Punëdhënësit janë përgatitur që të ofrojnë rritje pagash për punonjësit gjatë këtij viti, në mënyrë që të frenojnë fenomenin e njohur si Dorëheqja e Madhe. Megjithatë sipas një analize, rritja e pagave mund të mos jetë mënyra më e mirë për të mbajtur punonjësit e shkëlqyer.
Studimi i publikuar në MIT Sloan Management Review zbuloi se faktori më i rëndësishëm për të penguar largimin e punonjësve ishte ofrimi i mundësive për të bërë një ndryshim në karrierë. Në fakt, ofrimi i mundësive për ndryshim në karrierë ishte 2.5 herë më i rëndësishëm se paga për të mbajtur punonjësit në kompani, si dhe 12 herë më efektiv se sa oferta e një promovimi.
Të dhënat e studimit konsideruan largimet nga puna në periudhën prill-shtator 2021, përshtypjet në Glassdoor nga vitet e fundit (përfshirë periudhën përpara pandemisë) dhe 172 indikatorë kulturorë tek afërsisht 600 kompani.
Shumë njerëz i kanë kaluar dy vitet e fundit duke menduar për mënyrën se si duan ta shpenzojnë kohën e tyre. Shtimi punës, pavarësisht rritjes së pagës dhe ngritjes në detyrë, mund të mos jetë ajo që punonjësit po kërkojnë, thotë autori kryesor i studimit dhe lektori i MIT, Donald Sull.
“Drejtuesit shpesh mendojnë se mënyra e vetme për t’i shpërblyer njerëzit është promovimi,” thotë Sull për CNBC Make It. “Por, disa njerëz kanë familje ose angazhime të tjera jashtë kompanisë, kështu që nuk e duan përgjegjësinë shtesë që do të sillte një promovim.”
Punonjësit do të preferonin mundësinë për të provuar diçka të re, ose për të filluar një rol krejtësisht të ndryshëm bazuar te interesat e tyre, thotë Sull. Gjithashtu, kompanitë kishin rezultate më të larta të mbajtjes së punonjësve kur i jepnin atyre mundësinë të ndërmerrnin detyra në shkallë ndërkombëtare ose të zhvendoseshin në një zyrë të re – pakashumë sikur po i jepnin mundësinë të provonin një punë të re në një vend të ri, pa qenë nevojë të ndryshonin punëdhënës.
Përveç mundësive të ndryshimit të karrierës, analiza zbuloi se punonjësit kanë më shumë gjasa të qëndrojnë te kompanitë që ofrojnë mundësinë e punës në distancë, evente sociale të sponsorizuara nga punëdhënësi dhe orare të parashikueshme.
Eventet sociale të sponsorizuara nga kompania kanë qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm që lidhet me mënyrën se si punonjësit e vlerësojnë kulturën e kompanisë, duke ndikuar te dëshira e tyre për të qëndruar ose jo, thotë Sull. Ai pretendon se eventet e sponsorizuara nga kompania do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në vitet në vazhdim.
Si rrjedhojë e takimeve të kufizuara sociale gjatë Covid dhe të ardhmes së punës hibride, “drejtuesit do të duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për organizimin e eventeve që promovojnë kohezionin dhe kulturën e ekipit, sepse ata do të kenë më pak kohë për ta bërë këtë,” thotë Sull.
Asnjë nga këta faktorë nuk do të thotë se punonjësve nuk u intereson paga. Ka mundësi që punonjësit që nuk janë larguar nga vendi i tyre i punës gjatë Dorëheqjes së Madhe, të kenë negociuar një rritje page. Kështu, paratë nuk janë faktori kryesor që i bën ata të lumtur ose që të largohen.
Por, teksa drejtuesit e bizneseve përpiqen të gjejnë mënyra për të penguar largimet e punonjësve, Sull thotë se ata duhet të mendojnë më shumë për faktorët që kontribuojnë për një kulturë të shëndetshme në vendin e punës. / CNBC