Kurti: Më 1 prill heqim taksën tërësisht, Hardinaj e quan mashtrues

27/02/2020 7:56 PM 0 komente

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars. Kurse, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh. E ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për vendimin e kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Haradinaj e quan Kurtin mashtrues, derisa thotë se ai u dorëzua para Serbisë. Në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se pas takimeve me Odat dhe Shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë dhe pas analizës, ka vendosur që nga data 15 mars të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja.
Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.
“BE ta vlerësojë lart heqjen e tarifës duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën, deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve për kalimin e barrierave ekonomike.
“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhohen nga arritja e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar dhe ekonomik instalohet pas 15 qershorit”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nga Ministria e Ekonomisë është mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjeve të CEFTA-s nga ana e Serbisë.
“Unë kam pasur një takim me zëvendëskryeministrin Hoti dhe e kam njoftuar në vija të trasha për heqjen e tarifës për lëndën e parë dhe reciprocitetin në anën tjetër”, ka thënë ai.
Kurti tutje ka shtuar se me konceptin e reciprocitetit kanë garuar dhe i kanë fituar zgjedhjet. Ai thotë se ky është princip i rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke shtuar se reciprociteti është derivat i barazisë.
Kurti ka thënë se kjo nuk është ide e re për aleatët e vendit dhe se shumicës së tyre ua ka shpalosur idenë e reciprocitetit dhe heqjen e tarifës për lëndën e parë. Ai ka shtuar se i dëgjon kërkesat e faktorëve ndërkombëtar, por se është i thirrur që të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës.
“Unë dëgjoj me vëmendje kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, jam shumë i durueshëm e shumë bashkëpunues por në fund të fundit jam kryeministër i Kosovës, jam i thirrur që të mbroj interesat e qytetarëve të Kosovës. Besnikëria ime e pakushtëzuar është e lidhur me ata qindra mijëra votues dhe para së gjithash unë i përgjigjem atyre gjithnjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Ndaj këtij veprimi ka reguar Ramush Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për vendimin e kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Haradinaj e quan Kurtin mashtrues, derisa thotë se ai u dorëzua para Serbisë.
“Sonte Albin mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë se në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.
Përderisa debatet rreth taksës në Kosovë vazhdojnë, thirrje për heqjen e këtij vendimi drejtuar qeverisë Kurti, kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 përçështje teknike dhe më pas ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje. Një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht./Fatos Shala për Monitor.al/.

Kosova heq taksën për lëndën e parë ndaj Serbisë e Bosnjës

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of