Gjykata Kushtetuese ka ardhur në përfundim që dekreti i presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese në pikën 33 të këtij aktgjykimi ka konkluduar se nëse partia fituese do të kishte të drejtën e afatit të pakufizuar kohor për propozimin e mandatarit dhe të drejtën që të refuzohej mandati për kryeministër vetëm shprehimisht, atëherë formimi i qeverisë do të bllokohej në pafundësi.
Gjykata Kushtetuese sot ka marrë vendim lidhur me çështjen e mandatarit Hoti, duke i dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë.
Kushtetuesja ka konstatuar se votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re.
“Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk, rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafinm (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”, thuhet në vendimin e GjK-së.
Sipas Kushtetueses, përkitazi me mundësinë refuzimit të marrjes së mandatit, Gjykata rikujton që në Aktgjykimin KO103/14, ajo kishte konstatuar se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.
Më tej theksohet se “përkundër faktit që nuk ishte çështje në rastin para Gjykatës në vitin 2014, ajo e kishte parashikuar mundësinë e refuzimit, pikërisht për të pamundësuar bllokimin e mundshëm të themelimit të Qeverisë në të ardhmen”.
“Ky Aktgjykim, megjithatë nuk kishte saktësuar mënyrën në të cilën mund të bëhet refuzimi i mandatit përkatës. Prandaj, pretendimi i parashtruesve se “Gjykata ka thënë se Presidenti mund të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve, vetëm nëse ky heq dorë shprehimisht nga e drejta e tij por në asnjë rrethanë tjetër”, nuk është i saktë. Kjo sepse, edhe autorizimi për partinë politike fituese që refuzimin e marrjes së mandatit ta bëj vetëm shprehimisht, pra mundësia të mos propozoj një emër për mandatar dhe në të njëjtën kohë të mos e refuzoj këtë të drejtë shprehimisht, do ta mveshte partinë politike fituese me të drejtën për të bllokuar procesin e caktimit të mandatarit nga Presidenti”, thuhet ndër të tjera në pikën 30 të vendimit.
Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoiAvdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.
Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.
Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të Thaçit për qeverinë e re deri më 29 maj.
Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.
LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti insiston në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit dhe LDK-ja shprehet se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, por të qeveriste nga një ekzekutiv i ri, me fuqi të plota kushtetuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.