Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Telekomi duhet që të kthehet në gjenerues të mirëqenie. Ai më tej ka shtuar se kjo ndërmarrje do të kthehet në binar të zhvillimit siç ka qenë vite më parë dhe se do të jetë lider në vend.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Qeveria është e interesuar që Telekomin e Kosovës ta nxjerrë nga kriza dhe ta vendosë në binarët e duhur.
Kurti tha se Telekomi ka nisur të rimëkëmbet “pas çlirimit”, derisa shtoi se gjatë vitit 2021 ka pasur mbështetje financiare ky institucion.
“Unë erdh sot që t’i përgëzojë dhe t’i falënderojë Bordin, menaxhmentin dhe punëtorët për punën dhe angazhimin që e kanë bërë gjatë vitit 2021, sepse shumë prej punëtorëve këtu e kanë rimëkëmbur Telekomin e Kosovës pas limimit. Për disa vjet me qindra miliona euro ka derdhur Telekomi në buxhet. Ne jemi të interesuar që Telekomin ta bëjmë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë. Jemi të interesuar që bashkë ta nxjerrim Telekomin nga kriza dhe ta vendosim në binarët e zhvillimit”.
Ai ka thënë se është Qeveria e parë që po e ndihmo Telekomin dhe nuk po merr dividendën.
“Në tetor të vitit të kaluar Qeveria ka ndarë 40 milionë euro për financimet në dy ndërmarrjet publike, Trepça dhe Telekomi i Kosovës. E falënderoj kryeshefen Burbuqe Hana, që punon pa orar, vetëm e vetëm që Telekomi të rikthehet ku e ka vendin, epiqendër e telekomunikacionit të Kosovës”, theksoi ai.
Tutje, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ndërmarrjet publike kanë pasur përmirësime gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë Telekomin. Ajo ka përmendur disa të arritura të kësaj ndërmarrjeje, që i ka konsideruar si sfidë të madhe për shkak të gjendje në të cilën ishte Telekomi.
“Gjatë këtij viti, ndërmarrjet publike kanë pasur përmirësime. Ashtu edhe Telekomi, që ka pasur ngritje të përformancës, ka bërë ndërprerjen e kontratave të dëmshme të cilat janë bërë në të kaluarën dhe kanë punuar në një proces të ristrukturimit, ku e kanë përkrahjen tonë. Kjo veç ka filluar të sjellë rezultatet e pare në racionalizimin e pagave dhe të pozitave të punës, të cilat i kanë kushtuar Telekomit goxha shumë në të kaluare. Synimi është të shohim nga e ardhmja. Në 8 muajt e fundit, situata është përmirësuar dukshëm. Tani të shohim nga e ardhmja për investime, për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Një tjetër e arritur e Telekomit gjatë vitit të kaluar është implementimi i marrëveshjes së roamingut me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë një sfidë”, ka thënë Rizvanolli.
Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se duan ta kthejnë Telekomin si kontribuues të buxhetit, por për të arritur aty, sipas tij, duhet edhe pak shtytje.
“Gjendja në të cilën e kemi gjetur Telekomin, nuk ka qenë e mirë sidomos gjendja financiare. Është abuzuar në të kaluarën me këtë ndërmarrje. Tani e tutje ka një tjetër drejtim. Duam ta kthejmë Telekomin si kontribuues të buxhetit, por për të arritur aty, na duhet edhe një shtyrje, një investim”, u shpreh ai.
Në tetor të vitit të kaluar Qeveria ka ndarë 40 milionë euro për financimet në dy ndërmarrjet publike, përkatësisht në Trepçë dhe Telekom të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.