Në Panairin TIRART nuk munguan artistët e rinj, por shumë të talentuar si Amarildo Ruçi, i cili, ndryshe nga të tjerët, ka një teknikë të pazakontë në pikturë.
Ruçi është një piktor atipik, i cili prej vitesh ka hedhur brushat dhe çdo pikturë e bën vetëm me duar. Kjo teknikë i jep maksimumin e shprehisë.
Pavarësisht se është shumë i ri, Ruçi është vlerësuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat vlen të përmendet medalja e argjendtë në Egjipt, kur ishte vetëm 14 vjeç.
Arti i tij ka një lidhje të ngushtë mes mendjes dhe shpirtit. Është një lloj surrealizmi i paprecedentë, në të cilin mund të vërehet loja e simbolizmit në veprën artistike.
Figura femërore është gjithmonë e pranishme në punën e tij.
Është muza frymëzuese e krijimit dhe lidhet ngushtë me dashurinë dhe pasionin për jetën.
Këtë e shohim në pesë veprat e ekspozuara në TIRART, ku të bën përshtypje perceptimi i artistit në veprën “Insomnia “me përdorimin e shumë ngjyrave”.
Punimet e artistit në panair variojnë nga 2500 euro deri në 5000 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.