Kurti: Në Kosovë ka papunësi e çdo i 10-i fëmijë punon

21/11/2019 10:41 AM 0 komente

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kujton se sot janë mbushur 60 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 30 vjet nga Koventa për të Drejtat e Fëmijëve.

“Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës”. Këtë detyrim duhet ta respektojë edhe Kosova. Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t’ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin”, shkruan Kurti ne Facebook. 

Kurti thotë se as 5% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç në Kosovë nuk janë të përfshirë në edukimin parashkollor.

“Edukimi i fëmijëve është e drejtë Kushtetuese. Çerdhet nuk janë luks por nevojë. Ato janë e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët, pa dallim gjinie, etnie, prejardhjeje apo besimi fetar. Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm. Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!”, shkruan tutje Kurti.

Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku që vizioni i shtetit tonë demokratik e social, të drejtë e zhvillimor, të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës. 

Kurse, sot në ditën e shënimit të 30 vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF u bën thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve.

“Në qershor të këtij viti, Kosova për herë të parë ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj do të hy në fuqi një vit pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

KOMF rithekson që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë. Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët. /Monitor.al/. 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of