Kuvendi i kërkon llogari AKEP për moszbatimin e rezolutës së 2014-s

25/05/2015 3:24 PM 0 komente

Është përpjekur të jetë i ftohtë dhe i prerë kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Pirro Xhixho në prezantimin e Raportit të Aktivitetit të AKEP për vitin 2014, përballë interesit dhe vëmendjes të deputetëve lidhur me zbatimin e rezolutës së Kuvendit për vitin 2014. Ky i fundit i kishte kërkuar AKEP të kryejë analizën e tregut të telefonisë celulare, duke analizuar në mënyrë të veçantë dominancën në treg të konstatuar edhe nga Autoriteti i Konkurences si institucioni më kompetent në vend në lidhje me aspektet e konkurrencës dhe të marrë masat e duhura në rast të konstatimit të kësaj problematike.

Analiza që AKEP e kreu gjatë muajve maj-nëntor 2014, evidenton probleme aq serioze në treg, sa e detyruan vetë AKEP të marrë masa të karakterit “të rregullimit në çmimet me pakicë” që konsiderohen si masa ekstreme të regullimit në një treg të telefonisë mobile. Por, realisht, në këtë treg nuk është marrë asnjë masë që të adresojë problemet, pasi që prej përfundimit të kësaj analize dhe daljes me vendimmarrjen përkatëse, vetë AKEP ka shtyrë zbatimin e masave rregulluese të tregut, që vetë i kishte propozuar, përveçse i ka ndryshuar në substancë e formë me një vendim totalisht kontradiktor me gjetjet e Analizës, në Mars të 2015-s.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, z. Xhixho ka raportuar rreth aktivitetit të institucionit që drejton gjatë vitit 2014.

Xhixho ka deklaruar se të ardhurat e tregut të komunikimeve elektronike gjatë vitit të shkuar ishin 42 mld lekë, me një rënie rreth 7% në bazë vjetore. Xhixho vijoi duke theksuar se në tërësinë e tyre, 78% e këtij tregu përbëhet nga ai i telefonisë celulare.

Në mesin e tyre, sipas raportit, Vodafone ka shënuar rënie 17% të të ardhurave. I pyetur nga deputetët për arsyet se pse ka ardhur rënia e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare, ekspertët e AKEP dhanë si argument “uljen e tarifave”.

Sa u përket kartave SIM për telefoninë celulare, gjatë vitit 2014 numri i tyre shkoi 4.2 milionë, nga të cilët vetëm 3.4 milionë janë përdorues aktivë, të cilët e kanë përdorur kartën së paku një herë në tre muajt e fundit.

Duke iu referuar problemit të parametrit të destinacionit të thirrjeve të abonentëve të rrjeteve celulare, Xhixho (duke bërë referencë te thirjet jashtë rrjetit që përfshijnë thirjet nderkombetare!!!) theksoi se thirrjet e drejtuara brenda rrjetit u ulën me 83% të totalit, nga 93% një vit më parë.

Pesha e tregut të Vodafone Albania, sipas të ardhurave, tha Xhixho, u reduktua nga 50% në 46%. Ata që panë rritje në drejtimin e tregut, ishin kompania Albtelecom Mobile (Eagle Mobile) dhe Plus, të cilët u rritën të dyja me 4% nga një vit i mëparshëm. Ndërsa AMC humbi 4% të peshës së tregut të telefonisë celulare.

Kreu i AKEP pohoi se ka ende diferenca mes tarifave standarde dhe atyre të shportës (ofertave), por synimi është që këto diferenca të zvogëlohen.

Në fund të këtij viti, Xhixho theksoi synimin që të arrihet të kemi tarifa të barabarta terminimi prej 1.48 lekë për minutë, të njëjta me standardet e BE-së.

Ndoshta edhe për faktin se në raport nuk u prekën gjetjet kryesore të Analizës së Tregut, Kreu i Komisionit, Eduard Shalsi, ka kërkuar të dijë se çfarë është bërë me analizën e tregut të telefonisë celulare. Ai ka pyetur edhe lidhur me ecurinë e disa vendimeve të marra nga AKEP gjatë vitit të kaluar, të cilat ai i ka cilësuar mjaft të rëndësishme.

Xhixho ka pranuar se AKEP ka kryer Analizën e tregut të Telefonisë Celulare dhe ka marrë vendimet përkatëse, për të cilat tha ai, janë nxjerrë konkluzione dhe janë parashtruar edhe për konsultim publik.

Ndonëse, sipas vendimit të AKEP, barazimi i tarifave brenda dhe jashtë rrjetit duhet të fillonte nga fundi i vitit 2014, ai është shtyrë tashmë për në 1 Korrik.

Xhixho është justifikuar me faktin se vendimet e AKEP kanë marrë në konsideratë gjendjen aktuale të tregut dhe ata u përpoqën që të arrinin në një të mesme të pranueshme për të gjithë. “Nuk duhet të punojmë që të kënaqen të gjithë, por që të ruajmë parametrat”,- tha ai, por pa specifikuar se cilat parametra kishte parasysh. Sipas tij, fillimi i zbatimit të vendimit të tarifave jodiskriminuese u shty për në korrik, në mënyrë që kompanitë të kishin kohë të adaptoheshin me formulën e re, por edhe të ruheshin të drejtat e konsumatorit, a thua se vendimet merreshin kundër interesit të konsumatorit dhe jo në interes të tij, duke zhbllokuar tregun nga mungesa e konkurrencës. Duke folur sikur të ishte spektator e jo në rolin e rregullatorit të tregut, z. Xhixho tha: “Formula e kritikuar nuk u ngrit nga AKEP. Ajo u krijua fillimisht nga Eagle, përmes Rini Ring (në 2009) dhe u ndoq nga të tjerët. Dikujt i eci, dikujt nuk i eci, dhe tani duan t’ia kalojnë konsumatorit. Këta operatorë, që të dalin nga kjo skemë, tani kërkojnë ndërhyrje. Ne kemi bërë një skemë të zbutur për të kaluar gradualisht drejt barazimit të tarifave”. Ai shtoi se një pjesë e mirë e paketave po shkojnë drejt unifikimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit. “AKEP do të monitorojë me kujdes 1 korrikun. Po dalim me një skemë favorizuese për operatorët dhe konsumatorët”. Xhixho ka pohuar (jo pa një dozë të hidhur ironie) se më në fund, Autoriteti i Konkurrencës, i cili mori së fundmi një vendim detyrues për unifikimin e tarifave celulare on-net/of-net – ka dalë më në fund me një “vendim” dhe jo me “rekomandime” siç ka bërë gjithnjë dhe shtoi se AKEP rregullon tregun e shumicës, ndërsa Konkurrenca duhet të ndërhynte në atë të pakicës.

Pyetjes së Kryetarit Shalsi se mediat kanë shkruar që janë rritur tarifat e telefonisë celulare, Xhixho iu përgjigj se “nuk e kanë vënë re një gjë të tillë”.

Xhixho ka pohuar se nga analiza e celularëve ka rezultuar se nuk duhet të dyshojmë që do të ketë konsolidime në këtë treg. Do ta mbajmë nën mbikëqyrje në mënyrë që të jemi të përgatitur, tha ai.

Pyetjes së deputetit Agron Duka, “nëse AKEP do të ndihej përgjegjës, në rastin kur ndonjë prej kompanive më të vogla, që operojnë me humbje që prej krijimit të tyre edhe si rezultat i kësaj situatë të deformuar të tregut, që rezulton edhe sipas konstatimit tuaj nga Analiza e tregut, do të dilte nga tregu”, Xhixho iu përgjigj se “nuk ndihemi përgjegjës nëse do të ketë konsolidime apo dalje nga tregu”, pasi ata si AKEP “as fusin dhe as nxjerrin kompani nga tregu e as jemi përgjegjës për keqmenaxhimin e kompanive në treg”, duke anashkaluar faktin e përgjegjësisë për lejimin e krijimit të deformimeve të evidentuara në treg nga vetë analiza e tregut.

 

Rezoluta për AKEP për vitin 2014

– Të kryejë analizën e tregut të telefonisë celulare, duke analizuar në mënyrë të veçantë dominancën në treg, dhe të marrë masat e duhura në rast të konstatimit të abuzimeve me këtë dominancë;

– Të angazhohet në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar kushtet e një konkurrence të ndershme dhe mosdiskriminuese, si dhe në rritjen e fleksibilitetit, efektivitetit dhe transparencës së ofrimit të shërbimeve, për mbarëvajtjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe postare;

-Të mbajë në mbikëqyrje të vazhdueshme situatën e dominancës në treg, sipas edhe rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës;

– Të kryejë rishikimin e tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet e sipërmarrësve të telefonisë së lëvizshme, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e Autoritetit të Konkurrencës për zhvillimin e këtij tregu.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of