Gjatë ditës së nesërme do të ketë protesta në Kosovë. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve (BSPK) ka vendosur të protestojë të mërkurën në Prishtinë, duke kërkuar kushte më të mira për punëtorët në vendet e tyre të punës. Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën 24 punëtorë në vendet e tyre të punës.
Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar që shumë punëtorë të humbin jetën në vendet e tyre të punës.
Rasti i fundit që ka ndodhur është ai i javës së kaluar ku Visar Behrami, 27-vjeçari nga Mitrovica, ka gjetur vdekjen si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tij të punës.
E në kërkim të kushteve më të mira për punëtorët, nesër do të protestohet në Prishtinë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve ka treguar se në protestën e së mërkurës do të dalin me disa kërkesa për institucionet kompetente në vend.
“Do të jetë protestë simbolike, ku do të dalin federatat me aktivistët sindikalë. Kërkesat tona janë: kushtet sociale, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, paga minimale, siguria në punë dhe shëndeti e skemat pensionale”.
Më 1 maj do të protestojnë edhe punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK).
“Punëtorët e KEK-ut janë pjesë e konsiderueshme që nuk e shijojnë pensionin pikërisht për arsye se nga rrezikshmëria në vendet e punës, si gazrat helmuese, pluhuri, djegia e thëngjillit e dridhjet permanente që shkaktojnë pajisjet e punës në KEK, marrin sëmundje të ndryshme e që janë profesionale dhe në Kosovë nuk vlerësohen si të tilla. Punëtorët e KEK-ut çdo ditë e kanë sfiduese dhe me rrezik për arsye të natyrës së punës që është aty. Në do të kërkojmë edhe më shumë siguri në punë dhe përpikëri me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri në Punë. Të krijohen të gjitha kushtet e mundshme që të jetë rreziku më i vogël në punë”.
Ditë më parë për kushtet e renda të punëtorëve dhe vdekjet e tyre ne vendin e punës, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ), duke thënë se në Kosovë, punëtorëve nuk u sigurohen as kushtet për punë, nuk kanë kontrata pune e as sigurime shëndetësore.
“Realisht, sot në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 për qind të rasteve e pësojnë punëtorët në 1 për qind të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për të vazhduar “vallen e vdekjes” të atyre që për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në reagim.
“Kosova në përgjithësi kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve”.
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.