Laboratorët, kostoja mund të rritet me 33 milionë euro

29/02/2020 11:18 AM 0 komente

Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019. Kontrata parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro, sipas projektbuxhetit 2020.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për koncesionin e ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore ka gjetur problematika të shumta në kontratën, që ngjashëm si me koncesionin e sterilizimit nuk ka arritur të planifikojë saktë nevojat për shërbime laboratorike.

Sipas KLSH, “Projekti koncesionar/PPP vetëm në vitin e parë të implementimit të tij sipas studimit të fizibilitetit ka përcaktuar rritjen në financim të kërkuar me rreth 3.3 milionë euro nga situata ekzistuese. Sipas argumentimit të bërë në studimin e fizibilitetit, financimi aktual vlerësohet në rreth 5.4 milionë euro dhe shpenzim i kërkuar për implementimin e PPP në vitin e parë vlerësohet në 8.7 milionë euro, nëse ky projekt do të realizohet duke argumentuar shtesën në financim prej 3.3 milionë euro si në vijim:

-1.595 milionë euro si pasojë e rritjes së aksesit të popullatës në shërbimet laboratorike dhe shtimit të gamës së analizave të ofruara, nëpërmjet rritjes së përpjestimit të analizave më të shtrenjta

-0.69 milionë euro si pasojë e krijimit të kontrolleve të brendshme të cilësisë, akreditimeve ISO, trajnimeve dhe mirëmbajtjes parandaluese

-0.235 milion euro si pasojë e shpenzimeve të transportit për mostrat në vend të udhëtimit të pacientëve drejt Tiranës.

-0.95 milion euro si pasojë e përmirësimit të pajisjeve dhe infrastrukturës dhe futjes së sistemeve IT, sipas raportit.

“Rritja në nivel total e analizave të ofruara është parashikuar me 20% sipas supozimit të bërë në studimin e fizibilitetit. Nga auditimi konstatohet se nuk ka një analizë të detajuar në lidhje me efektin e pritshëm në kosto për mbështetjen e supozimeve, si pasojë e rritjes së gamës së analizave të ofruara. Gjithashtu, vendosja e tavaneve buxhetore, sipas parashikimit të bërë në studimin e fizibilitetit për çdo vit, në mënyrë që të mos cenohet Buxheti i Shtetit si pasojë e rritjes së numrit të analizave, vendos kufizime në nivelin e shërbimit të ofruar.

“Në kushtet e përcaktimit të tavaneve kufi për t’u shpenzuar, vendosjen e tarifave të reja fikse për analiza të ofruara dhe mungesën e të dhënave analitike për llojet e analizave të ofruara dhe të projektuara për t’u ofruar, ofrimi i shërbimit mund të kufizohet si pasojë e tejkalimit të kufijve buxhetorë. Në këtë mënyrë edhe argumentimi i bërë në studimin e fizibilitetit për këtë fakt mbi reduktimin e pagesave nga xhepi vlerësohet të jetë jo i mbështetur”, thekson KLSH.

Vlera totale e kontratës, sipas projektbuxhetit 2020 është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro. Nëse kostoja do të rritet me 3.3 milionë euro çdo vit, sipas konstatimit të KLSH-së, atëherë vlera totale e saj do të rritej me 33 milionë euro, duke u rritur me 24% për të arritur në 139 milionë euro (shënim i “Monitor”).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of