Industria shqiptare e nëntokës e nisi ringritjen vitin që sapo lamë pas dhe me shumë gjasa kjo nuk do të vijojë më 2018. Banka Botërore parashikoi që çmimet e xeherorëve të hekurit pritet të ulen me 10 për qind këtë vit. Banka ka rishikuar me ulje çmimet e metaleve dhe hekurit, por ulja e tyre do të kompensohet disi me përqindje më të larta të çmimit për metalet bazë, veçanërisht për plumbin, nikelin dhe zinkun.
Banka tha se rishikimi me ulje i çmimeve të metaleve do të vijë për shkak të kërkesës më të vakët globale. Kërkesa e Kinës për metale parashikohet të ulet edhe më tej më 2018. Gjithashtu teknologjia po avancon me zëvendësimin e metaleve me materiale të tjera.
Në parashikimet e reja të Bankës Botërore të tetorit referohet se çmimet e naftës pritet të rriten gjatë 2018-s duke arritur nivelin e 56 USD për fuçi në vitin e ardhshëm, nga një mesatare prej 53 USD për fuçi në vitin 2017, si rezultat i rritjes së kërkesës në rritje, uljes së prodhimit midis eksportuesve të naftës dhe stabilizimit të prodhimit të naftës në SHBA.
Më gjerësisht, çmimet për mallrat e energjisë, të cilat përfshijnë gazin natyror dhe qymyrin, parashikohet të rriten me 4 për qind në 2018 pas një rritje me 28 për qind këtë vit. Çmimet e gazit natyror pritet të rriten me 3 për qind në vitin 2018, ndërkohë që çmimet e qymyrit janë duke u tërhequr pas një kulmi prej rreth 30 përqindësh rritje këtë vit.
Çmimet e arit parashikohen të lehtësohen vitin e ardhshëm për shkak të pritshmërive të normave më të larta të interesit të SHBA-së.
Ndërsa çmimet e mallrave bujqësore pritet të kenë luhatje në zona të caktuara të globit për shkak të kushteve specifike atmosferike.
Thatësira e këtij, viti e cila ishte më e ashpra e 60 viteve të fundit, ka shkaktuar dëme në vendet e varfra të Afrikës, Somali dhe Kenia. Teksa konfliktet në Sudanin e Jugut, Jemen dhe Nigeri kanë larguar miliona njerëz nga shtëpitë, duke bërë që miliona njerëz të gjenden në emergjencë për ushqim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.