Kurti mesazh qytetarëve të Kosovës: Mos ta humbim ndeshjen në dhjetë minutat e fundit

14/05/2020 3:40 PM 0 komente

Kryeministri i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se është rritur numri i personave të infektuar në krahasim me ata që janë shëruar nga koronavirusi i ri.

 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Klinikën Infektive në QKUK.

Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj vizite ishte ofrimi i mbështetjes së tyre si qeveri në detyrë.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët respektim të masave, duke thënë se nuk duhet ta humbasim betejën me pandeminë në 10 minutat e fundit.

“Ishim këtu për të bashkëbiseduar me udhëheqësit me mjekët për sfidat që i kanë por edhe për tua dhënë mbështetjen tonë si qeveri në detyrë, në mënyrë që të mos e humbin ndeshjen në 10 min e fundit kur fitoren e kemi afër. Vetëm kur jemi bashkë fitojmë, duke respektuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se numri i rasteve me COVID-19 në dy ditët e fundit ishte brengosës.

“Ftojmë qytetarët që në mënyrë rigoroze t’i zbatojnë masat që i kemi ndërmarrë. Qytetarët i kanë 3 orë për të dalë, edhe ato nuk është mirë që ti shfrytëzojnë pa nevojë sepse duhet ta ruajmë secili veten tonë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin. Këto dy ditët e fundit kemi diçka brengosëse sepse numri i të infektuarve ka kaluar numrin e të shëruarve”.

Ai tha se lehtësimi i masave restriktive më 18 maj do të varet nga numri i të shëruarve në tri ditët e ardhshme.

Sipas tij nëse numri i të infektuarve është më i madh se i shëruarve do t’i shohin mundësitë për nevojën ose jo të lehtësimit të masave.

Kryeministri në detyrë falënderoj gjithë stafin mjekësor për punën që po bënë.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 927 raste me koronavirus; 671 persona janë shëruar dhe 29 pacientë kanë vdekur.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of