Lajthiza Invest merr statusin e investitorit strategjik për projektin 20 milionë euro me hotel e vila alpine

13/07/2020 11:01 PM 0 komente

Kompania e ambalazhimit të ujit Lajthiza duket se do të zgjerojë dhe diversifikojë aktivitetin e saj edhe në turizmin rural. Nëpërmjet një projekti me kosto 20 milionë euro, Lajthiza Invest sh.a., ka fituar statusin e investitorit strategjik për të paktën tre vite, gjë që i mundëson asaj përshpejtimin e procedurave burokratike, si dhe lehtësi në shfrytëzimin e truallit shtet ku do të shtrihet projekti me tarifën simbolike 1 euro.

Sipas të dhënave në dokument, projekti parashikon ndërtimin e një investimi kompleks dhe i përket pjesërisht sektorit strategjik të turizmit me një hotel modern me 44 dhoma, një bllok me 12 vila të tipit alpin e aktivitete sportive/relaksuese, si dhe një fabrikë të re të ambalazhimit të ujit të pijshëm në shishe “Lajthiza”.

“Fabrika parashikohet të jetë me dy kate dhe do të ketë rreth 30.000 m² sipërfaqe të brendshme, në të cilën do të vendosen linjat e prodhimit me standarde europiane, linja të cilat sjellin rritjen e cilësisë së ujit, si dhe kapacitetit prodhues të tij.

Subjekti aktualisht gëzon Kontratë Koncesioni për përdorimin e ujit lidhur me Agjencinë e Ujit të Basenit datë 15.08.2005 dhe Vendim Nr. 5, date 15.01.2015 nga Këshilli i Basenit Ujor Drin – Bunë i cili saktëson koordinatat e burimit  ujor. Realizimi i fabrikës së re do të kërkojë rishikim dhe risaktësim të koordinatave për shfrytëzimin e burimit ujor dhe pajisje me një akt të ri administrative” thuhet në dokument.

Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej 41.463 m², e cila rezulton në pronësi shtet. Zona e propozuar për zhvillim ndodhet në fshatin Lajthizë, Bashkia Fushë – Arrëz, ZK. 2371.

Kompania bën të ditur se në fazën e parë të ndërtimit do të jenë rreth 200 të punësuar.

Lajthiza Invest kishte në vitin 2018 një qarkullim të ardhurash nga aktiviteti kryesor i saj prej 1.26 miliardë lekësh, kurse fitimi para taksave ishte 93 milionë lekë.

Masat mbështetëse që i miratohen projektit

Dokumenti i Komitetit të Investimeve Strategjike njofton se janë një sërë masash mbështetëse që i miratohen projektit ku, ndër të tjera, kryerje e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Po kështu, asistencë në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit.

Së treti, miratimin në parim dhe lejimin e përdorimit të truallit në ZK. 2371, Fshati Lajthizë, Bashkia Fushë-Arrëz, me tarifën simbolike 1 Euro, për realizimin e projektit investues “Kompleks Turizëm Rural Lajthiza”, në referencë edhe të Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 23, datë 17.06.2020. Miratimi përfundimtar, si dhe sipërfaqja e saktë, parcelat e detajuara, mënyra dhe afatet e lejimit të përdorimit të truallit në funksion të realizimit të projektit do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas procedurave të legjislacionit për investimet strategjike, pasi të përfundohet nga Bashkia Fushë-Arrëz dhe ASHK regjistrimi në proces i të gjitha parcelave të zonës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of