Në këtë situatë që ka shkaktuar koronavirusi, në të gjithë botën, shumë aspekte të jetës sonë të përditshme po kalojnë gjithnjë e më shumë nëpërmjet smartphone, i cili, edhe më parë, ishte një shoqërues i gjithëpranishëm në jetën tonë. Puna, shkolla dhe socializimi po zhvillohen nëpërmjet një seri aplikacionesh deri më tani pak të njohura, që tashmë janë shndërruar në thelbësore për të ruajtur kontaktin në distancë.
Software për videokonferenca, për e-learning, por edhe për festa virtuale janë në mesin e aplikacioneve më të shkarkuara në këto ditë karantinimi. Zhvillues janë kolosë si Google dhe Microsoft, por edhe kompani të tjera të vogla, që në këtë kohë pandemie, kanë rastin të bëhen të njohura.
Mjedisi i punës është ai që mbështetet më shumë nga teknologjia. Videochat në Skype janë një realitet që prej 15 vitesh u jep mundësinë kompanive shumëkombëshe dhe njerëzve larg njëri-tjetrit të shihen e të flasin sikur të ishin pranë. Gara nëpër botë ndaj smart working për t’i shpëtuar pandemisë bën sot të nevojshme instrumente të ngjashme, për të folur e për të koordinuar njerëzit që deri dje ishin në një zyrë.
Disa aplikacione, deri tani pak të njohura në dyqanet virtuale, kanë regjistruar një pik shkarkimesh. Ndër to është Zoom, i cili shkarkohet falas në telefon, tablet dhe ju jep mundësinë të bëni video-telefonata mes shumë përdoruesve – me fjalë të tjera një mbledhje – ku ekrani në kompjuter ndahet në disa pjesë. Aplikacione të ngjashme të njohura janë Hangouts i Google apo Teams i Microsoft.
Këto platforma mund të shfrytëzohen edhe për mësimin në distancë, që mund të mbështetet në aplikacione ‘ad hoc’ si Google Classroom, i lehtë për t’u përdorur, për të krijuar një klasë virtuale, për të zhvilluar orë mësimi dhe për të korrigjuar detyrat.
Aplikacione alternative janë Edmodo, aplikacion kalifornian dhe WeSchool, aplikacion italian, falas për shkollat e mesme dhe universitetet, që tani po përdoren nga mësuesit dhe studentët.
Teknologjia na vjen në ndihmë edhe në jetën sociale, të cilën koronavirus e ka shkatërruar në jetën reale. Whatsapp, Messenger apo Snapchat nuk mjaftojnë më, mbi të gjitha për të rinjtë, që përpiqen të gjejnë një mënyrë për të qëndruar bashkë.
Ata po përdorin gjithnjë e më shumë tani Glide, një aplikacion me të cilin bisedon jo me fjalë dhe emoji por me videomesazhe, apo HouseParty, një rrjet social, ku mund të takoheni me miqtë
online, në video, për të bërë festa në një shtëpi virtuale.
Burimi: ANSA