Kryeministri i ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis rrëzon qeverinë e krahut të majtë dhe ofron modernizimin e kabinetit të tij
Athina qendrore ishte çuditërisht e qetë natën e zgjedhjeve elektorale. Nuk kishte fishekzjarrë në qiellin grek dhe as makina të mbushura më mbështetës partiakë që bënin xhiro në sheshin Syntagma duke valëvitur flamuj grekë dhe duke kënduar këngë patriotike. Pasi Kyriakos Mitsotakis, lideri i Demokracisë së Re të Qendrës së Djathtë (ND), fitoi zgjedhjet, një turmë e vogël mbështetësish jashtë selisë së partisë duartrokisnin dhe brohorisnin “Kryeministri, Kryeministri”, shkruan The Economist.
Pas fjalimit të tij falënderues për mbështetësit, shumë i shkurtër, z. Mitsotakis, Kryeministri i ri i sapozgjedhur i Athinës, doli nga zyra për të shkuar në shtëpi. Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse politika greke do të shpëtonte nga dramaticiteti që karakterizohet, të paktën për pak kohë. Nën drejtimin e Alexis Tsipras, Kryeministrit karizmatik që po largohet dhe partisë së tij Syriza, të krahut të majtë, Greqia pësoi një ndryshim rrënjësor nga viti 2015 kur Greqia nuk dihej nëse do të vazhdonte të ishte apo jo më pjesë e BE-së deri në paketën lehtësuese të borxhit të një viti më parë (112 miliardë euro ose 132 miliardë dollarë amerikanë) dhënë nga kreditorët e saj europianë.
Ekonomia po tregon shenja rritjeje. Të dhënat e turistëve ndoshta do të jenë thuajse të njëjta me ato të një viti më parë, ku u shënua një rekord mbi 30 milionë turistë. Pronarët e bizneseve familjare janë më optimistë. Stelios Alexakis, pronari i një hoteli në ishullin e Kretës shprehet se si ai ka ende shumë të tjerë të cilët vazhdojnë t’i ruajnë paratë nën dyshekë.
Z. Mitsotakis, një ish-konsulent i McKinsey, dëshiron të përshpejtojë reformat që do të inkurajonin investimet e huaja dhe që do ta bënin Greqinë më konkurruese. Me 158 vende në Parlamentin grek prej 300 anëtarësh, qeveria e tij është mjaftueshmërisht e fortë dhe e qëndrueshme për të bërë progresin e duhur. Kryeministri i ri thotë se do të përshpejtojë zbatimin e reformave mbi taksat dhe heqjen e burokracive të ndryshme deri në fund të muajit gusht. Tatimi mbi fitimet e korporatave do të shkurtohet nga 28% në 20% deri më 1 janar të 2021.
Megjithatë, disa shqetësohen se kur “muaji i mjaltit politik” i Mitsotakis të ketë mbaruar rivalitetet e vjetra dhe klientelizmi në partinë e qendrës së djathtë “Demokracia e Re” do të rishfaqen dhe do të kërcënojnë përpjekjet për reformim. Ai është djali i një Kryeministri të mëparshëm; motra e tij më e madhe ka qenë në postin e Kryebashkiakes së Athinës dhe Kryebashkiaku i ri i zgjedhur i Athinës është djali i saj. Interesat e obligacioneve sovrane greke ranë në një nivel shumë të ulët, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Kreditorët zyrtarë të Greqisë ishin edhe më pak entuziastët në lidhje me ndryshimet e fundit të qeverisë greke. Vetëm disa orë pasi z. Mitsotakis bëri betimin si Kryeministri i ri i Greqisë, Klaus Regling, kreu i Fondit të Shpëtimit të Eurozonës, u shpreh se angazhimi i Greqisë për të arritur suficite të larta buxhetore deri në vitin 2022 ishte një prej më të rëndësishmit që ajo ka bërë.
Sipas eurokratëve, z. Mitsotakis dëshiron të arrijë suficitin e premtuar prej 3.5% të PBB-së, me qëllim që të nxisë një rritje më të shpejtë të ekonomisë. Por, ai është zotuar se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim pa u konsultuar më parë me kreditorët e paketës së shpëtimit. Qeveria me 51 anëtarë e z. Mitsotakis përbëhet nga politikanë konservatorë si Christos Staikouras, që mban postin e ministrit të ri të Financave dhe nga teknokratë të rinj, të cilët janë vendosur në postet e zëvendësministrave.
Fakti që ai ka grumbulluar kaq shumë ekspertë ndërkombëtarë në fushat e tyre përkatëse, të cilët dëshirojnë të sjellin ndryshim është një tregues shumë i mirë, tha Antonis Kamaras, një analist politik dhe ekspert i diasporës së Greqisë. Megjithatë, kabineti i ri qeveritar përbëhet nga vetëm pesë gra, ku më e madhja në moshë është avokatja 38-vjeçare e diplomuar në Harvard, Niki Kerameus, së cilës i është ngarkuar sistemi arsimor i lënë në një situatë jo të mirë nga qeveria e Syrizës. Z. Tsipras deklaroi ditën pas zgjedhjeve se Syriza nuk do të “zhdukej” meqë humbi zgjedhjet. Ai theksoi se, nën udhëheqjen e tij, kjo parti u rrit nga një grup që fillimisht mori vetëm 3% të votave në partinë kryesore të së majtës.
Syriza fitoi 31.5% të votave gjatë zgjedhjeve të sivjetshme elektorale (krahasuar me 39.9% që mori partia Demokracia e Re), vetëm rreth katër pikë më pak nga rezultati që e shpalli atë fituese në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit të 2015. Z. Tsipras ka premtuar se partia e tij synon të shndërrohet në një opozitë “dinamike” të krahut të djathtë, që do të thotë se ajo parti do të zhvillojë shpeshherë greva dhe protesta në rrugë. Ky është njëkohësisht edhe një paralajmërim për z. Mitsotakis.