në bazë të kontratës koncesionare, GFI duhet të markojë edhe naftën bruto. Ka pasur hezitim dhe argument për këtë pjesë të kontratës për arsyet e mëposhtme:
– Dyshohet nevoja për markimin e naftës bruto/kontrolli i evazionit me naftën bruto;
– Nuk gjenden përvoja të vendeve të tjera për markimin e naftës bruto;
– Nuk gjenden analiza të laboratorëve të certifikuar për markimin e naftës bruto me markuesin Petromark T1;
– Dyshime mbi analizat e kryera në laboratorin e doganës dhe raporti teknik.” konkludon raporti.
Një tjetër marrëveshje për të cilën autoritetet u angazhuan ta ndryshonin ishte ajo e lotarisë kombëtare. Ecuria e këtij koncesioni nuk siguronte fitime të mëdha për vetë kompaninë, por autoriteti kontraktor, Ministria e Financave kërkoi që të rishikonte dy pika të saj: tarifa që koncesioni i lotarisë derdhte në buxhetin e shtetit dhe rritjen e moshës për lojtarët nga 18 vjeç në 21 vjeç. Asgjë nga këto dy çështje nuk ndryshoi, financat hoqën dorë nga negociatat. Sot, lotaria është shitur te një tjetër kompani, Novomatic.

2
Komente

avatar
1 Comment threads
1 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
2 Comment authors
AndreaAni Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Ani
Guest
Ani

Vleresime ministrise se Financave duke u angazhuar ne grupin e punes dhe shpreh angazhimin per te qene aktor i rendesishem ne procesin e zgjidhjes se kontratave monopol duke i shfuqizuar ato

Andrea
Guest
Andrea

Futja kot moj Ani, se MeF thjeshte po riben pazare per veten e vet (lexo: xhepat e bobave te vet)