Menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë u theksuan si sfidat kryesore nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti. Gjatë mbledhjes ceremoniale të kabinetit të ri qeverisës, Kurti tha se duhet të ulen rastet me koronavirus e të eliminohen vdekjet.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë ka thënë se pret që shumë shpejt në tavolinën e tij të jetë plani për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe plani për rimëkëmbjen ekonomike.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se do të punojnë si ekip dhe rezultati do të varet nga secili prej ministrave.
Ai në mbledhjen ceremoniale tha se në vend ende ka krizë shëndetësore dhe duhet vepruar me urgjencë në mënyrë që të ulet numri i rasteve dhe vdekjeve nga coronavirusi.
“Sfidat janë të mëdha. Përtej veprimeve urgjente nevojitet edhe menaxhimi i pandemisë. Duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por dhe të ndalim recensionin ekonomik, duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojnë vendet e punës dhe prodhimin …. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent si plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike. Ju takon juve që problemet brenda ministrisë t’i ktheni në projekte dhe zgjidhje… Qytetarët presin punë dhe angazhim dhe përfaqësim të dinjitetshëm. Është koha të dëshmoni para qytetarëve që në pozitat që jemi vendosur jemi meritor”, tha kryeministri.
Ai tha se shumë shpejt do të marrin vendimet e nevojshme për vendin.
Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë të Kosovës tha se duhet të veprohet shpejtë që të ndalen humbjet financiare të kompanive publike.
Kurti para kabinetit qeveritar deklaroi se duhet të ketë auditim në këto ndërmarrje publike.
“Përtej veprimeve urgjente për menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejtë që t’i ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike, por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimit”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se këto ndërmarrje duhet të janë mbështetëse të ekonomisë.
“Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët, duhet të veprojmë shpejtë në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë, vullnetin dhe vizionin që ta kthejnë ndërmarrjen publike si mbështetëse të ekonomisë”, ka përfunduar ai.
Kuvendi i Kosovës me 67 vota për dhe 30 kundër ka zgjedhur Albin Kurtin për ta udhëhequr kabinetin e ri qeveritar.
Kurti në menaxhim pritet t’i ketë 3 zëvendëskryeministra dhe 15 ministra.
Edhe gjatë paraqitjes së ekspozesë para Kuvendit të Kosovës, Kurti vlerësoi se pandemia mbetet sfida kryesore. Ai ka thënë se synon të sigurojë vaksina kundër koronavirusit për të imunizuar 60 për qind të popullatës.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.
Qeveria e kaluar ka thënë se Kosova do të pranojë kontingjentin e parë të vaksinave të AstraZenecas në muajin mars. Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave, që Kosova pret t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Më 20 dhe 21 mars, në Kukës të Shqipërisë nisi vaksinimi me AstraZeneca, i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës. Tirana zyrtare ka premtuar se do të vaksinojë rreth 500 mantelbardhë nga Kosova.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.