U diskutua të enjten pasdite në kuvend buxheti faktik i vitit të kaluar dhe njëkohësisht dhe ecuria e ekonomisë gjatë këtij viti, ku nuk kanë munguar debatet mes pozitës dhe opozitës me akuza e kundër akuza.
Për ministrin e financave Ridvan Bode, buxheti i vitit të kaluar mund të konsiderohet i suksesshëm, pasi u realizuan pritshmëritë dhe objektivat, në një kohë që u arrit të ruhej stabiliteti makroekonomik i vendit.
Për të dëshmuar këtë ecuri pozitive, Bode e krahasoi situatën shqiptare me atë të rajonit, ky vendi ynë rezulton të ketë performuar më mirë.
Për opozitën, situata ka qenë komplet ndryshe si për vitin 2011, ashtu dhe gjatë këtij viti. Bizneset po përballen jo vetëm me probleme likuiditeti, që dëshmojnë krizën e thellë, por dhe me një presion të paprecedent nga administrata tatimore.
Sipas deputetit Arben Ahmetaj, vendosja e gjobave ndaj bizneseve private është kthyer në një problematikë alarmante që ka rënduar së tepërmi klimën e biznesit.
Debatet kanë qenë të forta edhe në lidhje me aktin normativ, i propozuar nga Ministria e Financave, për disa ndryshime në ligjin e buxhetit të shtetit të vitit 2012. Sipas Bodes, akti ka të bëjë me detyrimet e papërmbushura që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkitë e komunat për sistemet e pompimit kanë ndaj shoqërisë “CEZ”, një situatë kjo anormale në respektimin e marrëdhënieve kontraktuale.
Nga ana e tij, deputeti socialist Arben Ahmetaj ka fajësuar qeverisjen aktuale për situatën energjetike në vend. “Sistemi energjetik i superfuqisë energjetike ka dështuar, është në kolaps. Ministri Bode tha se fajin e ka CEZ. Ne si opozitë kemi 3 vite që i themi që sistemi energjetik është duke u keqmenaxhuar nga korrupsioni i klësaj qeverie. Ju e dëgjuat që sistemi energjetik është një piramidë që e ka ndërtuar kjo qeveri”, tha Ahmetaj.
“Këta nuk e detyrojnë dot CEZ të zbatojë ligjin, të ka kapur CEZ-i për gryke se jeni qeveri e kapur. Ti zoti Bode je përgjegjës për kolapsin e energjetikës”, shtoi Ahmetaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.