Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se së shpejti Kosova do ta heqë taksën ndaj Serbisë. Kurti ka thënë sot se në vend të taksës do të vendoset masa e reciprocitetit. Kurse, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit nuk janë e njëjta gjë. Masa e reciprocitetit e propozuar nga Albin Kurti po kundërshtohet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Serbia ka humbur rreth 461 milionë euro në vlerë të mallrave në 14 muaj nga vendosja e taksës nga Kosova.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe ditën e sotme e ka nisur duke folur për taksën ndaj Serbisë. Ai e ka bërë të ditur edhe njëherë se në vend të taksës do të vendoset masa e reciprocitetit.
Duke folur në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, Kurti ka thënë se taksa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar, mirëpo se reciprociteti do të ndërmerret si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.
“Do ta zëvendësojmë tarifën me reciprocitet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne jemi për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Parimet të reciprocitetit që do ta nxjerrim nga Qeveria do të jenë të bazuara në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe të CEFTA-s”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se edhe ministrja Rozeta Hajdari ka ndërmarrë disa hapa për heqjen e taksës, duke formuar kështu grupin punues i cili do të përmbledhë të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, nga ku më pas do të merret vendimi për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit.
“Ministrja Hajdari ka bërë disa hapa për heqjen e taksës. Rozeta ka marrë vendim për krijimin e grupit punues që do të mbledhë të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, dhe pastaj do të marrim vendim për heqjen e tarifës. Ne jemi shtet sovran, dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.
Kurse, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit nuk janë e njëjta gjë.
Sipas tij, Serbisë nuk duhet t`i ofrohet treg ekonomik pa njohur më parë Kosovën.
“I kam kërkuar publikisht Kurtit të mos e heqë taksën. Por ai ka hyrë pa analizë të thellë për heqjen e taksës me reciprocitetin. Është e pakuptimtë ti kthesh fuqinë ekonomike Serbisë nëse nuk të njeh. I kam bërë thirrje publike Kurtit për këtë”.
Më tej, ai tregoi se është faji i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që ambasadori Grenell kërkon heqjen e taksës.
Sipas Haradinajt, Kurti dhe Osmani kanë deklaruar më herët se do e heqin taksën, ndaj ambasadori Grenell e kërkon atë tashmë.
“E dini pse bën thirrje për heqjen e taksës ambasadori Grenell?! E kanë ofertuar gabim këto. E kanë gjetur të lëkundur Kurtin dhe Osmanin, pasi vetë kanë thënë se do heqin taksën. Ne në këto ujëra politike jetojmë. Nëse këto nuk do kishin thënë se do heqim taksës, Grenell do kërkonte mbylljen e procesit”.
Serbia ka humbur rreth 461 milionë euro
Serbia ka humbur rreth 461 milionë euro në vlerë të mallrave në 14 muaj nga vendosja e taksës nga Kosova.
Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq ka deklaruar se dëmet për Serbinë, nga vendosja e taksës nga Kosova, 14 muaj më parë, kanë arritur shifrën prej 461 milionë euro duke shtuar se në Kosovë në bazë ditore hyjnë mallra me 1 milion euro më pak vlerë.
Ljajiq ka thënë se pasojat se vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe e kanë shfrytëzuar shtete të tjera të rajonit që në Kosovë kanë plasuar mallin e tyre duke e shtuar prodhimin.
Ai ka theksuar se do të jetë e vështirë nëse Prishtina heq taksën dhe vazhdon me disa masa të tjera, të ashtuquajtura si reciprocitet dhe që në fatura të shkruhet Republika e Kosovës sepse sipas tij do të ketë prodhues që nuk do të pranojnë ta nënshkruajnë si të tillë mallin e tyre dhe “vështirë se pikat tona kufitare do të lejojnë daljen e një malli të tillë nga Serbia”.
Ljajiq ka thënë se Serbia është e gatshme për heqjen e të gjitha barrierave dhe kërkon tregti të lirë duke lavdëruar marrëveshjet për trafikun hekurudhor dhe ajror por insistoi se rreth heqjes së taksës nuk është duke u shënuar përparim.
https://www.monitor.al/takses-100-per-qind-po-i-vjen-fundi-reciprociteti-me-serbine-ceshtje-ditesh/
Masa e reciprocitetit e propozuar nga Albin Kurti po kundërshtohet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po kërkojnë që Kosova mos të vendosë masë të re ndaj Serbisë, në atë mënyrë që t’i hapë rrugë rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kujtojmë se në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.
Përderisa debatet rreth taksës në Kosovë vazhdojnë, thirrje për heqjen e këtij vendimi drejtuar qeverisë Kurti, kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian./Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.