Me kthesat e saj të shumta, korridoret e gjata dhe stacionet fantazma, metroja e Parisit është shumë më tepër sesa thjesht një sistem për transportin publik – dhe njohja e saj në detaje mund të kërkojë pak përvojë parisiene.
Bonjour Monsieur le President!
Vizitorët që planifikojnë të shohin nga afër Harkun e Triumfit duhet të zbresin nga metroja në ndalesën Charles de Gaulle – Etoile. De Gaulle ishte presidenti i parë i Republikës së 5-të Franceze, i cili e mbajti detyrën nga viti 1959 deri në vitin 1969. Harku i Triumfit qëndron në një rreth trafiku me 12 bulevarde që zgjaten në formën e një ylli. Kjo është arsyeja pse fjala “etoile”, që në frëngjisht do të thotë yll, iu shtua emrit të këtij stacioni.
Vendpushimi i fundit për artistët dhe muzikantët
Këngëtarët Edith Piaf dhe Jim Morrison, si dhe kompozitori Frederic Chopin – të gjithë gjetën vendpushimin e tyre të fundit në varrezat më të famshme të qytetit, Cimetiere du Pere Lachaise. At “Pere” Lachaise ishte, ndër të tjera, prifti ku rrëfehej mbreti Luigji XIV. Kështu, jo vetëm varrezat, por edhe stacioni i metrosë pranë tyre ka marrë emrin e tij.
Pluhuri i bardhë i allçisë
Emri i stacionit Blanche daton që në shekullin e 17-të. Gjatë asaj epoke, karrocat dërgonin allҫi nga guroret pranë Montmartrit, i cili ishte një fshat jashtë Parisit, përmes “sheshit të bardhë”. Pluhuri i bardhë u përhap mbi shtëpitë dhe fasadat e tyre, duke i dhënë kështu emrin sheshit dhe gradualisht edhe stacionit të Metrosë.
‘Vive la revolution!’
Më 14 korrik 1789, Revolucioni Francez filloi në Place de la Bastille me sulmin në burgun me të njëjtin emër. Edhe sot e kësaj dite, francezët përkujtojnë këtë festë kombëtare po në këtë datë, me parada dhe fishekzjarrë. Në vitin 1905, u zbuluan mbetjet e themeleve të një prej tetë kullave të burgut të Bastille. Sot, një vijë e verdhë në platformën e Linjës 5 shënon vendin e këtij zbulimi.
Të drejtat e njeriut të skalitura në mur
Place de la Concorde është një nga pesë sheshet mbretërore në Paris. I vendosur në zemër të Parisit, ky ishte vendi ku revolucionarët i prenë kokën mbretit dhe mbretëreshës gjatë Revolucionit Francez, si pjesë e fushatës së tyre të përgjakshme në emër të lirisë. Teksti i “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit” i vitit 1789 mbulon murin e stacionit Concorde, pikërisht mbi shinat e Linjës 12.
Kujtesë e Luftës së Dytë Botërore
Dy muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, stacioni Aubervilliers u riemërua si “Stalingrad”, për të përkujtuar mbrojtjen e suksesshme të qytetit rus me të njëjtin emër nga Ushtria e Kuqe dhe nga aleatët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2016, ky stacion u përmend shpesh në media, pasi refugjatët ngritën një kamp me tenda aty pranë.
Ish-pallati urban për mbretërit
Në vitet 1630, kardinali Richelieu ndërtoi një pallat urban që më pas u mor nga familja mbretërore në vitin 1643. Që atëherë e tutje, ai njihej si Palais-Royal, ose pallati mbretëror. Sot, në këtë pallat të dikurshëm mbretëror ndodhet Këshilli i Shtetit, teatri Comedie Francaise, Këshilli Kushtetues dhe Ministria e Kulturës. Stacioni i metrosë tregon gjithashtu aksesin për në hyrjen e re të Muzeut të Luvrit.
Të gjithë për një, dhe një për të gjithë
Franca është krenare për poetët, shkrimtarët dhe mendimtarët e saj. Shumë stacione të metrosë mbajnë emrat e shkrimtarëve të famshëm, duke përfshirë Victor Hugo dhe Emile Zola. Më 1 prill të vitit 2016, autoriteti i tranzitit në Paris riemëroi stacionin Alexandre Dumas për një ditë, duke i vendosur emrin një prej veprave më të famshme të këtij shkrimtari, “Les Trois Mousquetaires” (“Tre Muskëtierët”).
Kopjet e artit të vendosura nën tokë
Dikur një rezidencë e mbretërve, Pallati i Luvrit ka pasur muzeun më të vizituar të artit në të gjithë botën që nga viti 1791 – Musee du Louvre. Stacioni i metrosë Louvre-Rivoli shfaq disa kopje të veprave më të famshme të këtij muzeu. / Deutsche Welle