Kurti e Osmani: Do hiqet taksa ndaj Serbisë do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë

05/02/2020 3:09 PM 0 komente

Taksa ndaj Serbisë duket se do të kthehet në reciprocitet të plotë me ardhjen e qeverisë së re në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot kanë deklaruar se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me shefen e BE-së në Kosovë, Natalia Apostollën ka përmendur edhe njëherë heqjen e masës 100 për qind si dhe reciprocitetin.

“Ne duhet ta ndërtojmë BE-në si vlerë si standard brenda vendit tonë, këtë nuk do ta bëjë BE për neve, ata mund të na ndihmojnë dhe duan të na ndihmojnë, mirëpo, bartës të proceseve, udhëheqës duhet të jemi ne vet, edhe një ditë kur të jemi anëtar të BE-së sado e largët që të duket kjo sot, ne nuk do të shkojmë që të jetojmë në BE por do ta kemi Bashkimin Evropian pjesë të jetës tonë këtu, për shkak se institucionet e shoqëria jonë është avancuar në aspektin e drejtësisë dhe ekonomisë, pra jemi qeveri që e merr përgjegjësinë që nga Kosova që i përket kontinentit evropian ta bëjë një shtet që një ditë i bashkohet BE-së”, tha Kurti para mediave.

I pari i Qeverisë tha se me shtetin serb do të kenë reciprocitet dhe për këtë janë dakorduar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë, edhe për qasje historike dhe për arsye aktuale, në konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti. Edhe LDK edhe LVV edhe zonja Osmani edhe unë mbi 60% të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë mbi parimin e reciprocitetit, besoj që edhe ata që janë në opozitë, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por, për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka thënë ai.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, ka deklaruar se është e gatshme që bashkëpunimi me shtetin e Gjermanisë të intensifikohet në aspektin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

Osmani ka folur edhe për taksën që Kosova ia ka vendosur Serbisë , duke thënë se  taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit qeverisë është prezantuar nga ana e kryeministrit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës me datën 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë që ashtu siç kemi thënë para qytetarëve, ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”, u shpreh Osmani.

Osmani deklaroi se, për ta hequr atë tarifë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën që po e bën kundër njohjeve të Kosovës.

“Për t’u larguar tarifa ashtu siç e ka thënë edhe ambasadori i SHBA-së në Berlin, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i presidentit Trump për dialog, ambasadori Grenell, ne pajtohemi plotësisht që për t’u larguar tarifa, Serbia duhet të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”, tha Osmani.

Osmani u shpreh e gatshme të punojë me të gjithë deputetët e opozitës në mënyrë që të përfshihen të gjithë në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Në fund të vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.

Kjo masë nuk është hequr edhe përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë./Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of