Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Të thirrur nga ora 11:00 me iniciativën e opozitës do të diskutohet lidhur me paralajmërimin e Kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e tarifës 100% për mallrat nga Serbia.
Iniciues i kësaj seance është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa seanca do të mbahet në ora 11:00.
Ndryshe, ditë më parë, deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kurtit për heqjen e taksës.
Haradinaj ka thënë se “Kurti është një mashtrues i madh publik”.
“Sot mori një vendim të njëanshëm që si duket nuk e ka konsultuar as partnerin që e kanë në qeveri. Po tingëllon që vet zoti Kurti është si një ‘Coronavirus’ në Kosovë”, kishte thënë Haradinaj.
Ai lidhur me çështjen e taksës, nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e organizimit të protestave.
E gjatw ditës sw djeshme kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që taksa të hiqet krejtësisht, ashtu siç po kërkon SHBA-ja.
Në një postim në Facebook ai ka thënë se taksa e vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk kishte arsyetim ekonomik, por LDK-ja e kishte përkrahur për të ndalur hovin e presidentëve, Thaçi – Vuçiq, për pazaret për territorin e Kosovës.
“Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 për qind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për t’u mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish-kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa tutje ka shtuar se pas angazhimit të SHBA-së për dialogun, taksa ka mbetur si relikt dhe po i shërben Serbisë për t’u paraqitur si viktimë.
“Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-së me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar kërkesën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që tarifa ndaj mallrave të Serbisë të hiqet tërësisht, sipas kërkesës së SHBA-së.
Duke komentuar postimin e Mustafës në Twitter, Grenelli ka thënë se heqja e tarifës ndaj këtyre mallrave do të ishte fillim i mirë për më shumë progres.
“Postim shumë i mirë. Isa Mustafa është lider i guximshëm. Heqja e tarifës nesër do të ishte fillim i shkëlqyeshëm për më shumë progres – dhe do të kishte lëvizje të shpejtë. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecën përpara derisa të mos hiqet tarifa”, ka shkruar Grenelli.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nga dita e hënë do të diskutohet më hollësisht për çështjen e taksës 100 për-qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ajo ka bërë të ditur se për të njëjtën çështje është diskutuar edhe të premten (28 shkurt).
“Për taksën jemi takuar të premten, kurse nga e hëna mund të flasim më në detaje për këtë çështje”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.