Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidaturat për pozicionin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Kandidatët që kishin dorëzuar dokumentacionin dhe ishin të ftuar në mbledhjen e sotme ishin z. Julian Naqellari, znj. Sonila Rreshka, z. Endrit Bushati, z. Pajtim Melani, znj. Onorita Jata dhe z. Olsi Çoku.
Komisioni përjashtoi nga gara vetëm znj. Jata për mosplotësim kriteresh ndërkohë që pati diskutime për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kriterin e 7 viteve eksperiencë nga të cilat 5 në tregjet bankare dhe financiare dhe se duhet që tregjet financiare duhet të mbikëqyren nga drejtues profesionistë ekonomistë me eksperiencë.
Kandidati i parë z. Naqellari u shpreh me rezerva për ligjin e ri që rregullon veprimtarinë e kriptomonedhave duke i cilësuar me risk të lartë dhe se ishte skeptik për zhvillimin e tyre. Nga ana e saj znj. Sonila Rreshka relatoi se AMF duhet të bëjë me shumë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të MoneyVal për pastrimin e parave por kryetarja e Komisionit znj. Milva Ekonomi u shpreh se duhet të ishte më e përditësuar pasi tashmë Kuvendi e ka miratuar paketën ligjore sipas rekomandimeve.
Ish-kryetari i Bordit z. Pajtim Melani u shpreh se paketa e miratuar e tre ligjeve financiare të miratuara së fundi duhet parë jo vetëm në funksion të zhvillimit të tregjeve financiare dhe mbrojtjes së investitorëve por edhe në harmonizimin mes tregjeve nën mbikëqyrje dhe zhvillimin e teknologjive të reja blockchain në sigurime, tregje financiare por edhe në ndërveprimin me regjistrat e hipotekave/pronave, karteleve të shëndetit publik, kontratave të shërbimeve utilitare, ujësjellës, energji, komunikime elektronike dhe postare etj. Melani u shpreh për tregtimin në Bursë të obligacioneve private(letrat tregtare), emetimin e obligacioneve bashkiake, më tej të atyre qeveritare dhe listimin e aksioneve të shoqërive me kapital shtetëror dhe shoqërive anonime me kapital private. Gjithashtu u shpreh se AMF do të përqëndrohet në zhvilimin e pensioneve private dhe propozimin pa vonesë pligjit Bonus-Malus për sigurimin e detyrueshëm motorrik.
Kandidati z. Çoku u shpreh se ka eksperiencë të gjatë si këshilltar ligjor sidomos në fushën e gazit natyror dhe këmbënguli sërish në përmirësimin e rregulloreve të AMF-së sipas eksperiencës britanike ku më shumë rëndësi ka cilësia sesa sasia. Kyetarja e Komisionit u shpreh se intereson më shumë idetë për tregun shqiptar të shërbimeve financiare që mbetet shumë lart atij britanik ndërkohë që kandidati Çoku u shpreh se duhet më shumë punë që të mbrohen konsumatorët.
Z.Endrit Bushati e vuri theksin se përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rregullator për të rritur shkallen e përafrimit të legiislacionit me BE. Ai shtoi se duhet rritur efikasiteti i mbikqqyrjes financiare për tregjet. Bushati tha se tregu i kapitaleve e fondeve te investimeve dhe pensioneve private është në fazat e para, po duhet ti jepet prioritet për zhvillim.
Kryetari i Bordit është pozicioni më i rëndësishëm në institucionet mbikëqyrëse dhe rregullatore të tregjeve financiare dhe së bashku me Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës formësojnë Grupin Këshilimor të Stabilitetit Financiar. Kryetari Bordit eshte jo-ezekutiv dhe sipas nenit 15 të ligjit “Për AMF” drejton mbledhjen e Bordit, urdhëron ngritjen e komiteteve të kontrollit, objektin e punës, si dhe afatet për shqyrtimin e çështjes, i propozon Bordit ngritjen e komiteteve këshillimore, me qëllim hartimin e politikave për mbarëvajtjen e punës së Autoriteti dhe merr kompetenca të tjera, të akorduara me vendimmarrje të Bordit.
Në fund të mbledhjes Komisioni Ekonomisë vendosi që të pesë kandidaturat t’i propozohen seancës së Kuvendit për votim. Aktualisht Bordi i AMF-së është me vetëm 3 nga 5 antarë, në mungesë të kryetarit pas kalimit të z. Mete si drejtor i përgjithshëm dhe zv.drejtorit ekzekutiv, vakant prej vitesh në këtë institucion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.