Kompanitë e ndërtimit ICON dhe Lennar po bashkëpunojnë me studion e arkitekturës BIG për të krijuar një lagje me 100 shtëpi të printuara në 3D në Austin, Teksas.
I parashikuar në vitin 2022, projekti do të jetë komuniteti më i madh në botë me shtëpi të printuara në 3D kur të përfundojë, sipas shoqërisë së Teksasit, ICON.
Komuniteti, i projektuar në bashkëpunim me studion daneze BIG, do të ndërtohet në një vend ende të pakonfirmuar të qytetit. Më shumë detaje për planimetritë dhe dizajnin e shtëpive do të njoftohen vitin tjetër.
Çdo shtëpi do të printohet me sistemin e ndërtimit Vulcan të ICON, që përdor makineri robotike të kontrolluara për të krijuar shtresa Lavacrete – një përzierje me bazë Çimento Portland.
“Teknologjia e printimit 3D realizon shtëpi rezistente dhe efikase nga pikëpamja energjetike, më shpejt se metodat e ndërtimit konvencional, me më pak mbetje dhe më shumë liri projektimi” – tha ICON.
Sistemi i ndërtimit Vulcan i ICON mund të krijojë shtëpi dhe struktura deri në 3000 metra katrorë.
Kompania thotë se, lagjja e shtëpive do të ndërtohet sipas një standardi të kodit strukturor International Building Code (IBC). ICON shtoi se pret që shtëpitë e ndërtuara me Vulcan të zgjasin “po aq ose më shumë” se ato të ndërtuara me njësi murature prej betoni (CMU).
Kompania e ndërtimit Lennar do t’i japë çdo shtëpie një ngjyrë neutrale, me çati me majë që do të pajisen me panele fotovoltaike.
“Mënyra jonë e ndërtimit e modernizon estetikën e shtëpive në periferi, ndërsa teknologjia e printimit 3D strukturon dhe ofron pika kontakti të dallueshme për çdo hapësirë”, shtoi ICON.
“Liria e formës e thjeshtësuar nga kjo teknologji ndërtimi – duke përfshirë kthesat e mureve – ndërthuret me materialet tradicionale të ndërtimit për të krijuar shtëpi që janë unike estetikisht dhe fizikisht.”
Lagjja e shtëpive të printuara 3D ndjek katër shtëpi të përfunduara së fundi në East Austin, Teksas, edhe ato të ndërtuara me teknologjinë Vulcan, të quajtura East 17th Street Residences.
Projekte të tjera me shtëpi të printuara në 3D në botë përfshijnë një prototip shtëpie italiane me formë kupole, me emetime të ulëta karboni, të realizuara në argjilë dhe shtëpinë e parë të printuar në 3D në Holandë