Në vitet e errëta të regjimit, kur çdo gjë e bukur kalonte në filtrat e propagandës dhe shndërrohej në një produkt banal, futbolli ishte nga të paktat dritare që përcillte disi dritë dhe ngjyrë.
Asokohe, çdo ndeshje futbolli, sidomos ato të Kampionateve Botërore, shndërrohej në një temë që diskutohej në biseda mes shokësh, miqsh apo familjarësh. Çdo detaj i ndeshjeve apo futbollistëve stërhollohej në biseda, ku të vërtetat dhe legjendat përziheshin bashkë dhe ngjyrosnin nga pak bardhezinë e jetës sociale të regjimit famëkeq.
Në terrin e kohës, ne shqiptarët mund ta konsiderojmë veten me fat që gjeniu i futbollit zgjodhi të bëjë karrierë në Europë, e kësisoj patëm shansin të ndjekim magjinë e futbollistit më tëmirë të të gjitha kohërave, ndoshta shumë më tepër se bashkëkohësit tanë në pjesë të tjera të globit. Nëse në Europë apo Argjentinë, Maradona ishte mbreti i futbollit, në Shqipërinë e izoluar, ishte mbreti i ngadhënjimit të netëve të errëta dhe të boshtit kulturor. Në epokën e vështirë të informacionit të cunguar, kur të vërtetat pëshpëriteshin sa më larg veshit të sigurimit vigjilent, shqiptarët e njihnin historinë e mjeshtrit të madh të futbollit. Bisedat, komentet e lëvdatat për magjinë e tij në futboll ishin dhe copëza ëndërrimesh për të fluturuar sa më larg.
Maradona kaloi te skuadra e Napolit, në Itali, vitet më të mira të karrierës, që nga viti 1985 deri më 1992, ai ishte kapiteni i skuadrës së Napolit, të cilën e bëri kampion të Italisë në Serie A, për herë të parë në historinë e klubit dhe ia arriti ta bëjë atë dy herë, përveç trofeve të tjera. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët të pasionuar apo jo pas futbollit, kanë ndjekur e shijuar falë valëve të televizionit italian, RAI, spektaklin e garantuar të futbollistit artist virtuoz.
Imazhet, lëvizjet, goditjet e topit e golat e talentit argjentinas për vite me radhë shqiptarët i kanë parë, komentuar e brohoritur jo në stadiume, sheshe apo klube si sot, por nëpër shtëpitë e tyre, më shumë në vetmi, me ndonjë familjar apo njeri të afërm, përpara televizorit bardhezi. Nëse për pjesën më të madhe të botës, ai do të mbetet legjenda e futbollit, për shqiptarët, Maradona do të kujtohet si magjistari që veç futbollit, u fali dhe mundësinë për t’u argëtuar, për të qeshur dhe për të ëndërruar lirinë e munguar. Vitet ‘80 në Shqipëri nuk do të mbahen mend veç për varfërinë dhe skamjen kulturore. Diku në memorien tonë kanë zënë vend edhe golat e mbretit të futbollit, debatet dhe bisedat për të.
Sot, ndoshta më shumë se kushdo, para se të gjykojmë, të fajësojmë apo të gërmojmë në jetën komplekse të një prej njerëzve më të famshëm të globit e gjeni “Sui generis”, do të duhet të nderojmë kujtimin e idhullit argjentinas, legjendën e fushës së blertë, që na la. Duke respektuar e duke falënderuar me këtë rast edhe për mundësinë që e gjeti rrugën për të na sjellë pak dritë në vatrat tona, në kohët kur askush nuk mundej ta kapërcente errësirën.
Lamtumirë Diego!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.