Ligji i hidrokarbureve, Gjiknuri : Disiplinohet tregu

10/07/2014 11:20 AM 0 komente

E PERDITESUAR / Në seancën e Kuvendit u diskutuan amendimet në ligjin për hidrokarburet (“Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” të ndryshuar”).
Damian Gjiknuri e ka mbrojtur këtë projektligj, duke theksuar se prej kohësh hidrokarburet ishin jashtë monitorimit.
“Me ndryshimet që ndodhën vite më parë, sidomos ndryshimet e bëra në vitin 2006, mbase me dëshirën e mirë për liberalizimin, shpërtheu fenomeni negativ i ndërtimit si kërpudha të impianteve ilegale, apo impianteve të pa monitoruara, që filluan të përpunojnë naftën bruto dhe ta hedhin në treg atë si një produkt që duhej të përdorej nga konsumatorët.
Fatkeqësisht, kjo sillte një aktivitet jashtë kontrollit të shtetit, një ndotje të vazhdueshme. Mjafton të shikoni zonën e Qarkut të Fierit, shumë njerëz janë dëshmitarë, e kanë parë mënyrën se si janë ngritur si kërpudha këto lloj impiantesh që lulëzuan në këto vite. Realisht, me këtë ligj i jepet fund këtij procesi. Të gjitha këto impiante do të futen në një kontroll të plotë shtetëror. Do të standardizohen, do të certifikohen për nënproduktet të cilat kanë të drejtë të prodhojnë dhe të shesin. Të mos marrin më naftë bruto, siç e merrnin në mënyra të ndryshme dhe e hidhnin prapë në treg duke dëmtuar mjedisin dhe duke qenë një rrezik edhe për jetën e qytetarëve. Rivendosja e detyrimit për licencim do të mund të ndikojë drejtpërdrejtë në disiplinimin e këtij aktiviteti. Për të mirën e punës dhe për t’ju ardhur në ndihmë këtyre subjekteve, ju kemi lënë edhe kohën e mjaftueshme që derisa të dalin aktet nënligjore, dhe tre muaj pas miratimit të tyre nga ana e Këshillit të Ministrave, të kenë mundësi të përgatiten dhe të aplikojnë siç duhet, pranë autoriteteve shtetërore në mënyrë që të marrin licencat e duhura. Them kjo është një masë e duhur, është një masë që e kanë të gjithë vendet dhe nuk mund të lejojmë më një aktivitet të tillë, që ishte burimi kryesor si për vjedhjen e naftës bruto, ashtu edhe për hedhjen e nën produkteve të tjera jashtë standardeve në tregun e hidrokarbureve.
Në projektligj, propozohet përfshirja e disa rasteve të reja të kundërvajtjeve administrative, si dhe rritja e masave të gjobave aktuale me qëllim që tu përshtaten kushteve aktuale të ekonomisë, por njëkohësisht ashpërsimi i tyre, do të realizojë edhe një prej funksioneve që ka dënimi administrativ, që ka të bëjë me parandalimin e këtyre fenomeneve.
Nisur nga eksperienca e deritanishme, janë konstatuar raste kur treguesit cilësorë të karburanteve janë prishur si rezultat i përzierjes së tyre me produkte të huaja, duke cenuar drejtpërdrejtë mjedisin dhe konsumatorët. Këto raste kategorizohen si praktika falsifikuese dhe duke u përfshirë si detyrime të veçanta për subjektet, krijohet edhe mundësia që shkelja nga subjektet e këtij detyrimi, të kategorizohet si kundërvajtje e veçantë, duke aplikuar një masë gjobë shumë të ashpër prej 10 milionë lekë (të reja)”, tha ministri Gjiknuri.

Vendimet e reja që do të hyjnë në fuqi në fillim të vitit që vjen parashikojnë një rritje të masës së gjobës të vendosur nga IQT deri në 8 herë më shumë, rregulla më strikte përsa I përket tregtimit të gazit në vend si edhe rregullimin e funksionimit të mbrojtjes së konsumatorëve shqiptarë. Kontrollet e kryera nga IQT në të gjitha subjektet tregtare që operojnë në vend dhe që importojnë produkte dhe nënprodukte të naftës do të përballohen nga vetë këto kompani, madje edhe në rastet kur do të konstatohen shkelje të rënda dhe do të ketë heqje të licencës.
Gjoba minimale do të jetë 100 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale do të jetë në vlerën e 20 milionë lekëve. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe rishikimin e kushteve të licencës për të gjitha rafineritë në vend, të vogla apo të mëdha. Në total janë konstatuar 15 subjekte të tilla në vend dhe asnjë prej tyre nuk përmbush kushtet e kontratës si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo mjedisore për kryerjen e aktivitetit të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Një situatë kaotike, që ka shkaktuar dëme të mëdha për konsumatorët shqiptarë me cilësinë e karburanteve që ata marrin për automjetet e tyre. Nga viti që vjen, pritet që e vetmja rafineri për përpunimin e naftës të jetë ajo e Ballshit, ndërsa gjithë subjektet e tjera të bllokohen dhe t’u hiqet licenca.
Sipas Gjiknurit projektligji fut nën kontroll të plotë edhe përdoruesit industrial të cilët përdornin nënproduktet e naftës, shpesh të falsifikuara dhe jashtë standardeve, duke qenë një ndotës të vazhdueshëm të mjedisit. Këtu bëhet fjalë për fabrikat e mëdha të çimentos apo të gjitha impianteve të tjera industriale, të cilat i përdorin këto lloj nënproduktesh.
Gjithashtu, i jepet mundësia Inspektoratit, tashmë të organizuar dhe të fuqizuar, që t’i monitorojë këto procese. Rritet kontrolli i cilësisë për këto lloj produktesh, duke parashikuar që shoqëritë e tregtimit me shumicë, të shoqërojnë çdo produkt me certifikatë cilësie dhe mostër përfaqësuese të sekretuar, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore. Çfarë siguron kjo?! Kjo siguron edhe atë shqetësimin që kanë të gjitha subjektet hidrokarbure që shpesh kanë pasur ankesa për transparencën në Inspektorat.

Ministri tha se : “Ky treg është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe këto nuk janë masat e vetme, por ishin masa të nevojshme për të shmangur problemet më të mëdha që ishin ngritur shpesh nga konsumatorët, nga industria, por mbi të gjitha edhe nga institucionet ndërkombëtare, për mos respektimin e standardeve mjedisore nga ana e Republikës së Shqipërisë”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of