Pas Google, edhe Microsoft?
Dyshimi është i madh. Kompania me seli në Redmond, që për momentin nuk është shprehur ende për ndalimin e vendosur nga administrata Trump ndaj kompanisë kineze Huawei, duket se ka bërë një hap që shkon në të njëjtin drejtim me Big G. Në fakt, në orët e fundit, MateBook X Pro, laptopi kryesor i Huawei, ndër të tjera mjaft i shitur në SHBA, – është hequr nga dyqani zyrtar i Microsoft, duke të bërë të mendosh mbi vendimet e marra.
Për momentin, Microsoft nuk ka bërë asnjë koment rreth çështjes në fjalë, duke hedhur mijëra dyshime mbi këtë lëvizje. Dyshimi kryesor lidhet me azhurnimet e Windows 10. A do të jenë ende të disponueshme te laptopët e Huawei? Çështja, gjithsesi, bëhet edhe më e rëndë, pasi nga bota e smartphone-ve shkohet te laptopët. Kjo mund të peshojë edhe më shumë tek Huawei, duke marrë në konsideratë që amortizimi i një laptopi zakonisht është më i gjatë se ai i një smartphone. Dhe është vërtet e vështirë të mendosh që Microsoft do të braktisë përdoruesit që kanë zgjedhur një laptop Huawei dhe që presin përditësimet klasike të sigurisë të Windows 10.
Humbjet e Silicon Valley
Por përfshirja e Huawei në listën e zezë tregtare nuk është një biznes i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Masat e reja të vëna nga Trump mund t’i kushtojnë shtrenjtë Silicon Valley, që rrezikon të humbë miliarda dollarë. Nga ana tjetër, Huawei është furnizuesi kryesor në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, përveçse dhe prodhuesi i dytë i smartphoneve në botë. Aktivitetet e kompanisë me seli në Shenzhen lidhen ngushtë me kompanitë teknologjike amerikane, që e furnizojnë me materialet kyçe për të.
Vetëm në 2018, Huawei ka blerë 70 miliardë dollarë përbërës në sektorin teknologjik nga 13 mijë furnizues të ndryshëm. Nga këto, rreth 11 miliardë janë shpenzuar për produkte që vijnë nga dhjetëra kompani amerikane: nga chip-et e Qualcomm dhe Broadcom, deri tek software e Microsoft dhe Google. Këto të ardhura sot rrezikohen nga vendimi i administratës së Trump, për ta vënë Huawei në listën e zezë tregtare që e përjashton kompaninë kineze nga çfarëdo lloj marrëveshje biznesi me shoqëri amerikane.
Nuk ka dyshim që në këtë histori, elementi më i nxehtë është ai që lidhet me Google dhe Android. Vendimi i shoqërisë me seli në Mountain View për të ndërprerë marrëdhëniet me Huawei dhe për të lënë smartphone e prodhuesit kinez pa sistemin e famshëm operativ, ka një ndikim të madh. Përtej 90 ditëve të armëpushimit të dhëna nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çështja është delikate.
Prezantimi i Honor
Dje, në Londër, Honor (shoqëri e grupit Huawei) prezantoi përballë shtypit ndërkombëtar smartphonet e rinj Honor 20 dhe Honor 20 Pro. Në lidhje me këtë të fundit, kompania kineze nuk e bëri të ditur datën e daljes në treg. Ndër të tjera, pajisja nuk iu dha gazetarëve të pranishëm si pjesë e traditës së kompanisë Huawei. Shumë u përpoqën të kuptojnë nëse këto ngjarje mund të lidhen me ndalimin e Google. Sipas disa burimeve të besuara, Honor 20 nuk kishte ende licencën e Google (duhet ta kishte marrë në orët e ardhshme), dhe çështja e listës së zezë mund të ketë kompromentuar gjithçka. Megjithatë, në pritje të konfirmimeve ose mohimeve, ky diskutim jep një pamje më të gjerë të konfuzionit të shkaktuar prej vendimit të Google.
Humbjet e Google
Duke u kthyer tek aspekti financiar i kësaj çështje, shumë janë duke pyetur veten se sa do të humbasë Google. Kjo pasi duhet të kujtojmë që për shoqërinë e Mountain View, Huawei ishte dhe është një “klient” solid dhe i rëndësishëm. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2018, shoqëria kineze ka sjellë në dyqanet europiane 13,3 milionë smartphone. Sot, në tregun europian, një në tre telefona është i markës Huawei. Emëruesi i përbashkët është Android, sistemi operativ i Google nga i cili Big G fitonte të ardhura të mëdha. Mesa duket, për çdo smartphone me sistem operativ Android në Europë, Google fiton rreth 40 dollarë. Është e qartë, në lojë janë miliarda euro.
Burimi: Il Sole 24 Ore