Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seance plenare ligjin për shtyrjen e parapagimit të kësteve të tatim -fitimit në shtator të vitit 2021 dhe kredinë prej 174 milionë euro që FMN dha për përballimin e pandemisë Covid-19.
Shtyrja e pagesës së TF, ja modalitetet
Për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e parapagimeve të tatim-fitimit të vitit 2020 nuk do të paguhen.”
Përjashtimisht nga parashikimet e nenit 30 Parapagimet”, të këtij ligji, për tatimpaguesit me qarkullim mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore të tremujorit të dytë dhe të tretë, prill-qershor dhe korrik-shtator 2020, nuk do të parapaguhen.
Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-shtator 2021. Ky përjashtim nuk zbatohet për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e veprimtarisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtimit të produkteve farmaceutike, të produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, si dhe tatimpaguesve të listuar në pikën 12, të këtij neni Përjashtimisht nga parashikimet e nenit 30 “Parapagimet”, të këtij ligji, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020, për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center nuk do të parapaguhen. Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-dhjetor 2021 sipas linkut (https://www.tatime.gov.al/c/6/447/451/tatimi-mbi-te-ardhurat).
Synimi i këtij akti normativ është përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve në funksion të programeve të rindërtimit, sipas dispozitave të ligjit “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me qëllim uljen e kostove për rehabilitimin e komuniteteve të prekura, si pasojë e fatkeqësive natyrore sipas linkut https://www.tatime.gov.al/c/6/447/456/taksat-vendore.
Miratohet huaja 174 mln euro e FMN-së
Nëpërmjet këtij projektligji synohet miratimi i huamarrjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar nëpërmjet instrumentit tё financimit tё shpejte (RFI).
Objektivi i përgjithshëm është sigurimi i një pjese të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, nevoja të shtuara jashtë parashikimeve fillestare për shkak të goditjes nga COVID-19.
COVID-19 shkaktoi një goditje të fortë në ekonominë dhe financat publike shqiptare. Nevoja si për likuiditet, ashtu edhe financim të detyrimeve gjatë vitit 2020, ku duke marrë në konsideratë edhe risqet e shtuara për dinamikën e situatës, bën të domosdoshme gjetjen e mënyrave sa më të shpjeta dhe më efektive për mbulimin e këtyre nevojave të shtuara financiare. Në këtë aspekt kjo kredi që do të merret nga FMN-ja, e miratuar nëpërmjet këtij akti, është tepër e rëndësishme për të mbuluar një pjesë të këtyre nevojave. Përveç se kjo mundësohet në një kohë relativisht mjaft të shpejtë, gjë që është mjaft e rëndësishme në këtë situatë, kjo kredi ka një rëndësi të shtuar pasi është në një “monedhë të fortë” (SDR) e cila do të injektohet në ekonomi gjatë kësaj kohe nëpermjet buxhetit të shtetit dhe absorbon një pjesë të goditjes në disa parametra makroekonomikë. Gjithashtu, kjo ka një rëndësi të shtuar pasi merret nga një institucion si FMN, gjë e cila mund të shërbejë si katalizator për të mundësuar marrjen e kredive të tjera nga istitucione partnere ndërkombëtare (p.sh. Banka Botërore, Komisioni Evropian), kyçe këto për të plotësuar në mënyrë sa më efektive dhe të dobishme nevojën totale për financim gjatë këtij viti si dhe për të krijuar një linjë mbrojtjeje të financave publike e të ekonomisë në rast të materializimit të risqeve të tjera në përiudhën në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.