Ndërtimi i aksit rrugor Gjakovë-Shkodër duket se do të mbetet vetëm një dëshirë. Premtimin se kjo rrugë do të ndërtohet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka mbajtur. Projekti nuk është përfshirë fare në Programin Qeverisës për periudhën 2021-2025
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mandatit të parë në krye të Qeverisë kishte premtuar se do të ndërtojë aksin rrugor Gjakovë-Shkodër.
Mirëpo, në Programin e ri Qeverisës për periudhën 2021-2025 nuk është parashikuar ndërtimi i kësaj rruge.
Nuk ketë program nuk figuron askund ky projekt.
“Infrastruktura jonë duhet të jetë e plotë dhe funksionale. Ajo nuk duhet të jetë në shërbim të shteteve tjera si rrugë tranzit për të dalë në një shtet tjetër, por duhet të jetë e integruar me ekonominë tonë. Projektet infrastrukturore do të hapin rrugë të reja, jo autostrada të mbyllura, që do të na lidhin kësisoj edhe më shumë. Do ta shpëtojmë fshatin nga emigrimi dhe do ta zhvillojmë atë duke e lidhur me ekonominë nacionale. Do të ndërtojmë aksin rrugor Prizren-Tetovë dhe atë Gjakovë-Shkodër, si dhe funksionalizimin e plotë të sistemit hekurudhor brenda Kosovës”, kishte theksuar Kurti, gjatë fjalimit të tij për prioritetet qeveritare.
Sa i përket infrastrukturës, Qeveria në programin e ri zotohet se do të angazhohet për krijimin e sistemit të integruar për transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, në funksion të zhvillim ekonomik.
“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë”, thuhet në planin e Qeverisë.
Më tej, Qeveria thotë se, “vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës”.
Lexo edhe këtë: Banka Zhvillimore, Fondi Sovran, 20 zotimet kyçe të qeverisë Kurti
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar Programin Qeverisë për vitet 2021-2025, ku prioritet është menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike.
Për sa i përket zhvillimit ekonomik, programi parasheh krijimin e Fondit Sovran, shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, ridizajnimi i politikave fiskale, qëndrueshmëria e financave publike dhe formalizimi i ekonomisë.
Po ashtu, Qeveria ka paraparë edhe rritjen e pagës minimale në 250 euro si dhe ngritjen e pragut të pagës që nuk tatimohet në nivelin e kësaj page.
Me krijimin e Fondit Sovran, pritet që AKP të shuhet duke e shndërruar në një agjenci brenda Qeverisë.
Qeveria thotë se do ta krijojë Agjencinë Zhvillimore, si mekanizëm për udhëheqjen e politikave nëpërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.
Në Programin Qeverisë për vitet 2021-2025, është parapa dhe zhvillimi i industrisë, ndërmarrësisë, tregtisë, turizmit, bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.