Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi konferencën “CEFTA-Kthimi i Sfidave në Mundësi”, në kuadër eventit “CEFTA Week 2019” dhe në përmbyllje të kryesimit të CEFTA-s për këtë vit nga Shqipëria.
Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj, Anila Denaj; Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, znj. Genoveva Ruiz Cavalera; përfaqësues të qeverive dhe përfaqësues nga dhomat e tregtisë dhe industrisë të vendeve anëtare të CEFTA-s, etj.
Ministrja Denaj mbajti fjalën hapëse të konferencës, gjatë së cilës bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të trajtuara dhe arritjeve gjatë kryesimit të CEFTA-s nga vendi ynë.
Ministrja theksoi faktin se gjatë vitit 2019, Shqipëria, së bashku me palët anëtare në CEFTA, ka punuar intensivisht për realizimin e objektivave në lehtësimin e tregtisë, integrimin rajonal mes vendeve, duke synuar së pari në rritjen e zhvillimin ekonomik dhe përfitimeve direkte dhe indirekte për qytetarët.
“Ky është dhe një moment reflektimi për ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë, si dhe është një moment për të vlerësuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen”, u shpreh znj. Denaj.
Sipas Ministres, dialogu konstruktiv mes palëve është kyç për të zgjidhur problematikat e hasura në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve anëtare të CEFTA, kryesisht problematikat e lidhura me qarkullimin e mallrave, të cilat duhet të adresohen nëpërmjet tryezave të diskutimit dhe bashkëpunimit efektiv rajonal. Për zgjidhjen e problematikave, shtoi znj. Denaj, është mjaft e rëndësishme edhe përfshira e sektorit privat në këto diskutime.
“Synim final i marrëveshjes mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri. Kryesimi i CEFTA-s në vitin 2019 na ka angazhuar ne si Shqipëri për të realizuar një dialog bashkëpunimi intensiv, i cili ka realizuar disa suksese, por ka shumë punë për të bërë dhe nëse të gjithë do të fokusohemi në një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, jam i bindur se viti tjetër me kryesimin e Bosnje-Hercegovinës do të jetë edhe më i suksesshëm”, u shpreh Ministrja.
Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, znj. Genoveva Ruiz Cavalera, tha se bashkëpunimi mbetet faktor kyç në rrugën europiane të rajonit, bashkëpunim që vjen edhe si detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit që çdo vend i rajonit ka me BE e në këtë drejtim, implementimi i CEFTA-s është një detyrim.
Znj. Cavalera vlerësoi arritjet e CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë mes vendeve të rajonit dhe shprehu bindjen se ka akoma mundësi për progres të mëtejshëm në këtë drejtim, ndërsa vlerësoi edhe synimin e krijimin e një zonë ekonomike rajonale, duke e konsideruar thelbësor në zhvillimin e potencialit ekonomik të rajonit.
Fjala e Ministres Denaj:
Të nderuar pjesëmarrës, bashkëpunëtorë dhe kolegë,
Shqipëria, në këtë vit të kryesimit të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA, së bashku me të gjithë palët anëtare vijoi në mënyrë intensive punën për të realizuar objektivat në lehtësimin e tregtisë, integrimin rajonal mes vendeve dhe palëve, duke synuar në radhë të parë zhvillimin ekonomik, përfitime direkte dhe indirekte për të gjithë qytetarët.
Si kryesues të CEFTA-s në këtë vit kemi pasur kënaqësinë të drejtojmë edhe Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Nënkomitetin e Tregtisë në Shërbime.
Ky është dhe një moment reflektimi për ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë; si dhe është një moment për të vlerësuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen.
CEFTA ka qenë dhe mbetet një forum ku diskutimi dhe negocimi mes palëve duhet të sjellë progres dhe gjetjen e zgjidhjeve të prekshme për të gjithë anëtarët. Përgjatë kësaj periudhe kemi hasur edhe pengesa, kryesisht ato të lidhura me qarkullimin e mallrave, të cilat pa diskutim duhet të adresohen dhe të zgjidhen, në tavolina diskutimi dhe nëpërmjet bashkëpunimit rajonal efektiv.
Komunikimi konstruktiv është kyç për të realizuar zgjidhjen e këtyre problemeve dhe një element shumë i rëndësishëm për ta konsideruar është përfshirja e sektorit privat, si një aktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe një emërues themelor në prioritetet tona.
Synim final i marrëveshjes mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri.
Sot, rreth 25% e tregtisë së CEFTA-s është tregtia ndër-rajonale dhe rreth 75% për pjesën tjetër të botës, kryesisht me BE-në. Në fund të vitit që lamë pas, shkëmbimet tregtare vetëm midis Shqipërisë dhe palëve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e 750 milion euro, mbi 300 milionë Euro në importe dhe 400 milion Euro në eksporte. Trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare në vitet 2014-2018 ka pësuar një rritje të përvitshme mesatare në nivel prej 6%, ndërkohë që shifrat e 11 mujorit të 2019 reflektojnë potencial për tejkalimin e realizimit të viteve të shkuara.
Ky është një sinjal pozitiv për të githë bizneset shqiptare dhe ato në vendet e rajonit.
Burimi kryesor për zhvillimin e ekonomive tona kombëtare dhe rajonale është komuniteti i biznesit me aftësinë dhe fleksibilitetin e tij për t’u përshtatur menjëherë me ndryshimet e marrëveshjeve ndërkombëtare apo rajonale dhe përmirësimet që sjellin këto ndryshime.
Roli i çdo anëtari të CEFTA-s është krijimi i lehtësisë legjislative dhe rregullatore për të siguruar harmonizimin, thjeshtësimin dhe standardizimin e legjislacionit, procedurave dhe dokumentacionit.
Sa më sipër, për të sjellë një volum të shtuar mes të gjitha palëve përmes masave të shtuara të marra.
Prandaj, çdo protokoll dhe çdo marrëveshje do të mbetet një instrument prioritar për të lehtësuar kalimin e mallrave, informacionit, kapitalit dhe njerëzve.
Më lejoni që shkurtimisht të përmend disa nga përpjekjet dhe arritjet që CEFTA ka arritue gjatë këtij viti:
Ndjekja e proceseve më të fundit për zbatimin e Protokollit Shtesë 5 dhe rritjen e funksionimit të Operatorëve të Autorizuar në Rajonin e CEFTA-s. Disa ndër hapat konkretë për fuqizimin e implementimit të Protokollit Shtesë 5 kanë qenë pergatitjet për njohjen e ndërsjelltë të dokumenteve doganore dhe Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO). Tashmë ky koncept është implementuar tek të gjitha palët, gjë e cila krijon mundësi për rritjen e efektivitetit të transaksioneve doganore, krijon një proces të lehtësuar, uljen e kostove dhe uljen, në radhë të parë, të kohës në shërbimet doganore të ofruara nga të gjitha palët.
Kemi përmirësuar dhe thjeshtësuar rregullat e origjinës për një sërë sektorësh prioritarë dhe me potencial zhvillimi, si në tregtinë rajonale midis palëve të CEFTAs, ashtu edhe me pjesën tjetër të botës, kryesisht BE, EFTA dhe Turqinë.
Heqja e barrierave tregtare ka integruar dhe siguruar kontrollet dhe inspektimet doganore të cilat bëhen me bazë risku dhe ka mundësuar hartimin e një strategjie të përbashkët të menaxhimit të riskut. Kjo ka rritur nivelin e sinergjisë dhe të bashkëpunimit midis ofruesve të shërbimeve në rajon dhe ka krijuar kushte më avantazhuese për procedurat ndaj biznesit.
Palët kanë vlerësuar si të domosdoshme njohjen reciproke të certifikatave të produkteve bujqësore midis vendeve të rajonit dhe mbetemi të angazhuar që këtë process të çojmë deri në fund.
Protokolli Shtese 6 për tregtinë në shërbime është pranuar nga palët dhe është gati për adoptim. Të gjithë ne duhet të kemi një fokus të fortë edhe në Tregtinë në shërbime. Adoptimi final dhe ratifikimi i Protokollit Shtesë 6 është një parakusht për të zhvilluar instrumentat e nevojshëm për lehtësimin e liberalizimit dhe njohjes së ndërsjelltë të profesioneve të kualifikuara.
Diskutimet mbi Protokollin Shtesë 7 “Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve” janë duke u zhvilluar për të arritur miratimin e plotë të tekstit nga të gjitha Palët e CEFTA-s ndërsa emërimi zyrtar i grupit negociator tashmë ka përfunduar.
Vendet anëtare të CEFTA-s i kanë kushtuar shumë rëndësi forcimit të dialogut publik – privat si një mekanizëm efektiv komunikimi, midis Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë, komunikim i cili duhet të vazhdojë përtej implementimit të Marrëveshjes së Tregtise së Lirë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Pas kësaj liste me disa elementë të cilët kanë qenë pjesë e punës së grupeve teknike të të gjithë anëtarëve të CEFTA-s, përfshirë pjesëmarrësit që sot janë në këtë konferencë, qëndron një punë shumë intensive gjatë gjithë këtij viti. Ndaj, më lejoni të falënderoj të gjithë pjesëtarët që kanë punuar dhe ekipin e CEFTA-s në veçanti.
Palët e CEFTA-s kanë treguar vullnet dhe shpesh kanë këmbëngulur deri në identifikimin e zgjidhjeve më të mira dhe gjithëpërfshirëse për çështje madhore të rajonit, duke e bërë CEFTAn një forcë dinamike transformuese dhe duke i kthyer sfidat në mundësi.
Megjithatë, ka shumë punë për të bërë. Kryesimi i CEFTA-s në vitin 2019 na ka angazhuar ne si Shqipëri për të realizuar një dialog bashkëpunimi intensiv. Ky dialog ka realizuar disa suksese, por mendojmë se ka shumë punë për të bërë dhe nëse të gjithë do të fokusohemi në një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, jam i bindur se viti tjetër me kryesimin e Bosnje-Hercegovinës do të jetë edhe më i suksesshëm.
Ju falënderoj dhe punime të mbara në konferencën e sotme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.