Personat që do të hyjnë në Kosovë nga vendet me rrezik të lartë të infektimit, do të jenë të obliguar të kenë testin PCR për COVID-19, ose do të detyrohen të vetizolohen për 7 deri në 14 ditë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se kanë vendosur masën për të gjitha shtetasit e atyre vendeve që janë potencial i shpërndarjes së infeksionit se nuk mund të hyjnë në Kosovë pa testin PCR ose edhe nëse hyjnë do të shkojnë në izolim për 7 deri në 14 ditë.
Ministri Zemaj këtë njoftim e bëri në një konferencë për media.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Shëndetësisë kemi vendosur masën se të gjitha shtetet të cilat janë potencial i shpërndarjes së infeksionit nuk munden të hyjnë shtetasit e tyre në Kosovë pa qenë të pajisur me testin PCR dhe nëse hyjnë duhet të shkojnë në vet izolim për 7 deri 14 ditë, sipas nevojë dhe vlerësimit”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe për situatën me pandeminë në vend duke thënë se pavarësisht rënies së numrit të të infektuarve dhe vdekjeve nga COVID-19 nuk duhet të anashkalohen masat për mbrojtje.
“Jemi në një situatë të mirë dhe stabile, por nuk do të thotë që ky lehtësim duhet të kalojë në anashkalim të masave dhe mbikëqyrje të zbatimit të masave. Kjo kohë dhe presioni që ishte i tepërt tash po na jep mundësi që të përgatitemi në infrastrukturë dhe kapacitetet humane, por mbi të gjitha përgatitja për testime dhe barëra”.
Ndryshe, Kosova në javët e fundit ka pasur rënie të të infektuarve me COVID-19.
Aktualisht, numri total i rasteve pozitive është 15.814 raste nga 70.219 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 630 raste të vdekjes.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.856 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.328.
Zemaj ka folur edhe për hapjen e kufirit me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se “në mbledhjen e qeverisë së tyre nesër, do largohet kushtëzimi i testit PCR”.
Në një konferencë për media, ai tha se situata me pandeminë është stabile, por shton se lirimi i masave nuk duhet të kalojë në anashkalim të masave në fuqi.
Ai ka njoftuar se 1500 specializantë do t’i bashkohen institucioneve shëndetësore në vend.
Në një konferencë për media bashkë me Bordin për Shkollim Specialistik, Zemaj deklaroi se me krijimin e kësaj hapësire për specializantët po tregohet përkushtim për ruajtjen e dinjitetit të mjekëve të rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.