Ëndërroni të jetoni në Itali? Ndoshta, të punoni nga plazhi? Ja ku erdhi mundësia juaj për t’u zhvendosur atje dhe, në njëfarë mënyre, të paguheni për ta bërë këtë gjë.
Sardenja, një ishull italian që ndodhet në Mesdhe, ka deklaruar se do t’u ofrojë njerëzve deri në 15,000 euro nëse zgjedhin të zhvendosen për të jetuar në këtë ishull. Për të financuar këtë program, qeveria e rajonit ka alokuar 45 milionë euro për 3,000 banorë të rinj që pritet të vijnë në ishull.
“Ne kemi krijuar kushtet e nevojshme që të rinjtë të vendosin të qëndrojnë në këto vende dhe të zhvillojnë strukturën ekonomike të rajoneve më të dobëta”, tha në një deklaratë për shtyp Presidenti i Sardenjës, Christian Solinas.
“Nuk mund të ketë rritje ekonomike pa një zhvillim real të këtyre rajoneve, të zonave të brendshme dhe të atyre më pak të favorizuara, të cilat duhet të kalojnë domosdoshmërisht përmes politikave të reja të ripopullimit të territorit”.
Por, ka një kleçkë.
Së pari, do t’ju duhet të zhvendoseni në një qytet që ka më pak se 3,000 banorë. Dhe, paratë që do të merrni duhet të shkojnë për rinovimin e një shtëpie të sapoblerë. Gjithashtu, ju do të duhet të jetoni atje gjatë gjithë kohës dhe, brenda 18 muajve, duhet ta regjistroni zyrtarisht Sardenjën si vendbanimin tuaj të përhershëm.
Qëllimi i kësaj nisme është që të ndryshohet trendi rënës i popullsisë në Sardenjë, një nga shumë rajonet në Itali ku numri i banorëve po bie me shpejtësi.
Por, nëse vendosni ta bëni këtë lëvizje, duhet të keni parasysh se mund t’ju shtohet jetëgjatësia.
Sardenja, e cila është e para nga pesë rajonet e “Zonës Blu”, thuhet se ka gati 10 herë më shumë njëqindvjeçarë për frymë se sa në SHBA. Njëqindvjeçarët janë personat që kanë mbushur ose kanë kaluar moshën 100 vjeç.
Sardenja nuk është vendi i parë në Itali që po ofron para, në një përpjekje për të tërhequr më shumë banorë.
Rajoni jugor i Kalabrisë deklaroi në vitin 2021 se do t’u jepte banorëve të rinj 28,000 € gjatë tri viteve. Në vitin 2020, Komuna e Santo Stefano di Sessanio u ofroi njerëzve deri në 44,000 € për t’u zhvendosur atje. / Fortune