Kurti: Papunësia mbetet sfidë për Kosovën

01/05/2020 11:25 AM 0 komente

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në Ditën e Punëtorëve, ka thënë se 1 maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se papunësia është sfida jonë e madhe.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se papunësia është sfida më e madhe në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës.

“Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë”, ka shkruar ai.

Por, Kurti thotë se as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve.

Sipas tij, puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim.

“Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore. Kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë. Kurse kjo pandemi e ka kthjelltësuar këtë domosdoshmëri. Pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Pa të, ai as nuk krijohet e as nuk na shpëton nga sëmundja. Duke e ditur se pasuria krijohet kolektivisht nga ju, por akumulohet individualisht nga pronarët, rishpërndarja bëhet e nevojshme”, ka shkruar ai.

Ai thotë se drejtësia sociale që e mban bashkë popullsinë.

Pa të, sipas tij, mundësitë e barabarta nga stadi i pabarabartë riprodhojnë pabarazi.

E këtë drejtësi, thotë Kurti, nuk e shtyn askush më shumë sesa një Qeveri socialdemokrate.

Kurti thotë se pe Pakon Fiskale Emergjente Qeveria është siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria.

“Dhe, kjo të vlejë edhe për ata punëtorë në ekonominë joformale, por me kushtin që punëdhënësi t’ua sigurojë një kontratë njëvjeçare. Ndërsa për punëtorët që e humbin punën, kemi siguruar një asistencë të përkohshme deri në një zgjidhje më afatgjatë. Pikërisht Pakoja e dytë, ajo për Rimëkëmbje Ekonomike, do të përfshijë një skemë kombëtare të punësimit.

Si aktivist kam qenë gjithnjë pranë jush. Si Kryeministër në detyrë jam pranë jush. Në mbështetje të organizmit sindikal e të respektimit të Ligjit të Punës si mënyra e forma për avancimin e të drejtave tuaja. Duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat institucionalë për ta rritur punësimin, sigurinë e të drejtat në punë”, ka shkruar ai.

Kurti thotë se “për aq sa shoqëria organizohet rreth ekonomisë e për mirëqenie, përpjekja do të vazhdojë. Për aq sa vazhdon përpjekja, do të jem krah jush. Për punë, të drejta, e dinjitet”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of