Kuvendi i Kosovës do të mbajë interpelancën për faljen e borxheve dhe gjobave për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.
Edhe Oda Ekonomike të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë për faljen e gjobave që janë shqiptuar. Kurse, në Vetëvendosje janë shprehur kundër faljes së gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë.
Kuvendi i Kosovës ditën e premte pritet të mbajë interpelancën për faljen e borxheve dhe gjobave për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.
Këtë e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri duke shtuar se falja e borxheve duhet të ndodhë.
“U vendos që ditën e premte nga ora 10:00 të ndodh interpelanca e cila e ka ftuar grupi ynë parlamentar me çështjen e faljes së borxheve si formë ndihmëse për bizneset të prekura nga situata e pandemisë COVID-19. Pra në këtë takim është konfirmuar kërkesa jonë për interpelancë. Kemi kërkesë të qartë ndaj ministrit të Financave [Hekuran Murati], që të ndodh falja e të gjitha gjobave për bizneset e prekura apo janë prekur në kohë pandemie, për shkak se kjo është një ngarkesë për ta”.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është shprehur kundër faljes së gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë COVID-19.
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se një gjë e tillë është bërë normë me Ligjin për Pandeminë COVID-19, të cilin e ka mbështetur edhe vet inicuesi i kësaj kërkese, pra AAK-ja.
“Falja e gjobave, qoftë për bizneset dhe qytetarët është bërë në bazë të një ligji të miratuar në fund të vitit të kaluar, që lidhet me menaxhimin e pandemisë, ligj i mbështetur nga partia që tani po propozon faljen e gjobave. E konsiderojmë se nëse përcaktohet me një normë ligjore, sanksionimi i gjobave pastaj falja e tyre me interpelanca, pra shkon jashtë normave të ligjshmërisë dhe është në dekurajim me normat që kanë qenë në përputhshmërinë me ligjin”, tha Kusari-Lila.
Po ashtu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një konferencë për medie i kishte bërë thirrje Qeverisë për faljen e gjobave që janë shqiptuar gjatë kërkesave për zbatimin e masave dhe mundësinë për një amnisti fiskale për bizneset.
“Ajo çka është zhgënjyese tani për tani edhe moszbatimi i Ligjit për Rimëkëmbjen. Është një nen në Ligjin për Rimëkëmbjen që 200 milionë do të duhet të ishin përkrahje e drejtpërdrejtë financiarë për bizneset. Pra 200 milionë euro dhe kjo nuk është reflektuar as në buxhet e as në vendimet e qeverisë, deri tani përfitimet e biznesit nga ligji për rimëkëmbjen janë minimale… Mos të krijon dikush iluzion që është përmisuar gjendja në muajt e fundit, pasi pasojat nëse nuk ka veprime të caktuar, sidomos të përkrahjes financiare për disa sektorë do të jetë me pasoja të pariparueshme. Gjithashtu qeveria në ardhje duhet të trajtoj me shumë kujdes edhe mundësinë e një amnistie fiskale dhe faljes së gjobave që janë shqiptuar tani gjate kërkesës për zbatimin e masave. Shumë gjoba kanë qenë jashtëzakonisht të larta dhe nëse krahasohen me përkrahjen financiare që e kanë marrë bizneset shumë më e lartë është kostoja e gjobave se sa përkrahja që e kanë marrë nga masat e ndryshme të rimëkëmbjes”.
Rukiqi kishe treguar se së bashkë me Odën Amerikane dhe këshillin e investitorëve evropianë, u kanë shkruajtur letër deputetëve të legjislaturës së re që të trajtojnë çështjen e kalimit të konsumatorëve në tregun e hapur dhe ky kalim të shtyhet për një vit.
Ani pse shumë biznese të cilat nuk u ndalën së punuari asnjëherë në pandemi morën nga shteti mbështetje financiare nga masa për punëtorë nga 290 euro, disa biznese individuale që ishin të mbyllura për shkak të masave kufizuese nuk kanë arrit ta marrin këtë mbështetje asnjëherë.
Më 28 shtator 2020 Qeveria Hoti në atë kohë kishte marr vendim për ndarjen e 60 milionë euro për subvencionimin e pagave të bizneseve aktive.
Ish-ministrja e Financave, Hykemete Bajrami pati thënë në atë kohë se këto mjete ishin ndarë nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë.
Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, do të ndahen 60 milionë euro. Po ashtu sipas deklaratës së saj, në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.
Ditë më parë ministri aktual i Financave, Punës dhe Transferve ka publikuar listën e 50 përfituese për punëtorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.