Ishe gjithnjë i thjeshtë dhe i papërtuar. Buzëqeshja nuk të mungonte asnjëherë, edhe në momente të vështira. Fotografia jote përcolli si realitetin, ashtu dhe foton artistike, nëpërmjet një mjeshtërie dhe këndvështrimi që pakkush e kishte. Mjaftonte një fjalë apo shprehje dhe e kapje në ajër atë që kërkohej.
Për shumë media, por jo vetëm, do të jetë e vështirë të zëvendësohet puna jote.
Arben Çeli, fotografi i cili u nda papritur nga jeta në moshën 52-vjeçare, si pasojë e një goditjeje në zemër, ka punuar edhe në Revistën Monitor dhe Revistën Shqip (të dyja pjesë e Media Union) për më shumë sesa 5 vjet.
Në Revistën Monitor, Beni arrinte të sillte nëpërmjet fotove, realitetin e një vendi që po përpiqej të ngrihej përmes vështirësive të shumta. Nga varfëria, përmbytjet, emigracioni, bujqësia, zhvillimi urban e shumë ngjarje të tjera u përjetuan përmes fotove të realizuara me mjeshtëri nga fotografi i papërtuar.
Por, talenti i vërtetë i tij u shfaq me Revistën Shqip, nëpërmjet realizimit të fotove artistike të personazheve të shumta.
Arben Çeli do të mbahet mend gjatë në media, si fotografi i të gjithëve. Unioni i Gazetarëve e ka përcjellë me hidhërim njoftimin për ndarjen e tij nga jeta.
‘Mik dhe koleg i dashur me të gjithë, ndër më profesionistët fotoreporterë, me një karrierë të gjatë e të qëndrueshme, Beni ndau për dhjetëra vite pune me gazetarë shqiptarë e të huaj. Ai është ndër të rrallët fotoreporterë që fiksoi me objektivin e vet ngjarje e personazhe të kohëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi duke shërbyer për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.
Në komunitetin e gazetarëve, Arben Çeli njihej si një njeri pozitiv, me qetësi të lëvdueshme dhe humanizëm të lartë. Ai ndau përvoja dhe momente të shumta profesionale, të cilat janë një shembull i çmuar virtytesh dhe profesionalizmi.
Ikja e papritur nga jeta e Benit të dashur, është humbje e pazëvendësueshme për familjen, redaksinë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe për gjithë fotoreporterët dhe gazetarët!¨, thuhet në njoftimin e Unionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.