Detyrimi i vendosur mbi certifikatat COVID-19 në të gjithë botën, ka bërë që njerëzit t’u drejtohen platformave sociale si Telegram për të blerë karta të rreme shëndetësore, me një kosto prej rreth 100 €.
Në vetëm pak muaj, llogaritë që shesin certifikata të fotoshopuara, që po shpërndahen përmes postës elektronike, janë rritur në numër në Europë dhe në mbarë botën, duke shkaktuar rritje të krimit në internet, thanë ekspertët në kompaninë e sigurisë kibernetike Check Point.
“Ata mund ta fotografojnë atë dhe mund të fillojnë ta shesin me informacionin e duhur. Mashtruesit dhe kanalet në Telegram ju bëjnë të gjitha pyetjet, ju kërkojnë detajet, dhe gjithçka që dëshironi të vendosni në certifikatë,” – tha Oded Vanunu, kreu i Produkteve të Rrezikshmërisë në Check Point Software Technologies, për Euronews.
Italia, si dhe vende të tjera europiane, kanë prezantuar aplikacione për smartphone për të verifikuar nëse një certifikatë është autentike apo jo, por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.
Që nga fillimi i pandemisë, popullariteti i këtyre kanaleve është rritur. Numri i përgjithshëm i shitësve ka shkuar nga rreth 20 në 1,500 midis marsit dhe dhjetorit 2020, e shoqëruar kjo gjithashtu edhe me rritjen e numrit të abonentëve, sipas ekspertëve në Check Point.
Kanalet vazhdojnë të ndryshojnë ofertat e tyre për të vazhduar me rregullat më të fundit të vendosura nga qeveritë kombëtare.
Njerëzit e pavaksinuar janë kategoria më e prirur për të blerë leje të rreme shëndetësore, pasuar nga personat të cilët kanë bërë vetëm dozën e parë të vaksinës.
Kërkesa për leje shëndetësore të rreme po rritet frikshëm në Europë
Shefi i Njësisë Kombëtare të Krimit Kibernetik në Itali paralajmëron se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të shpëtosh me një kod QR të rremë për të marrë pjesë në evente apo për të hyrë në ngjarje vende të ndryshme.
“Nga njëra anë, lejet ligjore të shëndetit përmbajnë një kod QR që përfshin një certifikatë të krijuar nga kompjuteri, që dëshmon vërtetësinë e tij. Nga ana tjetër, ekziston një aplikacion që lejon përdoruesit të krahasojnë informacionin që përmban kodi QR me bazën e të dhënave kombëtare e cila disponon informacione mbi njerëzit e vaksinuar. Kjo është arsyeja pse është e pamundur të krijosh një kod të rremë QR, ”tha Ivano Gabrielli, kreu i njësisë kombëtare të krimit kibernetik në Itali, për Euronews.
Por pavarësisht se sistemet kombëtare të parandalimit janë efikase, ndjekja e këtij lloji mashtrimi është bërë jashtëzakonisht sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për udhëtimet ndërkombëtare. Një tjetër vështirësi në luftën kundër COVID-19 vjen pasi autoriteteve të kontrollit kufitar u mungon një baze të dhënash ndërkombëtare të njerëzve të vaksinuar në të gjithë botën.