Idriz Balani është një nga emrat e njohur të artistëve që iu bashkua panairit të arteve pamore TIRART. Skulptori i njohur ekspozoi në panair 7 punime që variojnë nga 3500 deri në 60000 euro.
Busti i liderit të madh Ibrahim Rugova, që u prezantua në hyrje të Expocity gjatë panairit ishte vepra më e madhe e skulptorit, si dhe një nga punimet më të mira të ekspozuara.
Idriz Balani lindi në Konispol më 3 tetor 1953. Në vitin 1954 familja e tij u shpërngul në Durrës, ku jeton edhe sot.
Skulptori Idriz Balani u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1980, në degën e skulpturës, nën drejtimin e profesorëve Andrea Mano dhe Hektor Dule, skulptorë të shquar në Shqipëri.
Që nga përfundimi i shkollës e deri më sot, skulptori ka realizuar disa vepra të mëdha artistike si: Busti i Heroit të Popullit “Kozma Nushi”, busti i Dëshmorit “Telat Noga”, busti i rilindësit të shquar “Naim Frashëri”, dhe Lapidarin Monumental kushtuar Partizanëve të zonës së Kavajës.
Artisti ka gdhendur edhe disa portrete në mermer e gur, të cilët janë në galerinë e qytetit të Durrësit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.