Lehtësohet tregu i naftës

10/04/2012 2:42 PM 0 komente

Tregu i naftës po shfaq shenjat e para të lehtësimit, pas rritjes më të madhe për dy javë rresht në rezervat e naftës bruto amerikane, me ritme që nuk ishin parë që prej 10 vitesh, çka lehtësoi frikën për një kufizim të ofertës.

Kjo rritje e rezervave ndihmoi për të reduktuar çmimet e naftës në nivelet më të ulëta që nga mesi i shkurtit. Rritja e çmimeve të karburanteve ka qenë një element kyç në betejën e fundit presidenciale.

Qeveria e SHBA-ve bëri të ditur se sasia e naftës bruto që mbahet si rezervë ishte rritur me 16.1 milionë fuçi gjatë dy javëve të fundit, rritja më e madhe në terma absolute që nga marsi i vitit 2001.

Tankerat tregtarë kishin 362.4 milionë fuçi, një nivel shumë më i lartë sesa mesatarja, sipas raportimeve nga Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara.

Rritja erdhi pasi prodhimi i brendshëm i SHBA-ve u zgjerua dhe Arabia Saudite dhe shtete të tjera shtuan prodhimin në një përpjekje për të ulur çmimet e naftës.

Por analistët paralajmëruan se shtimi i rezervave kishte të bënte pjesërisht me faktin që rafineritë po hynin në sezonin e mirëmbajtjes.

Globalisht, “tregu ka qenë përgjithësisht i shtrënguar dhe mbetet i tillë”, tha Francisco Blanch, kreu i departamentit të produkteve në Bank of America Merrill Lynch.

Rritja e lartë në inventarët e naftës së SHBA-ve është në kontrast me nivelet relativisht të ulëta në shtetet e tjera perëndimore dhe vjen disa ditë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë,

mbikëqyrësi i shteteve perëndimore, paralajmëroi për një treg nafte të shtrënguar.

Megjithatë, tregjet fizike të naftës të Europës dhe Azisë po fillojnë të tregojnë shenja modeste lehtësimi për herë të parë pas disa muajsh.

Diferenca midis varietetit Ural të naftës ruse dhe treguesit global Brent ka rënë në nivelet më të ulëta në 11 muaj, një shenjë se mbiprodhimi nga Rusia, Arabia Saudite, Libia dhe Iraku po ribalancon gradualisht kërkesën dhe ofertën.

Arabia Saudite e ka rritur prodhimin në nivelin më të lartë të 30 viteve, teksa prodhuesi kryesor në botë po përpiqet që të detyrojë uljen e çmimeve drejt një niveli prej 100 dollarësh për fuçi.

“Arabia Saudite do të donte të shihte një çmim më të ulët,” pohoi pak ditë më parë Ali Naimi, ministri i naftës i Arabisë Saudite.

Kontratat e të ardhmes shënuan rënie gjatë javës së kaluar, me treguesin Brent që arriti në rreth 123 dollarë për fuçi. Referenca amerikane, West Texas Intermediate, ishte rreth 102 dollarë për fuçi.

Diferenca në çmime midis dy treguesve arriti në nivelin më të lartë të 6 muajve.

Megjithatë, tregtuesit e naftës dhe analistët kanë frikë se në momentin që rafineritë do të rikthehen në punë dhe embargo e Bashkimit Europian kundër Iranit do të fillojë zyrtarisht,

çmimet do të gjenden sërish përballë presionit për t’u rritur. JPMorgan tha se prodhimi i Iranit do të vazhdonte të binte, duke arritur poshtë 2.5 milionë fuçive në ditë deri në atë kohë,

një humbje neto prej 1 milion fuçish në krahasim me nivelin e janarit dhe më i ulëti që nga vitet 1980.

Ndërkohë, kërkesa nga Azia pritet të rritet për shkak të konsumit të ajrit të kondicionuar gjatë muaji të verës, duke ushtruar më tepër presion në tregun e naftës,

teksa ndërmarrjet energjetike në Japoni po përballen me rritjen e kërkesës për energji përmes shtimit të prodhimit nga centralet që punojnë me naftë.

Barclays Capital tha në një letër drejtuar klientëve të vet se një kërkesë e rritur nga Japonia kishte të ngjarë që të vazhdonte si rrjedhojë e mbylljes së centraleve bërthamore

dhe aktivizimi i centraleve me naftë është një element tjetër që do të ndikojë në shtimin e kërkesës për karburant.

Nga ana tjetër, investitorët janë të kujdesshëm, teksa tregtarët dhe analistët presin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuarr,

Franca dhe Japonia të bien dakord së shpejti për të hedhur në treg rezervat e tyre strategjike të naftës, në mënyrë që të parandalojnë që çmimet të rriten më tej kur sanksionet e Bashkimit Europian mbi Iranin të vendosen formalisht në korrik.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of