Një inxhinier, i cili revolucionarizoi konceptin e kënaqësisë së muzikës – falë tij, këngët dhe disqe të tëra mund të dëgjoheshin nga të gjithë.
Lou Ottens, inxhinieri holandez dhe shpikësi revolucionar i kasetës, në vitet ’60, mbylli sytë përgjithnjë në moshën 94-vjeçare. Sipas mediave holandeze, që njoftuan lajmin, Ottens vdiq në shtëpinë e tij në Duizel, të shtunën e kaluar, më 6 mars.
Ottens nisi të punojë për Philips në vitin 1953. Në vitin 1960 u promovua brenda kompanisë, duke u bërë drejtues i Departamentit të Zhvillimit të Produktit, dhe së bashku me ekipin e tij, projektoi kasetën e parë në botë.
Më 1963, ajo u prezantua në panairin elektronik të Radio Berlin dhe menjëherë u bë e suksesshme. Më shumë se 100 miliardë kaseta vlerësohet se janë shitur në mbarë botën, që kur ajo u bë e njohur.
Pas kësaj shpikje të madhe, Ottens vijoi kërkimet si drejtor teknik i Philips, ku më vonë, mori pjesë edhe në zhvillimin e compact disc, në bashkëpunim me Sony. Ishte viti 1979. Ottens arriti një marrëveshje me Philips dhe Sony, duke marrë edhe patentën për modelin e tij të kasetës, pasi një numër kompanish japoneze kishin nisur riprodhimin e kasetave të ngjashme me madhësi të ndryshme.
Në 50-vjetorin e krijimit të tij, inxhinieri holandez tha për revistën Time se ishte një “emocion” që nga dita e parë.
Shpikja e Ottens ndryshoi mënyrën se si njerëzit dëgjojnë muzikë. E pabesueshme se si kjo shpikje zëvendësoi në një kohë të shkurtër disqet. Sot kasetat janë kthyer sërish në modë në mesin e koleksionistëve, ashtu si disqet dikur.
Vitin e kaluar, vetëm në Britaninë e Madhe, shitjet e audiokasetave shënuan rritje me 103% krahasuar me 2019.
Albumet më të shitur janë albume të artistëve të ‘rinj” si: Chromatica – Lady Gaga; CALM – Seconds of Summer; Weird – Yungblud dhe Notes on a Conditional Form – The 1975. Në SHBA, sipas Nielsen Music, shitjet e kasetave u rritën me 23% në vitin 2018, krahasuar me një vit më parë.
“Rikthimi” i kasetës ka shënuar edhe lindjen e një ngjarje të re kushtuar asaj, Cassette Store Day – më 17 Tetor, një ditë kushtuar festimit të shiritit magjik muzikor.
Burimi: BBC