Deputeti dhe ish-kryeministri i vendit, Bashkim Fino, humbi jetën të hënën në moshën 58 vjeçare, pasi ishte prekur nga Covid-19. Në nderim të tij, Këshilli i Ministrave e shpalli të hënën ditë zie kombëtare, ndërsa forcat kryesore poltike ndërprenë në shenjë respekti aktivitetet e programuara të fushatës elektorale. Gjatë ditës së sotme, për të u organizua edhe një ceremoni zyrtare, ku u kryen homazhe në mjediset e ish-Pallatit të Kongreseve.
Krerët e institucioneve shtetërore, ish-drejtues të tyre dhe përfaqësues të opozitës shprehën të gjithë ngushëllimet për humbjen e parakohshme të Bashkim Finos. Në mesazhet e tyre, u vlerësua kontributi i tij si politikan i moderuar.
Bashkim Fino do të mbahet mend sidomos si Kryeministër i vendit nga Marsi deri në Korrik të vitit 1997, në qeverinë e Pajtimit Kombëtar që u krijua pas trazirave që pasuan rënien e firmave piramidale. Pranimi i detyrës së Kryeministrit dhe drejtimi i vendit në momentin më delikat që kaloi Shqipëria pas rënies së komunizmit është njohur si një kontribut i rëndësishëm i Bashkim Finos në politikën shqiptare.
Në vitet që pasuan, Bashkim Fino mbajti detyra të rëndësishme në qeverisje. Ai ishte zëvendëskyreiminstër dhe ministër i pushtetit Lokal në periudhën 1997-1998, Ministër i Pushtetit Lokal në periudhën 1999-2000, Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit në vitet 2001-2002 dhe Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në periudhën 2004-2005.
Që nga viti 1997, Bashkim Fino ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku në mandatin e fundit ishte anëtar i komisionit të ligjeve, ndërsa në vitin 2014 pati qenë edhe bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për reformën administrative dhe territoriale.
Para angazhimit në qeverisje, Bashkim Fino kishte qenë për katër vjet kryetar i bashkisë së Gjirokastrës dhe një nga ekonomistët më të njohur të rrethit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.