Një “foshnjë” e rritur në krizë
Kriza ekonomike ndërkombëtare ka dhënë efektet e saj edhe në tregun e operacioneve leasing, duke bërë që të mos shënohen më ritmet e zgjerimit të vërejtura gjatë dy-tre viteve të fundit. Ngadalësimi i rritjes së këtij sektori pranohet nga ekzekutivët e kompanive leasing të intervistuar nga “Monitor”.
Për shembull, për sa i përket automjeteve, produkti më i shitur i këtij sektori, në vitin 2008, regjistroi 3760 autovetura, ndërkohë që një vit më pas, në 2009-n, numri i tyre nuk ishte më i madh se 3300. “Rënia për kompanitë ishte edhe më e madhe, duke qenë se 293 prej këtyre automjeteve i ka blerë shteti, ndërkohë që vetëm rreth 1100 të këtyre makinave janë shitur përmes leasing-ut”, saktëson Altin Saliasi, drejtor ekzekutiv i “Landes Leasing”.Sipas tij, në vitin 2009 është shënuar edhe një përmbysje e raportit të automjeteve të blera me para në dorë karshi atyre të blera përmes operacioneve leasing: “Nëse gjatë 2008-s, raporti i shitjeve ishte 60% e automjeteve të blera me leasing kundrejt 40% cash, në 2009-n, raporti është përmbysur në kahun e kundërt”. Për Fatos Aliajn, menaxherin e përgjithshëm të “Tirana Leasing”, ky treg nuk mund të shihet veçmas sektorëve ekonomikë në përgjithësi, duke pranuar se kompania e tij gjatë vitit 2009 mbeti pak a shumë në të njëjtat nivele financimesh të një viti më parë. “Patëm rënie në fazën e parë të vitit 2009 dhe nisëm të ndjenim përmirësim të shifrave, duke nisur që nga qershori i po këtij viti”, shkon në të njëjtën linjë Fatmir Sulo, drejtori ekzekutiv i “Credens Leasing”.
Sipas vlerësimeve të bëra nga “Monitor”, duke u bazuar tek të dhënat e kompanive, duke qenë se mbi këtë treg nuk ekzistojnë të dhëna të sakta financiare, në fund të vitit 2008, teprica e financimit për këtë sektor arriti në rreth 55 milionë euro, shifër që llogaritet të mbetet pak a shumë e pandryshuar edhe për vitin 2009, pra dhe rritja gati zero. Përmasat e stepjes së tregut bëhen më të dukshme po të krahasojmë se rritja nga viti 2006 në 2007-n në këtë treg ka qenë 25 milionë euro. Sot tregu ndahet mes katër kompanive kryesor “Tirana Leasing” “Raiffeisen Leasing”, “Credins Leasing” dhe “Landeslease”. “Në vitin 2008 patëm një rritje prej thuajse katërfish të aktivitetit”, thotë Altin Saliasi i “Landesleasing”, duke pranuar që ky vit mbetet shumë larg atyre ritmeve.
Pak produkte
Kompanitë ngjajnë me njëra-tjetrën për sa u përket gamës së produkteve që financojnë, normave të interesave dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së financimit. Ajo që bie në sy është se sektori dominohet tërësisht nga tregu i blerjes së makinave të reja, ndërkohë që njohësit e tregut pranojnë se lista e produkteve mbetet e shkurtër, edhe po të krahasohet me vendet e rajonit, në të cilët ky treg ka gjetur hapësirë pak a shumë në të njëjtën kohë. Më pas, në listën e produkteve më të shitura nëpërmjet leasingu-t, vijnë mjetet e transportit, duke nisur nga autostradat e furgonët e më pas mjetet e transportit të rëndë. Mbi 50% e tregut tonë ka të bëjë me financimin e makinave, tregon Fatmir Sulo i “Credins Leasing”. 15-20 për qind e zë financimi i blerjes së kamionëve, vazhdon më tej ai, duke nënvizuar se është një treg të cilin kompania e tij e konsideron si të pambuluar në masën e duhur nga ana e të gjitha kompanive dhe ka potencial të madh rritjeje.
Tregu kryesor i operacioneve të kompanive leasing është ai i autoveturave, i cili u kontraktua ndjeshëm në vitin 2009, vëren edhe Ida Shehu, drejtoreshë e “Raiffeisen Leasing”, duke shpjeguar se tregu kryesor ku operon kompania e saj është ai i makinerive të ndërtimit. “Kemi punuar shumë këto vite, veçanërisht me kompanitë e ndërtimit të rrugëve”, vazhdon Ida Shehu. Ajo nënvizon se pjesa më e madhe e portofolit të kompanisë i dedikohet kësaj industrie. “Financojmë më shumë automjetet, duke nisur nga autoveturat, kamionët, autobusët”, pranon edhe Fatos Aliaj i “Tirana Leasing”.
“Kemi ndier kërkesë, ndërkohë që edhe ne po marrim masat për të shtuar ofertën”, shton drejtori ekzekutiv i “Credins Leasing”.
Ofrojmë financimin e çdo produkti që ka gjetur hapësirë në tregun shqiptar, thotë Altin Saliasi i “Landesleasing”. Kemi makina, pajisje dentare, kemi gjeneratorë, makina qepëse çdo gjë që hyn në paketën leasing nuk refuzohet kurrë nga ne.
Kohëzgjatja e financimeve është gjithashtu pak a shumë e njëjtë për të gjitha kompanitë dhe shtrihet në të shumtën e rasteve nga një në pesë vjet, ndërkohë që norma mesatare e interesit që përdorin kompanitë luhatet te 8 përqindëshi në vit.
Përjashtim në formën e operimit përbën shoqëria “Avis”, e cila e ka përqendruar aktivitetin te financimi i linjave operacionale. Që do të thotë blerje e automjeteve dhe lënie me qira për shoqëritë që kanë nevojë. “Janë operacione normalisht 3-vjeçare, kemi edhe kohëzgjatje 2 dhe 4-vjeçare, por në masë më të vogël”, shpjegon menaxheri i operacioneve, Neritan Selita. Qiratë janë mujore dhe variojnë nga grupet e automjeteve që lihen me qira. “Ndërkaq ne përgjigjemi për gjithçka që ka të bëjë me makinën: që nga blerja, siguracionet dhe kontrollet teknike të mjeteve. “Avis” u ofron shërbime vetëm kompanive dhe menaxheri i saj tregon se disa prej tyre janë më të mëdhatë që operojnë në tregun shqiptar: AMC, “Eagle Mobile”, “Coca Cola”, “Uji i ftohtë Tepelenë”.
Megjithatë treg luksi…
Ndërkohë që duhet pranuar se shqetësimet për pagesat janë përgjithësisht të vogla, kjo për shkak se një pjesë e tyre funksionojnë si degë të bankave mëmë, ndërkohë edhe që konsumatori i këtij lloj shërbimi i përket shtresave me të ardhura më të sigurta në treg: asnjërës prej kompanive nuk i kanë munguar për asnjë çast financimet, ndërkohë që problemi i mosshlyerjes së kredive nuk ka marrë përmasa serioze për asnjë prej aktorëve të këtij tregu. Kjo pikë së pari, pasi tre prej kompanive, “Tirana Leasing”, “Raiffeisen Leasing” dhe “Credins Leasing” financohen drejtpërsëdrejti nga bankat mëma, pavarësisht se mund të funksionojnë si subjekte të pavarura, ndërkohë që gjatë vitit të shkuar edhe “Landeslease” është bërë pjesë kompanisë EELF, e cila ka strukturën e vet që e përdor në gjithë Ballkanin, si dhe në Moldavi dhe Ukrainë. “Fondet që përdorëm gjatë vitit 2009 i kishim përfituar që një vit më parë, kështu që nuk patëm asnjë vështirësi për të mbuluar financimet që na u kërkuan, thotë Saliasi i “LandesLeasing”.
Sipas asaj që thotë Fatmir Sulo, “Credins Leasing” zotëron një kapital mjaft të plotë aksioner, ndërkohë që gëzon edhe mbështetje e plotë të bankës kështu që mund të financojmë çdo lloj shume.
“Nuk kemi asnjë lloj kufizimi sa i përket shifrave që financojmë”, thotë Ida Shehu, e “Raiffeisen Leasing”. “Në rast se ekspertët tanë vlerësojnë se klienti zotëron mjetet financiare për të shlyer financimin, mbulojmë çdo lloj kërkese, pavarësisht shumë së kërkuar”.
“Nuk kemi pasur kufizime për sa i përket financimit në euro. Nuk kemi pasur probleme likuiditeti dhe as na kanë munguar financimet, vëren edhe Fatos Aliaj i “Tirana Leasing”. Ai shton se “kemi pasur kërkesa edhe deri në 1 milion euro, të cilat i kemi mbuluar pa problem”.
Ndërkohë, duke qenë se i gjithë sektori bazohet në masën dërrmuese te tregu i veturave të reja, të cilat blihen kryesisht nga konsumatorë me të ardhura të larta, edhe problemi i mosshlyerjes së huave është shfaqur shumë pak krahasuar me institucionet e tjera financiare. “Po të vërejmë me kujdes, një pjesë e mirë e veturave të reja blihen nga femrat, të cilat nuk duan të kenë asnjë prej kokëçarjeve që sjellin makinat e përdorura. Një pjesë e mirë e tyre janë gra në karrierë, ose që u përkasin familjeve me të ardhura të konsiderueshme financiare”, thotë një prej ekzekutivëve.
Më këmbëngulës në të ardhmen
Me gjithë zhvillimin e këtyre viteve të fundit, ekzekutivët pranojnë se tregu mbetet në nivele shumë të ulëta edhe krahasuar me vendet e rajonit. Kjo për një sërë faktorësh, ndër të cilët dominon numri i pakët i veturave të reja, që shiten në tregun shqiptar, por edhe mungesa e kulturës së blerjeve me leasing. “Duhet vite që kultura e leasing-ut të rrënjoset në një treg. Vendet e tjera të rajonit e kanë zhvilluar këtë treg që në vitin 1994-1995, detyrimisht do të jenë më përpara nesh”, pranon Altin Saliasi i “Landes Leasing”. Tregu shqiptar ka nisur të operojë në vitin 2005-2006, ndërkohë që të gjithë ekzekutivët pranojnë se 2007-a ishte pika kur kompanitë shqiptare nisën të kuptonin se leasing-u u krijonte lehtësira të ndjeshme kur vinte fjala për të financuar aktivitetet në këtë formë. Për Altin Saliasin, momentet e krizave janë rastet më të mira për t´u shtrirë në treg. “Presim që viti 2010 të jetë më i vështirë për tregun tonë se 2009-a. Strategjia jonë për këtë vit është ndarë në dy etapa. Kjo do të thotë që gjashtëmujorin e parë do të jemi më të kujdesshëm dhe do studiojmë më vëmendje çdo lëvizje të tregut dhe do të nisim ‘sulmin´ e vërtetë në gjashtëmujorin e dytë 2010”. Për Fatmir Sulon e “Credins Leasing”, tregu po jep shenja të rritjes së kërkesës, ndërkohë që edhe kompanitë kanë nisur të studiojnë mundësitë për rritjen e ofertës. “Prej kohësh ofrojmë shërbimin e ‘real estate leasing´, i cili në fakt përqendrohet vetëm te kompanitë dhe jo individët”, thotë Fatmir Sulo. Bëhet fjalë për një koncept të njohur në tregjet e huaja që quhet ‘Bye and Lease Back´ (bli dhe shit me leasing), që do të thotë se kompania blen nga klienti një pronë të cilën ia shet përsëri po atij përmes leasing-ut”. “Kemi ndërmend t´i kushtojmë shumë më tepër vëmendje këtij tregu, duke parë se pritet që bankat të vazhdojnë të mbajnë të ulëta ritmet e kreditimit”.
Ida Shehu
Drejtoreshë e përgjithshme e “Raiffeisen Leasing”
Si e konsideroni gjendjen aktuale të tregut të leasing-ut në tërësi?
“Raiffeisen Leasing” është në treg që prej vitit 2006 dhe që nga ajo kohë, ky treg është zhvilluar ndjeshëm. Bumi i madh u shënua gjatë mesit të vitit 2008, por më pas edhe ky segment, si gjithë segmentet e tjerë, ndjeu peshën e krizës. Megjithatë duhet të nënvizoj që me gjithë ngadalësimin e ritmeve të rritjes në të gjithë tregun, “Raiffeisen Leasing”, e vazhdoi zgjerimin edhe gjatë kohëve të krizës.
Në ç´segmente të tregut ka gjetur më shumë vend shitja përmes leasing-ut?
Tregu kryesor i kompanive leasing është ai i autoveturave, i cili u kontraktua ndjeshëm gjatë vitit 2009. Ndërkohë, tregu kryesor ku operon “Raiffeisen Leasing” është ai i makinerive të ndërtimit. Kemi punuar shumë këto vite, veçanërisht me kompanitë e ndërtimit të rrugëve. Në këtë segment të tregut, ku edhe jemi liderë të padiskutueshëm, kemi të përqendruar edhe pjesën më të madhe të portofolit tonë dhe kjo është edhe pika jonë më e fortë, kuptohet kjo falë edhe ekspertizës që tashmë kemi krijuar në këtë treg. Edhe pse ishte një ndër më të prekurit nga kriza, ne vazhduam të operonim me mjaft sukses në këtë segment edhe gjatë vitit 2009. Gjithashtu ne financojmë edhe linja prodhimi, linja paketimi, etj. Ndërkohë kemi kërkesa për një sërë produktesh nga ana e biznesit, ndërsa nga individët kërkesat vijnë kryesisht për autovetura.
Cilat janë kuotat e financimit që mbulojnë kompanitë leasing?
Di të flas me saktësi vetëm për kuotat e “Raiffeisen Leasing” dhe nënvizoj se nuk kemi asnjë lloj kufizimi për sa i përket shifrave që financojmë. Në rast se ekspertët tanë vlerësojnë se klienti zotëron mjetet financiare për të shlyer financimin, mbulojmë çdo lloj kërkese, pavarësisht shumës së kërkuar. Ndërkaq ne u shërbejmë të gjitha segmenteve të klientëve të tregut.
Cilat do të rendisnit si përparësi të leasing-ut krahasuar me kredinë bankare?
Leasing-u është një operacion që kryhet sipas konceptit aset-base. Pra financimi bëhet duke u bazuar në cilësitë e mjetit. Kjo logjikë vlen për çdo lloj aseti apo mjeti. Është ky ndryshimi ndërmjet kredisë së leasing-ut dhe avantazhi i këtij të fundit është pikërisht mungesa e kolateralit, i cili është thuajse i pashmangshëm në shumicën e llojeve të kredive që japin bankat.
Leasing-u është mënyrë tepër e përshtatshme për të kryer blerje të tilla. Procedura është tepër e thjeshtë, nuk ka nevojë për dokumentacion të tepërt. Nëse subjekti paraqitet në gjendje të shëndetshme financiare dhe nëse aseti që blihet është në gjendje të mirë është shumë e lehtë të marrësh financim te shoqëritë leasing. Sigurisht që nuk mund të financosh asete apo teknologji të sepse kuptohet që këto lloj asetesh nuk ofrojnë garancitë e duhura.
E megjithatë mbetet treg i kufizuar, edhe po ta krahasojmë me vendet e rajonit…
Kultura e leasing-ut po rritet pak e nga pak në Shqipëri, megjithëse duhet të theksoj që është e përqendruar në masë të konsiderueshme te sektori i automjeteve. Besoj që tregu i leasing-ut në Shqipëri është i lidhur ngushtë me tregun e shitjes së makinave të reja. Koha ka treguar që financimi me leasing po bëhet një pjesë e rëndësishme në aktivitetet e bizneseve dhe individëve dhe “Raiffeisen Leasing” do të jetë gjithmonë prezente për të mbështetur planet e tyre të investimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.