“Dy qeveritë tona kanë mundësi dhe potencial për të realizuar projektet, për këtë duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë barazi dhe mirëqenie ndërmjet dy vendeve”, ka thanë kryeministri Alin Kurti.
Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e kabinetit të ri qeveritar ndodhen për një vizitë njëditore në Prishtinë. Gjatë konferencës së përbashkët kryeministri i Kosovës Albin Kurti zbuloi diskutimet që u zhvilluan mes dy e vendeve. Ai tha se do punohet për krijimin e një tregu unik që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm, ndërsa deklaroi se mbledhja e radhës mes dy qeverive do të mbahet në nëntor.
Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria kanë besim të plotë tek njëra-tjera dhe bashkë kanë potencial për t’i realizuar projektet e përbashkëta që qytetarët kaq shumë i presin.
“Mandatet e dy qeverive tona të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë i kemi marrë në një kohë për plotë sfida, përballja me pandeminë COVID-19, me variantin “Delta”, rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa prej sfidave tona për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku. Përtej sfidave të dy qeveritë tona kanë mundësi dhe potencial për të realizuar projektet që tash e një kohë gjatë priten nga qytetarët e të dy vendeve. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe gjithë rajonin”.
“Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tonë. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm”. Kosova dhe Shqipëria kanë besim të plotë tek njëra-tjera”, tha Kurti.
Kurti mes tjerash bëri të ditur se në takim me Ramën kanë biseduar për të gjitha fushat e qeverisjes të mirë dhe në veçanti janë zotuar që e shohin si tejet të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin gjithandej.
“Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 e deri më tani janë mbajtur 16 të përbashkëta ndërmjet dy qeverive ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Mbledhja përbashkët në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Duhet të kemi një sekretariat koordinuas për dy vendet. Do të udhëhiqet nga Gentian Sala që ka dy pasaporta”.
Kryeministri Rama ka ripërsëritur se “Open Ballkan” është rruga jonë e përbashkët.
“Tani jam edhe më i bindur sesa që isha se Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët për të mirën tonë të përbashkët. Natyrisht se kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por është e rëndësishme se kjo është mosdakordësi në politikë. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga kjo. Themeli i dakordsisë tonë është i një natyre tjetër jo politike por kombëtare dhe vëllazërore”, tha Rama.
Ai shtoi se dashurinë për Shqipërinë nuk e ka ndarë nga dashuria për Kosovën.
Me tej Rama është pyetur nëse ka diskutuar me presidentin Aleksandar Vuçiq pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Rama theksoi se nuk ka biseduar dhe se nuk ka pasur çfarë të ndërmjetësoj pasi që sipas tij Kosova në këtë pikë ka të drejtë.
“Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiçin apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë thonë me vëllain tim Vuçiçin sepse nuk ka asnjë për të ndërmjetësuar këtu sepse këtu kemi të bëjmë me të drejtën dhe e drejta është me Kosovën. Ne jemi në krah me Kosovën siç është edhe i gjithë komuniteti ndërkombëtarë”./ Fatos Shala, Prishtinë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.