Kursi godet eksportet

23/01/2019 2:46 PM 0 komente

Bien për herë të parë në dhjetor, por e mbyllin vitin me rritje 13.7%

 

Eksportet shënuan rënie me 1.7% në muajin dhjetor për herë të parë në 2018-n, teksa deri në nëntor ato po zgjeroheshin me ritme dyshifrore, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Rënia në muajin dhjetor erdhi si rrjedhojë e tkurrjes së eksporteve të tekstileve, me 5%, duke reflektuar efektin e zhvlerësimit të euros që në dhjetor zbriti në nivelet më të ulëta të dekadës, duke kaluar për pak ditë dhe nën 123 lekë.

Florjan Zekja, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve Fason, tha për “Monitor” se arsyeja kryesore është kursi i këmbimit. “Duke qenë se euro ka qenë shumë e nënçmuar, kemi pasur pasiguri për të ardhmen dhe kjo na ka vështirësuar lidhjen e kontratave të reja”. Ata e kanë të paqartë se si do të jetë e ardhmja, në momentin që kursi i këmbimit nuk është i stabilizuar.

Edhe më herët, eksportuesit e tekstileve e këpucëve ishin shprehur pesimistë lidhur me ecurinë e eksporteve në 2019-n, duke parashikuar rënie të tyre. Në rënie në dhjetor ishin dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 2.6% dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me gati 1%, të ndikuar nga rënia e naftës në bursa dhe moti pa reshje që ndikoi në mosshitjen e energjisë jashtë vendit, si dhe nga fakti që Bankers Petroleum ka shitur më shumë
naftë brenda vendit. Të dy këto grupe kishin udhëhequr rritjen e eksporteve për 11-mujorin.

Sipas INSTAT, ulja vjetore e eksporteve prej 1,7%, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -2,1 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje.

 

 

Rritje 13.7% për vitin

Pavarësisht rënies së dhjetorit, eksportet e mbyllën vitin 2018, me një rritje në total prej 13.7%, si rrjedhojë e performancës së mirë të muajve të mëparshëm. Në total u shitën jashtë vendit mallra e produkte me vlerë 310.4 miliardë lekë, ose rreth 2.4 miliardë euro, duke arritur në një nivel rekord dhe duke mbuluar 48.3% të importeve.

Ndikim kryesor në këtë performancë pozitive e dhanë “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, të ndjekura nga tekstilet, e më pas “Ushqime, pije, duhan”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Prodhime druri dhe letre”.

Grupi më i eksportuar vijojnë të jenë tekstilet e këpucët, që arritën në 123.7 miliardë lekë, me një zgjerim prej 5.3%. Ecuria e këtij grupi, që përbën 40% të totalit, do të kishte qenë shumë më pozitive, nëse eksportuesit nuk do të ishin përballuar me rënien e euros, që humbi 10 pikë brenda një viti.

Grupi i dytë, që këtë vit njohu rimëkëmbje, ishte ai i mineraleve e lëndëve djegëse, që arritën në 56.4 miliardë lekë, me një rritje prej 31%. Ky grup, që përbën 18% të totalit të eksporteve pati ecuri pozitive si rrjedhojë e aktivitetit pozitiv të Bankers Petroleum, eksportuesit më të madh në vend, i favorizuar nga rritja e çmimit të naftës që në nëntor arriti në bursë në 80 dollarë për fuçi. Faktori i dytë ishte viti i mbarë me reshje, çka rriti prodhimin e energjisë dhe eksporteve të tij.

Grupi i tretë është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, me një rritje prej 21% në 53.2 miliardë lekë. Ky grup, që përbën 17% të totalit të eksporteve, u favorizua nga rimëkëmbja e aktivitetit të përpunuesit të çelikut, Kurum.

Ecuri pozitive shënoi dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me rritje 19.3%, në 18 miliardë lekë, si rrjedhojë e kompanive që punojnë me fason për sistemin e kabllove elektrike për automjetet gjermane.
Në rritje të ngadalësuar, eksportet e ushqimeve, që u zgjeruan me 7.4% në 32 miliardë lekë.

 

 

Deficiti në ulje

Sipas INSTAT, në vitin 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 310 mld lekë, duke u rritur me 13,7%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 641 mld lekë, duke u rritur me 2,4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 331 mld lekë, duke u ulur me 6,3%, krahasuar me 2017.

 

Eksportet sipas vendeve

Sipas INSTAT, gjatë këtij viti, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (2,1%), Kosova (29,5%) dhe Spanja (61,2%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-32,2%) dhe Ukraina (-45,9%).

Në muajin dhjetor 2018, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me dhjetor 2017 janë: Turqia (31,8%), Kina (6,1%) dhe Greqia (12,8%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-12,9%), SHBA (-12,9%) dhe Spanja (-26,3%).

Gjatë këtij viti, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (6,7%), Kina (8,7%) dhe Greqia (4,5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-2,2%), Gjermania (-2,3%) dhe Zvicra (-23,3 %).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of