Që nga data 19 shkurt qeveria ka miratuar vendimin për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së Ervin Metes për anëtar të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit. Por Mete aktualisht ka edhe pozicionin e kryetarit të Bordit sipas informacionit në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Propozimi për një pozicion të dytë brenda të njëjtit Bord duket se ka krijuar paqartësi ligjore pasi Mete nuk ka dhënë dorëheqjen nga funksioni kryetarit të Bordit.
Ndërkohë AMF ka më shumë se një vit që ka vakant pozicionin e zëvendësdrejtorit pasi Kuvendi nuk ka votuar asnjë nga kandidaturat e paraqitura. Gjithsesi Kuvendi vijon të mbajë në axhendë edhe programin e punës në vijim projektvendimin “Për emërimin anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Nëndrejtorit Ekzekutiv të këtij institucioni” – dy propozime.
Mospërfshirja në axhendë për votim e drejtorit të ri për tre javët e ardhshme dhe në programin e punës për periudhën 2 mars – 17 prill 2020, mund ta lërë AMF-në pa drejtues pasi mandati drejtorit aktual nuk mund të shtyhet më shumë se tre muaj nga përfundimi. Maksimumi që Koçi rri në detyrë është data 24 mars ndërkohë që pozicioni zëvendësdrejtorit mbetet vakant prej më shumë se një viti. Tre anëtarët e tjerë të Bordit, përfshirë dhe Mete aktualisht në pozicionin e Kryetarit, janë jo-ekzekutivë dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive.
AMF është institucion i pavarur ligjërisht dhe sipas ligjit “”Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” anëtarët e Bordit përveç kritereve profesionale duhet të mos kenë patur pozicione drejtuese partiake dhe mos kenë punuar për subjektet financiare nën mbikëqyrjen e AMF për tre vitet e fundit.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është organi më i lartë drejtues dhe vendimmarrës. Bazuar në Ligjin nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” i ndryshuar, ai është një organ kolegjial i përbërë nga 5 anëtarë, dy prej të cilëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Nëndrejtori Ekzekutiv janë anëtarë ekzekutivë me kohë të plotë, ndërsa Kryetari dhe dy anëtarë të tjerë janë anëtarë joekzekutivë. Mandati i çdo anëtari Bordi është 5 vjet dhe një anëtar rri në detyrë maksimumi 3 muaj pas përfundimit të mandatit. Anëtarët e Bordit emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë sipas një procedure të përcaktuar në ligj.
Sipas informacionit në faqen e internetit të AMF, aktualisht, Bordi i AMF përbëhet nga 4 anëtarë mandatet e të cilat sipas ligjit përfundojnë sipas datave në tabelë të llogaritura nga Monitor:
Ervin | METE | Kryetar i Bordit (emëruar më 12.09.2019) | Përfundon mandati 12.09.2024 |
Ervin | KOÇI | Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv (emëruar më 06.04.2017) | Përfundon mandati 24.12.2019(rri në detyrë maksimalisht deri 24.3.2020) |
Idlir | GJATA | Anëtar (emëruar më 25.01.2018) | Përfundon mandati 25.01.2023 |
Deniz | DERALLA | Anëtar (emëruar më 03.04.2019) | Përfundon mandatin 03.04.2024 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.